Raporti/Shqipëria, rrugët nga kalon trafiku i drogës dhe ku pastrohen paratë e pista

1
314

“Inicitiva Globale Kundër Krimit të Organizuar” ka publikuar raportin për vitin 2021 ku vëmendja është përqendruar në trafikun e drogës, pastrimin e parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky raport ka bërë një pasyrë të gjatë të asaj që po ndodh në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ku një vend të veçantë zë Shqipëria. Në të gjitha këto fenomene, Shqipëria konsiderohet ende një vend kyç për prodhimin e kanabisit, rrugë kalimi për kokainën dhe heroinën ndërsa mban vendin e parë për pastrimin e parave nëpërmjet ndërtimit. Më poshtë po sjellim pjesë nga raporti voluminoz kur flitet për Shqipërinë.

Kanabisi

Kanabisi është droga më e përdorur në Ballkanin Perëndimor dhe që sekuestrohet më shpesh. Ndryshe nga drogat e tjera, kanabisi prodhohet në Ballkanin Perëndimor. Teksa Shqipëria ka qenë tradicionalisht prodhuesi më i madh, kultivimi atje u ul ndjeshëm që nga kulmi në 2016, pas një goditje të madhe nga zbatimi i ligjit. Ka prova që sugjerojnë se kultivimi i kanabisit po kryhet veçanërisht në ambiente të mbyllura.

Në Shqipëri, kanabisi rritet kryesisht përreth malësisë së Dukagjinit dhe Krujës dhe në rajonin e Vlorës. Rritet gjithashtu në zonën përreth Memaliajt, Tepelenës dhe Gjirokastrës si dhe përreth Fierit, Librazhdit, Lezhës, Mallakastrës, Bulqizës, Devollit dhe Laçit. Në tregun vendas, 1 kilogram kanabis shitet nga 1200 € në 1400 €, ndërsa rëshira e kanabisit me cilësi më të lartë kushton 1600 € deri në 2000 € për kilogram.

Kanabisi trafikohet nga Shqipëria në disa drejtime. Një pjesë transportohet me gomone në Itali (nga Vlora, Fieri, Himara ose Lezha). Një rrugë tjetër e trafikimit shkon në jug përmes Ohrit dhe Manastirit në Maqedoninë e Veriut dhe më pas drejt Greqisë. Kanabisi trafikohet nga Shqipëria në Greqi edhe me anije, nëpërmjet maleve ose përmes pikave të kalimit kuforat në Qafe Botë, Kapshticë dhe Kakavijë.

Një pjesë e kanabisit lëvizin gjithashtu në lindje për konsum në rajon, në Turqi ose për eksport në veri të BE-së. Nga Shqipëria, droga trafikohet përmes Kukësit ose Prizrenit, pastaj përmes Ferizajt dhe Gjilanit në Kosovë.

Heroina

Heroina gjithashtu hyn në Shqipëri nga Kosova nëpërmjet Kukësit. Në 5 vitet e fundit, më shumë se 200 kilogramë heroinë janë kapur në Shqipëri. Një pjesë kishte si destinacion portin e Durrësit nga ku kontrabandohet me makina qe transportohen me traget ne Itali. Heroina gjithashtu lëviz në veri përmes Shkodrës përmes pikës së kalimit të Hanit të Hotit në Malin e Zi.

Kokaina

Kokaina hyn në Shqipëri zakonisht përmes portit të Durrësit. Është vlerësuar se çmimi për kilogram është midis 25 000 € dhe 30 000 €. Nga aty ajo lëviz në veri drejt Podgoricës ose sipas rrugëve në lindje në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Greqi. Në vitin 2015 një laborator i kokainës u zbulua në fshatin Xibrakë në bashkinë e Elbasanit ku droga transportohej në rroba të përdorura.
Meqenëse shumica e kokainës po hyn në rajon përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, nuk është për t’u habitur që pastërtia me e lartë dhe më e shtrenjtë e kësaj droge të gjendet në Tiranë dhe Podgoricë.

Trafiku i drogës

Trafikimi i drogës zakonisht kryhet nga grupe të vendosura në pikat e nxehta përkatëse. Zakonisht grupet kontrollojnë territorin më shumë se për një substancë të veçantë. Ata mund të kontrabandojnë disa lloje drogash dhe madje edhe të jenë të përfshirë në veprimtari polikriminale, përfshirë tregtimin e drogës, armëve dhe pastrimin e parave. Teksa shumica e grupeve kanë një fokus lokal, ata shpesh kanë lidhje të mira me kriminelë apo grupe në zona të tjera të nxehta. Ata gjithashtu mund të kenë aleanca ose marrëdhënie biznes me grupet kryesore kriminale që veprojnë brenda ose jashtë Ballkanit Perëndimor.

Megjithëse ekziston qartë bashkëpunimi ndër-etnik, për shembull midis grupeve etnike shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në Luginën e Preshevës apo Serbinë e Jugut, nuk ka asnjë konflikt ndër-etnik midis grupeve kriminale. Në të vërtetë, duket se ka një bashkëpunim të mirë midis grupeve kriminale nga një gamë e gjerë e etnive në rajon: shqiptarë, boshnjakë, maqedonas, serbë dhe malazezë.

Korrupsioni

Korrupsioni dhe ryshfeti shihen si pjesë e kostove të një organizate kriminale. Ato janë një shpenzim kryesor për të mbajtur biznesin në lulëzim. Në fakt, raportet në terren japin pasqyrë në shkallën në të cilën po jepen ryshfete si për veprën penale paraprake ose veprimtarinë e pastrimit të parave më pas.

Për shembull, intervistat e kryera rreth zonës së Gjirokastrës në Shqipëri, sugjerojnë që shumë tarifa kontrabande të paguara nga migrantët përfshijnë një kuotë për ryshfet zyrtarëve të lartë të kufirit. Aktorët e shoqërisë civile në të gjithë rajonin gjithashtu shpjeguan se dhënia e ryshfetit për zyrtarë të rangut të lartë janë praktikë e zakonshme për të marrë leje ndërtimi.

Blerja e votave

Në Shqipëri, manipulimi i votave u raportua gjatë zgjedhjeve lokale të 2016 në Bashkinë Dibër, si dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë. Aktivitetet dyshohet se përfshinin bashkëpunim me grupe kriminale për të blerë vota, frikësimin e mësuesve dhe punonjësve të tjerë të administratës publike për të votuar për partinë, kandidatët dhe ndërhyrja e policisë te votuesit e mundshëm të opozitës. Këto janë vetëm disa shembuj, por, duke pasur parasysh neglizhimin e kësaj teme në shumicën e shoqërive në të gjithë rajonin, ajo ka të ngjarë që fenomeni të raportohet në masë të madhe.

Pastrimi i parave

Midis 2017 dhe 2020, Tirana përjetoi një bum ndërtimesh dhe një rritje të çmimeve të pronave. Teksa çmimi metër katror i një apartamenti mesatar banimi në Tiranë në 2017 ishte nga 861€ në 2020 ishte pothuajse dyfish në 1400–2000€.

Në Vlorë, grupet kriminale dyshohet se kanë investuar në sektorin e turizmit, përfshirë në hotelet luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 € për metër katror në 2017 në bregdet në 1 000 € deri 1 200 € në fillim të vitit 2021. Ekspertët kanë argumentuar se kjo rritje nuk mund të shpjegohet me kërkesën më të lartë nga realiteti ose rritja e të ardhurave zyrtare, por përkundrazi drejtohet kryesisht nga paraja e gatshme nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i cili është investuar në ndërtim dhe pasuri të patundshme. Në Tiranë, aktualisht janë planifikuar projekte luksoze në qendër të qytetit të cilat nuk pasqyrojnë forcat e tregut.

Aktiviteti i ndërtimit vazhdoi gjatë gjithë vitit 2020. Në fakt, përkundër pandemisë së COVID-19, INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) regjistroi një kulm historik të sipërfaqes së miratuar përmes lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2020, më e larta që kur filloi të mbante shënime në vitin 2008. Ndërsa në vitin 2020 ekonomia shqiptare u tkurr mesatarisht me 10.2%, aktiviteti i pasurive të paluajtshme vazhdoi të rritej me 5.5%.

Trafiku i emigrantëve

Numri i emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri u rrit nga 1 978 persona në 2013 në 11 971 persona në 2020. Rritja ka qenë veçanërisht dramatike që nga viti 2018, kur u bë më e vështirë për të kaluar azilkërkuesit dhe emigrantët nga Greqia në Maqedoninë e Veriut, prandaj shtyn ata më larg në perëndim të Shqipërisë. Hyrja më e zakonshme në Shqipëri për azilkërkuesit është nga Gjirokastra dhe Korça.

1 Koment

  1. … [Trackback]

    […] Find More to that Topic: startnews.news/2021/05/14/raporti-shqiperia-rruget-nga-kalon-trafiku-i-droges-dhe-ku-pastrohen-parate-e-pista/ […]

Comments are closed.