BallinaAktualitetDEBATI/Nikoll Lesi i përgjigjet Frangajt: Me vërtetimin tim dole nga burgu, kur...

DEBATI/Nikoll Lesi i përgjigjet Frangajt: Me vërtetimin tim dole nga burgu, kur nise sherrin për TV Klanin më erdhe në zyrë. Ja vendimi për “Koha Jonë” ne print…

Me thanë se mbrëmë në “Opinion” te Blendi Fevziu, te televizioni i Aleksandër Frangajt me kanë përmendur personalisht. Nuk po ndiqja TV Klan në atë kohë pasi e kisha te Top Channel dhe dikush, një avokat i njohur, më nis një sms se “ç’pati Sandri që të përmendi ty me ironi e përçmim tani te Fevzo?”. E pyeta se si është puna dhe më  tha diçka që nuk po arrija të kuptoja se ç’lidhje kisha unë me emisionin e Fevziut.

E kalova te Klani dhe pashë se ishin në studio: Baton Haxhiu, Armand Shkullaku, Preç Zogaj, Erla Mëhilli dhe Aleksandër Frangaj. Por disa kolegë me sqaruan në celular se po flitej nga Sandër Frangaj për rolin e Presidentit Meta në fushatën elektorale. Dhe në një moment përçmimi për Presidentin, Frangaj paskësh thënë se “edhe Nikoll Lesi të ishte nuk do të bënte këto idiotësi që bëri Ilir Meta!”.

Kërkova në celular të dilja live në studion e Klan për t’i dhënë një përgjigje të shkurtër Sandrit, por Blendi Fevziu më mbyllte telefonin. E megjithatë Fevzo u mjaftua me një lexim tangent të një sms time, gjë që nuk është aspak profesionale sepse kur Blendi dëshiron, të nxjerr live në emision. Por Fezvo nuk ka shumë faj se është i punësuar te pronari Frangaj dhe ndihej keq t’ia prishte qejfin punëdhënësit.

Në kushte krejt të pabarabarta mediatike, kur Frangaj nga prona e tij në Klan më sulmon me përçmim dhe unë nuk lejohem të dal live, jam i detyruar të shkruaj disa rreshta.

E para, se unë dhe Sandri jemi dy botë të ndryshme, kjo as që diskutohet. Dhe nuk jam i penduar!

E dyta, Sandrin e kam ndihmuar asokohe kur asnjëri nuk i hapte derën e jetës, në vitin 1991. Dhe nuk kam bërë gabim, sepse gjithçka e kam bërë pa hile dhe me një dashamirësi, që akoma më ka mbetur, ndonëse në këto 30 vite kam parë shumë pabesi, sikurse me dhjetëra ish-kolegë ruajmë respekt të ndërsjelltë për kohët e dikurshme në median “KOHA JONE”.

Unë nuk jam njeri pa gabime. Kam bërë gabime në jetë, por nuk kam kryer faje, krime.

E treta, Sandrin e bëra unë bashkëpronar të KOHA JONE dhe nuk është se ai më mori mua për dore. Më mirë e di avokat Spartak Ngjela se si erdhi mes zhegut të 22 korrikut 1992 në Lezhë kur unë vendosa t’i falja, Sandrit, 40 për qind të aksioneve të gazetës KOHA JONE.

Fjalët e avokatit atë kohë kur më pyeti se “sa lekë jep ky Sandri për 40 % të aksionëve?” mbetet lapidare përgjigja e tij kur më tha “jepja, jepja falas, por kur të pendohesh se po e bën bashkëpronar, merr avokat tjetër e jo mua se ai do t’i shesë sa frengu pulën!”.Dhe ashtu ndodhi. Sa “frengu pulën” mu shitën në janar 1997 ato që fala në korrik 1992!

E katërta, Sandri ka parimin se është përherë me atë që sundon kalanë. Dhe nuk i ka dalë keq!

Fliste, siç me thanë, kaq keq për Ilir Metën për t’i bërë qejfin kryeministrit Rama, sikurse fliste, dikur, kaq poshtërsisht kundër Edi Ramës, kur ishte Berisha në pushtet.

Nejse, kjo mbetet çështje karakteri! Unë, kur ai u zu me ish-bashkëpronarët e tij në TV KLAN Marsel Skëndo dhe Zhylien Rosh, sapo erdhi Berisha në pushtet, vinte prapë te KOHA JONE dhe kërkonte ndihmë. Dhe ia botova çfarë më sillte Sandri, edhe për hir të një respekti për miqësitë e vjetra. Siç shkova (kur ishte në burg në shkurt 1994) te Gjok Jaku, që ishte kryetar komune në Zejmen (Lezhë) për të marrë një vertetim urgjent që t’ia çoja gjyqtarit Arben Ristani që ta nxirrte nga burgu, Sandrin. Dhe e nxora nga burgu me atë vertetim!

E pesta, Sandri sot ka shumë prona, pasuri, lekë, euro! Është super milioner. Dhe ti gëzojë dhe as që ndjej as më të voglën zili për të. Por Sandri nuk ka të drejtë të përçmojë apo ironizojë apo edhe me keq të fyejë mua, aq me tepër në televizionin e tij kur nuk jam i pranishëm në studio. Apo prapë me tepër kur tema e emisionit nuk ishte Nikoll Lesi.

Unë prej vitesh jam tërhequr në jetën time dhe mundohem të mbaj gazetën që themelova me 11 maj 1991, e besoj me 11 maj të këtij viti kur mbushen fiks 30 vite si gazeta e parë e pavarur shqiptare, do ta mbyll gazetën si print. Por do ta mbajë në versionin online. Mundet dhe një televzion në kushtet e një teknologjie të re.

Kaq takat kam dhe nuk vuaj nga pallatet e shumta apo fshatrat turistikë që ka Sandri. E fundit, Sandri duhet të kuptojë se nuk është leku gjithçka në këtë botë. Njeriu ruan disa vlera brenda vetvetes, sepse ato e lartësojnë dhe jo mali me lekë! Kaq për sot!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular