BallinaOP EDSi po vdes demokracia në Shqipëri?*

Si po vdes demokracia në Shqipëri?*

Nga Red Varaku

Demokracia nuk mbaron më si dikur në një çast, me anë të një grushti shteti, por vdes ngadalë dhe në mënyrë sistematike nëpërmjet dobësimit dhe më pas kapjes së institucioneve, sistemit të drejtësisë dhe medias, si dhe nëpërmjet rrënimit gradual të normave të gjithëpranuara politike.

Ky është konkluzioni i dy profesorëve të nderuar të Universitetit Harvard, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, në studimin e tyre të fundit “Si vdesin demokracitë”. Ata kanë studiuar për 20 vjet rresht rënien e demokracive dhe instalimin e regjimeve totalitare në Europë dhe në Amerikën Latine dhe kanë dalë në përfundimin që, demokracia ka hyrë në një fazë ku rrezikohet nga format e kamufluara të ‘grushtit të shtetit’.

Por, le të analizojmë pak nën dritën e këtij studimi qeverisjen e Ramës. A po konsumon ai një ‘grusht shteti’ sipas konceptit të dy profesorëve të nderuar? A ka rrezik për instalimin e një regjimi të ngjashëm me atë të Putin në Shqipëri? A ka rrezik për demokracinë në Shqipëri?

Rama erdhi në pushtet si pasojë e pakënaqësisë së madhe të njerëzve me elitën e korruptuar politike shqiptare dhe një sistemi të bllokuar . Ai shfrytëzoi mllefin e madh që ishte akumuluar për shkak të korrupsionit kapilar dhe kushteve ekonomike të përkeqësuara.

Por, kur u votua masivisht si kryeministër, ai nuk bëri asgjë për t’i dhënë përgjigje këtyre problemeve. Ai e degradoi shtetin me sjelljen e tij banale, dobësoi institucionet duke rritur nivelin e korrupsionit si dhe degjeneroi seriozitetin e shtetit me gjuhën e tij vulgare. Pra, thënë shkurt, jo vetëm që nuk bëri asgjë për të zvogëluar zemërimin e njerëzve, por rrënoi edhe ato pak institucione që administronin disi këtë zemërim.

Historia dëshmon që, kur sjellja politike degjeneron deri në këtë papërgjegjshmëri dhe kur institucionet rrënohen deri në këtë shkallë, është shumë e vështirë rivendosja e normalitetit. Në vend të normalizimit, në fakt, fillojnë të dalin në skenë ide edhe më idiote dhe radikale, siç po shikojmë gjatë këtyre muajve me idetë anti-sistem.

Kjo ndodh sepse partitë e qendrës dobësohen, ndërkohë e majta dhe e djathta zhbalancohen dhe humbasin dinamikën. Këta radikalët që kanë dalë në skenë dhe që kërkojnë ndryshimin total të sistemit, duke flakur tej partitë tradicionale, janë edhe më të çmendur se vetë Rama.

Rama ndoqi një strategji të mirëmenduar, shumë të ngjashme me atë të vendeve ku sot janë instaluar regjime totalitare, për të arritur kapjen totale të shtetit dhe eliminimin e demokracisë. Trajektorja e qeverisjes së tij ndjek pikë për pikë trajektoren e logjikës së përshkruar nga profesorët Levitsky dhe Ziblatt.

Së pari, ai filloi me kapjen e institucioneve duke i kthyer në armë politike kundër kundërshtarëve të tij, brenda dhe jashtë partisë. Kapja e sistemit të drejtësisë menjëherë pas zgjedhjeve, blerja e mediave dhe bullizimi ndaj tyre, me qëllim intimidimin dhe mbylljen e gojës, si dhe rishkrimi i rregullave të politikës, me qëllim që kundërshtarët gjithmonë të humbasin, siç ishte reforma territoriale, janë fakte që ilustrojnë, që ai i ka ndërmarrë këta hapa vetëm me një qëllim: kapjen totale të sistemit, që do të thotë eliminimin e demokracisë.

Së dyti, ai degjeneroi normat informale të sjelljes, që përmend Levitsky dhe Ziblatt, të cilët argumentojnë që demokracitë nuk varen vetëm nga respektimi marrëdhënieve formale kushtetuese, por edhe nga respektimi i disa  kodeve informale.

Ndër kodet informale më të rëndësishme është trajtimi i opozitës si kundërshtar legjitim dhe jo si “armik jolegjitim”, ndaj së cilës mund të shfrysh vrer dhe mllef sikur të kesh përballë teje armiq dhe jo bashkëkombas, që mund të akuzohen vetëm për një faj: mendojnë ndryshe nga ai. Respektimi “i tjetrit” kur mendon ndryshe është një nga normat bazë të demokracisë.

Tjetër kod që nuk duhet thyer kurrë është raporti me të vërtetën. Ti mund ta thuash dhe ta mbrosh të vërtetën tënde, sa herë të duash dhe sa më mirë të mundesh, por nuk duhet kurrë të tallësh, fyesh dhe përbuzësh të vërtetën e tjetrit, duke nxitur urrejtje dhe përçarje apo të nxisësh hapur dhe pa pikë droje dhunë dhe intolerancë.

Së treti, ai e rrënoi edhe më shumë besueshmërinë te demokracia si sistem. Për shumicën e shqiptarëve, në vitin 2013, Rama ishte shpresa e vetme për rikthimin e besimit te demokracia. Por ai dështoi në mënyrë spektakolare. Çdo ditë e më shumë shqiptarët po e humbin besimin, ndaj nuk ka më asnjë reagim nga shoqëria ndaj prirjeve të hapura autoritare të Ramës, që kulmuan në fjalimin e tij të turpshëm këtë të shtunë.

Së katërti, përballë realitetit të ri të komunikimit përmes internetit dhe rrjeteve sociale, ai jo vetëm nuk u tregua luajal, por u tregua i pabesë. Ai e ktheu këtë komunikim në funksion të propagandës dhe luftës kundër fjalës së lirë duke instaluar një aparat gjigand, i cili merret me përpunimin dhe administrimin e të dhënave që burojnë nga ky komunikim. ‘Astroturf’ dhe ‘gaslighting’ janë metodat e preferuara të diktatorëve kudo në botë. Kjo gjë e ka përkeqësuar komunikimin demokratik, duke ndihmuar në polarizimin e mëtejshëm të shoqërisë.

Paradoksi tragjik i rrugës drejt totalitarizmit dhe autokracisë është që vrasësit e demokracisë përdorin vetë institucionet demokratike në mënyrë graduale, madje dhe legale për ta eliminuar dhe asgjësuar atë. *repost

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular