Si u rilicensua “Regency Casino” me një prej pronarëve mashtruesin e skemës “Gulf” (Investigimi)

1
255

Nga Ola Xama

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit licensoi në shkelje të ligjit Regency Casino, ndërsa ndalimi që parashikon ligji i ri i lojërave të fatit nuk po frenon vendosjen e vrrullshme të kazinove në hotelet me 5 yje në qendër të kryeqytetit. Aksioni “Fundi i marrëzisë” nuk zbehu fenomenin e bixhozit, por duket se i ka shërbyer operatorëve të vjetër më të fuqishëm për të kontrolluar një treg që gjeneron nga 150-200 mln $ në vit.

Ishte fundi i vitit 2018-të kur kryeministri Edi Rama zyrtarizoi në Kuvend luftën e shpallur që në fillim të mandatit të tij të parë ndaj sektorit të bixhozit. Kontrolli i kazinove elektronike dhe i pikave të bastit nisi në vitin 2013 si “fundi i marrëzisë”, për të vijuar më pas me punën për hartimin e një kuadri tërësisht të ri ligjor, zbatimi i të cilit u shty disa herë, derisa në fund të vitit 2018-të qeveria mori një vendim drastik: Të mbyllë tërësisht pikat e basteve dhe kazinotë!

Për të mbështetur këtë masë radikale në opinionin publik u përdor argumenti i “plagëve të rënda sociale që kishte shkaktuar ky sektor në shoqërinë shqiptare”. Vetë kryeministri Rama tha se nuk do të lejohej licensimi i asnjë kazinoje, me përjashtim të atyre që do të vendoseshin jashtë qyteteve, në zonat turistike për investitorët e hoteleve me 5 yje:

“Nuk ka asnjë spostim në periferi, kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet apo resortet me 5 yje në zonat e definuara me vendim të qeverisë dhe të gjithë autoriteteve përkatëse të planifikimit të territorit si “zona turistike”. T’a përshpejtojmë procedurën, që sa më shpejt të mbyllet ky film dhe sa më shpejt në shtëpitë e shqiptarëve të shkojë mesazhi që ky film u mbyll!”,- deklaronte Edi Rama.

Por ndryshe nga kjo panoramë, Tirana sot ofron një realitet tjetër! Në zemër të kryeqytetit, kazinotë jo vetëm që po licensohen por ato nuk ka mundur ti ndalë as pandemia, sikurse ndodhi në shumë qytete evropiane.

Grand Casino Tirana e vendosur pranë Hotel Maritim Plaza sot funksionon edhe si një zonë lirie, ku përveç lojës mund të gjesh dhe ambientin festiv, një tabu kjo për shumë qytetarë që respektojnë masat e marra në kuadër të luftës ndaj Covid-19. Njerëz të moshave të ndryshme, duket se përveç dëshirës për të provuar fatin e tyre në lojërat që ofrojnë sallat me makina elektronike dhe tavolina loje, kanë një dritare ku mund të shijojnë ndopak dhe jetën e munguar të natës, mes pijeve dhe muzikës.

1 Koment

  1. … [Trackback]

    […] There you can find 94721 more Information on that Topic: startnews.news/2021/05/14/si-u-rilicensua-regency-casino-me-nje-prej-pronareve-mashtruesin-e-skemes-gulf-investigimi/ […]

Comments are closed.