Lulzim Basha do të jetë kryetar i Partisë Demokratike edhe për katër vitet e ardhshme. Ai është kandidati më i votuar ndër 3 kandidatët e tjerë që e sfiduan për të drejtuar Partinë më të madhe në opozitë.
Kështu, sipas përllogaritjes së numrit të votave nga rezultatet e mbërritura nga çdo degë, konstatohet se në total ditën e djeshme votuan 40356 demokratë, të cilët kishin emrin në listën e votimeve, por edhe nga ata të cilët nuk e kishin emrin, por dispononin një kartë anëtarësie të vjetër.
Nga këto 80.00% të votave i ka marrë kryedemokrati Lulzim Basha, i cili siguron kështu votëbesimin e të djathtëve për mandatin e tretë në krye të selisë blu me 26 682 vota. Ndërkohë, si kandidati i dytë më i vlerësuar nga demokratët është Agron Shehaj. Ky i fundit mori 5186 vota ose ndryshe 15.55 % të të gjitha votave të hedhura në kutitë e votimit në 76 qendra votimi.
Ndërsa kandidatja e tretë më e votuar nga të djathtët ishte kandidatja e vetme grua, Edit Harxhi, e cila u mbështet në fushatën e saj nga grupi “Për PD” ku bënte pjesë edhe ish-Presidenti Bujar Nishani dhe Arben Imami. Harxhi rezulton se ka marrë 2.45% të të gjitha votave ose ndryshe 817 vota në të gjithë Shqipërinë. I fundit me më pak vota rezulton kandidati, i cili shpalli edhe i pari kandidaturën për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli. Anëtari i kryesisë së PD-së mori vetëm 667 vota të të djathtëve në të gjithë Shqipërinë ose e thënë ndryshe, 2%.
Kujtojmë që në total në listat e PD-së kishin emrin në fletën e votimit mbi 75063 anëtarë. Ndërkohë, kryedemokrati Basha pasi votoi, tha se procesi brenda PD-së tregon vlerat më të larta të demokracisë me të cilin do të mposht atë që ai e quan regjimi Rama-Doshi. “Këto janë vlerat tona, vlerat e demokracisë, të shprehjes së lirë, konkurrencës dhe debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin për Shqipërinë dhe shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në fund deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”, tha Basha. Në zgjedhjet e djeshme bie në sy një rëni e pjesëmarrjes së demokratëve në votime, por kjo është në përpjesëtim edhe me tkurrjen e numrit të anëtarësisë aktive në listat shumemërore të PD-së