BallinaKryesoreGëzim Zilja: Vlora nën pushtetin e grabitqarëve dhe të varfërisë

Gëzim Zilja: Vlora nën pushtetin e grabitqarëve dhe të varfërisë

Nga Gezim Zilja

Kryeministri në piskun e vapës dhe të sezonit turistik me sejmenët e tij, vizitoi ditë më parë punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor Kulaçi i Skelës- Port (Kalata lindore) të kthyer në një kantier zhavori e gurësh. Përmendi për të njëqindën herë Parkun Muzeal, që nuk ka asnjë lidhje me Shtëpinë Muze të Pavarësisë. Segmenti rrugor, Rrethrrotullimi Skelës (Kulaçi) – Port (Kalata Lindore) ishte për bukuri dhe u rehabilitua me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë me rrugë të asfaltuara paralele, (hyrje-dalje) e trotuarë të gjerë, shtruar me pllaka të kushtueshme. Midis rrugëve paralele u ndërtuan disa shatërvanë ku qindra banorë, sidomos në verë, kalonin aty kohën ulur në stola, bordura dhe fëmijët luanin me skutera e biçikleta deri afër portit. Në qendër u vendos shtatorja e Isa Boletinit, e punuar në bronz, që të kujtonte se diku aty fshihej Shtëpiza Muze e Pavarësisë. Pamja e re pas rehabilitimit  përballoi me sukses festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë. Tetë vjet më vonë (viti 2021), fadromat e buldozerët e ‘Rilindjes’ shkatërrojnë  e shkallmojnë nga themeli çdo gjë (nuk dihet se ku është zhdukur shtatorja e Isa Boletinit) dhe fillon ri-rehabilitimi sipas planit ‘rilindas’, duke hedhur në erë paratë e shpenzuara tetë vjet më parë. Kjo rrugë të çon në port, pronë e dhënë me PPP, për tridhjetepesë vjet.

“Porti, pronë e dhënë me PPP për tridhjetepesë vjet. Vlonjatët duhet të kujtojnë se për modernizimin e tij, në gjashtë vjet, janë harxhuar plot 15 milionë euro. Tashmë aty po bëhen gati të hapen gropat për grataçielat që do të pushtojnë sipërfaqen prej 5ha që është tokë publike!

Në vitin 2018 në kuadrin e rehabilitimit të bulevardit Vlorë-Skelë (Edhe ky i rehabilituar në 2012) shqepet e shkallmohet nga themeli gjithë pjesa: kthesa e Lungomares-Rrethrrotullimi i Skelës (Kulaçi), Vlorë. Kjo pjesë u zgjerua, u shtruan me pllaka të reja trotuarët, u asfaltua rruga, duke u ndarë në dy korsi të ngushta (shpikje e ‘rilindjes’) por nuk u prish lulishtja nga ana e Universitetit me emrin simbolik: Lulishtja e Shkrimtarëve, një vend i këndshëm plot pemë e gjelbërim. Pa kaluar dy vjet, për të tretën herë brenda tetë vjetësh, gjithë segmenti Kulaç-Port, shkallmohet sërish dhe sot, fadromat e buldozerët e ‘rilindjes’ vazhdojnë të punojnë  në këtë segment, duke fshirë nga faqja e dheut shatërvanët, me mjediset shlodhëse, pjesën më të madhe të pemëve e lulishtes plot gjelbërim të Shkrimtarëve, duke e mbathur me hekur e beton. Në vend të shatërvaneve janë ndërtuar tre rrathë betoni (petullat e kryeministrit, thonë vlonjatët) nga të cilët, në atë të mesit  me diametër 50 m, po mbillen pemë vendi (pisha) që do të mbushen me zogj këngëtarë të ardhur nga pyjet e Kolumbisë e të Brazilit. Nga kthesa e lungomares deri të Kulaçi, po shfaqen në gjatësinë rreth pesëdhjetë metra, ca kollona betoni (jo pavijone për të plotësuar Shtëpinë Muze) që thuhet se do të ekspozohen pikturat e kryeministrit. Vlonjatët ndërkohë i kanë quajtur: Koçekët e Rilindjes. Pyetja e parë është: Pse shkatërrojnë atë që vetë kanë ndërtuar e inauguruar gjatë tetë viteve me projekte “madhështore,” duke harxhuar miliona euro? Tre vjet më parë Kryeministri inauguroi Bulevardin, Vlorë-Skelë e mburrej, e mburrej duke hequr zvarrë brekushet e stilit otoman. Sot kryeministri me po ato brekushe, por me sejmenë nga kryeqyteti, shkallmon  atë që u ndërtua e inaugurua prej tij, dhe vjen shikon punimet e reja që po kryhen. Shkurt për të njejtin segment Kulaç-Port (250m) janë shpenzuar 70 milionë lekë të reja (shifër e saktë) në vitin 2012, shumën për vitin 2018 nuk munda ta gjej, dhe tenderi i vitit 2020, plot (shifër e saktë) 615 milionë lekë të reja. Po të mendosh që Vlora thahet për një pikë ujë në verë, dhe lagjet e zonat e fshatrat përreth e mbartin ujin me gomerë e karro si dikur, këto prishje e ndreqje, janë vepër kriminale. Nëse flasim për Kontroll të Lartë të Shtetit, ky duhet menjëherë të hetojë për këtë batërdi. Dukuri të tilla qep-shqep, duke shpërdoruar e vjedhur miliarda lekë, kanë ndodhur dhe në Berat, Tiranë, Durrës e gjetkë.

“Fadromat e ‘Rilindjes’ shkatërrojnë  nga themeli çdo gjë (nuk dihet se ku është zhdukur shtatorja e Isa Boletinit) dhe fillon ri-rehabilitimi sipas planit ‘rilindas’, duke hedhur në erë paratë e shpenzuara tetë vjet më parë.”

Meqënëse jemi te porti, vlonjatët duhet të kujtojnë se për modernizimin e tij në gjashtë vjet, janë harxhuar plot 15 milionë euro. Tashmë aty po bëhen gati të hapen gropat për grataçielat që do të pushtojnë sipërfaqen prej 5ha që është tokë publike!? Tragetet e anijet e pakta tregëtare, ndërkaq do të ankorohen e përpunohen në kalatat e Zvërnecit, ku shkarkohen anijet e karburanteve me benzol avionash, naftë, benzinë e gasoil në rezervuarët gjigandë. Në këto kalata është e ndaluar me ligj të  ankorohen anije të çdo lloji tjetër, për vetë rrezikshmërinë që paraqesin lëndët djegëse. Tjetra është se, në gjithë botën e qytetëruar, tragetet nuk ankorohen jashtë qyteteve, po brenda tyre, në të ashtuquajturat skela të trageteve. Po ‘rilindasve’ as u kërcet fare për ligje kombëtare e ndërkombëtare. Ata po e shndërrojnë sheshin e portit në “piazza pulita” e presin me padurim të fillojnë ndërtimet e parashikuara që do të sjellin miliarda fitime. Nuk u shkon mendja që gjithë kjo sipërfaqe publike të vihet në funksion të Shtëpisë Muze  dhe të ndërtohet një Park gjigand si dikur Parku Rinia, plot vepra arti, fusha të vogla sportive, gjelbërim e pemë pa kufi. KJO SIPËRFAQE është shpresa e fundit për qytetin PËR TË PASUR NJË PARK, që të prehen e shëtisin të paktën pesë mijë qytetarë njëherësh. Madje në krah të Kalatës Perëndimore, duhet të kthehen e ankorohen anijet e peshkimit, krenaria e Vlorës dikur, tashmë të degdisura 20 km larg portit; aty të ngrihet një merkato moderne peshku, si e kanë gjithë qytetet-port. Në akuariumin midis dy kalatave,  kurrë nuk kanë për t’u ankoruar 400 veliera e jahte, për njëmijë arsye, veç nja dhjetë-pesëmbëdhjetë anije pasagjerësh të lodhura, që hiqen osh e branë muajt e verës në intenerarin Port- Karaburun- Sazan e kthim. Kryeministri shqiptar herë me brekushe turke e herë me tirqe jugu, viziton Vlorën, duke e paraqitur si një nga sukseset më të mëdha të tij. Në Vlorë janë hedhur miliarda lekë dhe shifra e saktë asnjëherë nuk është deklaruar. Pas nëntë viteve, duke u mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, Vlora është qyteti me papunësinë më të madhe në Shqipëri dhe të ardhurat për frymë të qytetarëve janë më të ulta se tetë vjet më parë. Largimi jashtë shtetit, (emigrim quhet) po ashtu është më i larti në Shqipëri dhe me këto ritme qyteti po rrudhet, mpaket e  plaket dita-ditës. Investimet e ‘rilindjes’ në këtë qytet jo vetëm që janë vjedhur në përmasa të frikshme, por nuk kanë dhënë përfundimin që trumbetojnë ‘rilindasit’. Qytetarët, veçanërisht rinia vlonjate, po e braktisin çdo ditë këtë qytet të bekuar për bukuritë e tij, për shkak të varfërisë, papunësisë e pasigurisë.

“Qytetarët, veçanërisht rinia vlonjate, po e braktisin çdo ditë këtë qytet të bekuar për bukuritë e tij, për shkak të varfërisë, papunësisë e pasigurisë.”

Petullat e Kryeministrit. Fillimisht vlonjatët i quajtën “rrutullamet” e kryeministrit. Tashmë që u shumuan i quajnë petullat e kryeministrit. E para, një rreth i madh betoni me diametër 10m, vendosur mbi një shtyllë, qëndron në ajër, midis dy pallateve në Skelë. Petulla e dytë, po prej betoni e hekuri, u ndërtua si pjesë e lungomares brenda në det, në distancë rreth 30 m larg nga bregu, ku dukej në 3D i parkuar një helikopter ngjyrë bizhdollani. Mirëpo petulla prej betoni në ujë, nuk ndërtohen nga njerëz të paditur (ndryshe injorantë), mburravecë, e të babëzitur për para. Pas një viti e gjysmë, petulla (pista e elikopterëve) u zhduk nën ujë dhe detyrimisht paratë e shpenzuara, shkuan për lesh. Në gjithë harkun që inxhinierët budallenj ndërtuan shkallë sinusoidale, deti e ka mbushur dhe aty është formuar një plazh i vogël rëre rreth 5.000 m2 i frekuentueshëm, që zgjerohet në drejtim të kanalit të ujrave të zeza. Tre petullat e tjera janë në ndërtim e sipër….

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular