BallinaOP EDHapje apo mbyllje 100% e listave

Hapje apo mbyllje 100% e listave

Nga Marash LOGU

Dje, Gjykata Kushtetuese publikoi dispozitivin e vendimit për shfuqizimin e pikës 3, të nenit 163 të Kodit Zgjedhor. Kjo pikë parashikonte mundësinë e marrjes së mandatit nga kandidatët, të cilët pavarësisht pozicionit të tyre në listë, kishin arritur të merrnin një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi, i cili në çdo rast nuk mund të jetë më i madh se 10.000 vota. Pika 4 e këtij neni parashikonte se këta kandidatë zëvëndësojnë kandidatët në listën fituese me numrin më të vogël të votave parapëlqyese. Pika 6 parashikon se pasi bëhet zëvëndësimi sipas pikave 3 dhe 4, shpërndarja e mandateve vijon sipas renditjes në listë.

Pra, neni 163 i Kodit Zgjedhor ka parashikuar dy mekanizma për marrjen e mandatit të deputetit: (i) mekanizmi i “herësit”; dhe (ii) mekanizmin e “listës fituese”. Mekanizmi i “herësit” ka përparësi ndaj “listës fituese” sepse pavarësisht se një kandidat mund të jetë në listë fituese, ai mund të zëvëndësohet nga një kandidat që ka “thyer” herësin, nëse i pari ka numrin më të vogël të votave parapëlqyese. Siç shpjeguam edhe më lart, dje Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e mekanizmit të “herësit”, çka do të thotë se mekanizmi i vetëm për të fituar një mandat deputeti mbetet “lista fituese”. Ndryshe pra, nga sa u interpretua gjërësisht në media, mendoj që vendimi i djeshëm nuk i hap listat. Përkundrazi.

Ky lexim i vendimit mbështetet edhe në jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës kjo e fundit nuk krijon norma të reja, pra nuk merr funksionin e ligjvënësit. Në doktrinën franceze, Këshilli Kushtetues njihet ndryshe edhe me konceptin “legjislatori negativ”, në kuptimin që ai nuk nxjerr norma të reja, por vetëm mund t’i shfuqizojë ato. Hapja e listave me 100% pra, siç aludohet në opinionin publik të ketë ndodhur, do të ishte një normë e re në Kodin Zgjedhor, me autor Gjykatën Kushtetuese, çka do të thoshte se kjo e fundit ka marrë tagrat e legjislatorit.

Një tjetër element që duhet pasur në vëmendje është se Gjykata përdor termin “shfuqizim”, jo “konstatim” ose “anullim”, çka do të thotë se në çdo rast ky vendim do të prodhojë efekte vetëm për të ardhmen dhe jo shpërndarjen aktuale të mandateve.

Megjithatë, hapja apo mbyllja me 100% e listave, mbetet për t’u parë pasi të zbardhet vendimi i arsyetuar i Gjykatës. Këtu lind nevoja edhe për një kritikë a sugjerim për Gjykatën Kushtetuese, e cila me njoftime të tilla si ajo e djeshmja, krijon veçse amulli në opinionin publik. Prandaj, do të ishte mirë që në vijim, Gjykata, nisur edhe nga praktika e Gjykatës eë Strasburgut, njoftimet e vendimeve të saj t’i bënte nëpërmjet një deklarate për shtyp (press release) që përmban shkurtimisht faktet, pretendimet e palëve, përmbledhje të arsyetimit dhe dispozitivin e vendimit. Kjo do t’i shërbente transparencës, por edhe informimit të shëndoshë të opinionit publik.

Përndryshe, vendime me sensibilitet të lartë mund të marrin trajta, të cilat do ta vendosnin Gjykatën nën presionin e dëmshëm të opinionit publik dhe mediatik, siç besoj është edhe rasti i vendimmarrjes së djeshme.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular