Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Erzen Breçani të hënën është shprehur se vrasja e Kudret Saliajt mund të ishte parandaluar, nëse avokati i tij Adriatik Cama do të lajmëronte policinë në momentin kur e pa Dhurata Saliajn aty, ndërsa ishte në dijeni të vendimit për “arrest shtëpie”.
I ftuar në emisionin “Open”, Breçani theksoi se gruaja ishte në “arrest shtëpie” dhe atë ditë ajo e kishte thyer këtë vendim gjykate në bashkëpunim me të atin.
“Kemi neglizhencë edhe të avokatit sepse i ka parë personat që ishin pranë lokalit. Ai e dinte se ajo ishte në arrest shtëpie, duhet të njoftonte policinë. Avokati ka neglizhuar njoftimin e policisë dhe është plagosur. Nëse njoftonte policinë do ishte parandaluar ngjarja tragjike. Ai e di se është mbrojtës i ligjit dhe e di kur thyhet një arrest shtëpie”, tha Erzen Breçani.
Në dosjen e prokurorisë janë detajuar edhe lëvizjet e viktimës para ekzekutimit. Në orën 11:36 thonë prokurorët Kudreti shkon tek lokali, ku ishte edhe avokati i tij Adriatik Cama. Pas 10 minutash, me ta bashkohet edhe një punonjëse sociale dhe pak më pas, ne lokal futen edhe Mexhit Picari dhe vajza e tij, Dhurata.
Filmimet tregojnë se pas 48 sekondash Dhurata ndërron vend, ulet më afër Nexhipit, që nxjerr armen nga çanta e saj. Disa moment me pas, ai mbush armen, qëllon ndaj Kudret Saliajt dhe largohet. 9 sekonda më pas largohet edhe Dhurata nga lokali pasi ka parë ish-bashkëshortin e saj të ekzekutuar.
Gruaja më parë ka qenë e dënuar për dhunë në familje. Kur policia mori në pyetje fëmijët e saj ata dëshmuan në polici për kërcënimet dhe dhunën e të ëmës.
Djali i mitur i çiftit, E. Saliaj ka deklaruar se mamaja e tij nuk sillej mirë me të, e godiste dhe e kanoste me fjalët “do të vras, do të mbys me litar”. Shkak sipas tij, ishte fakti se ai ka parë mesazhe që ajo i kishte dërguar personave të ndryshëm ku shkruhej “o zemra ime, të dua shumë, kur do takohemi?”.