BallinaKryesore“O mirë se na erdhe”, dasma e çdo shtëpie dernjane

“O mirë se na erdhe”, dasma e çdo shtëpie dernjane

spot_img
spot_img

Nga Mina HYSA

Më 1 gusht, në një krahinë historike të Dibrës, dhjetëra kilometra nga qyteti i Peshkopisë është mbajtur një eveniment i rëndësishëm. Siç di kjo krahinë, banorët e saj, që çdo eventi i japin bukurinë që i takon dhe vendin që meriton, kjo ngjarje kërkon vëmendje dhe reflektim të thellë.
Ishte një takim i një përmase krejt të veçantë. Krahina e Dardhës kishte në sofër më shumë se në një ditë të zakonshme bijtë dhe bijat e saj, por nuk i munguan as miqtë e shumtë. Një dasmë e madhe u organizua në qendër të saj, në Zall-Dardhë.
Çfarë dite e mrekullueshme ishte e diela e parë gushtit të vitit 2021, kur së bashku me motrat dhe vëllezërit që punojnë, jetojnë dhe gjallërojnë në ato troje të bukura, të lashta dhe begata, u mblodhën edhe dernjanët shtegtarë. Shkuan nga nga Tirana, Durrësi, Kamza, Lezha, diaspora etj., me apo pa ftesë në këtë dasmë të madhe për çdo shtëpi dernjane, një dasmë e cila duhet ta mbajë pishtarin ndezur përjetësisht!  Formalisht, Këshilli Bashkiak dhe Bashkia Dibër kanë marrë një vendim për organizimin e festës së përvitshme të Dardhës e cila do të zhvillohet çdo vit me 1 gusht në Zall-Dardhë, sepse dernjanët festë, gëzim dhe hare kanë çdo ditë. Kjo u gëlon në shpirtin e tyre. Ata që kanë lindur dhe janë rritur në Dardhë, veç trimërisë dhe mençurisë, kanë të kultivuar në genet e tyre edhe atë të qenit artist. Harenë dhe gëzimin e gjen kudo, thuajse në çdo shtëpi, e kanë trashëguar dhe në shtegtimin e tyre te brezat duke u folur me krenari nipërve dhe mbesave për Dardhën historike dhe atë artistike.
Për t’u rikthyer sërish tek 1 gushti, një iniciativë kjo e ansamblit artistik “Kuvendi Zall-Dardhë”, propozimi dhe caktimi i një date të caktuar nga autoritetet vendore duhet përshëndetur sepse është një shtysë më shumë për ne shtegtarët për t’u organizuar më mirë dhe më shumë, që kjo festë, kjo dasmë e madhe dernjane të jetë sa më e madhe dhe e hareshme nga viti në vit.
Në këtë shkrim nuk dua të ndalen në emra, sepse Dardha në fushën e artit ka artistë të përmasave të jashtëzakonshme kombëtare e ndoshta pa dashje dhe mund të gaboj, por iniciatori i caktimit të kësaj date, Neshat Ndreu, meriton një falënderim. Ky falënderim do të ishte dhe do të jetë për gjithsecilin dernjan që do ta ndërmerrte këtë nismë apo do të marrë të tjera nisma po kaq të bukura në të ardhmen. Më 1 gusht, Zall-Dardha gumëzhiu nga daullet, klarineta, çiftelia, zërat melodiozë të këngëtarëve të shkëlqyer të kësaj krahine me të cilët mburret Dibra dhe Shqipëria. Zbritën në skenën e improvizuar, këngëtarët dhe valltarët dernjanë të cilët, në fakt, me talentin dhe emocionet që bartën në këtë ditë, ditën shumë mirë të shkëlqejnë duke u kthyer pas dhe në kujtimet e tyre aty ku janë rritur dhe nisën talentin në livadhet e shtëpive të tyre, aty ku janë vrarë e ndoshta kanë qarë, aty ky kanë qeshur, ku janë gëzuar dhe hidhëruar, në Dardhën e bukur.
E diela e parë e gushtit ishte provimi ndoshta më i vështirë për artistët dernjanë, sepse kësaj here “juri” ishin të gjithë bashkëfshatarët e tyre artistë, të cilët kënduan, vallëzuan dhe gëzuan me ta.
Zall-Dardha është një akademi e vërtet kulture. Ka prodhuar një armatë të madhe talentesh të cilët janë ngjitur në skenat më të mëdha të botës duke performuar dhe madje marrë edhe çmime dinjitoze. Artistët me origjinë nga Dardha, si kompozitori i mirënjohur Muharrem Xhediku, si dhe Hazis Ndreu, Liri Rasha, Caje Poleshi, Sherif Dervishi, Shaban Mziu, janë një aset i jashtëzakonshëm i kulturës shqiptare. Mirënjohje nga çdo dernjan meritojnë ata që themeluan ansamblin “Kuvendi” e që e pasuan nga brezi në brez duke prodhuar ndër vite talente në këngë dhe valle deri tek i fundmi, Xhelal Çerpja, i cili deri ditën e fundit të jetës u përpoq t’i mbante të parëna themelet e Shtëpisë së Kulturës Zall-Dardhë. E mbaj mend shumë mirë duke qenë se vinte në shkolla dhe kërkonte të zbulonte talente dhe njëri prej tyre për pak herë që u ngjita në skenë isha dhe unë. Shihja pasionin, energjinë e Xhelalit për të kultivuar talente të cilat thjesht do të trashëgonin historinë e pasur të Dardhës në art dhe kulturë. Talentet nuk mungonin, thjesht duheshin evidentuar e për këtë duhej punë. Nuk shërbenin vetëm shkollat, mjaftonte të merrje pjesë në një dasmë dernjane dhe aty shihje qartë që kishe të bëje më një ansambël të vërtet artistik.
Në çdo fis kishte këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë, e kështu hareja ishte e sigurt. Me vonë gjërat u zbehën disi. Dardha u zbraz, talentet u shpërndanë. Ndaj, 1 gushti kjo ditë rimbledhje e të gjithëve në Dardhë le të jetë një thirrje, le te jetë një ditë e shënuar, pse jo, ditë pushimi për dernjanët edhe kur nuk bie e shtunë ose e diel, të mblidhen në tokën amë e të risjellin kujtimet më të mira, gëzimet që kishin në dyert e shtëpive të tyre dhe, pse jo, të kujtojnë me mall edhe ata që u mungojnë e prehen atje. Qerim Sula i prehur në Zall-Dardhë u kërkoi kolegëve të gjëmonin me këngën, instrumentistëve t’u bien sa më shumë daulleve dhe çiftelive, kërkoi ta nderonin në skenë që të ndihet krenar. Sherif Dervishi “u kërkoi ndjesë” nga lart dhe larg që nuk ndodhej mes kolegësh dhe vëllezërish dernjanë, ai është me ta në këto troje që aq shumë i deshi dhe këndoi për to. “Apeli” i dy artistëve brilantë që sot nuk ndodhen mes nesh, që Zoti na i mori pranë vetes është edhe më i fuqishëm për talentet e reja të Dardhës, si Bledar Kaca, Rrushdi dhe Gentian Dervishi si dhe Mentor Topuzi, të cilëve sot u mbetet si “detyrë” jo vetëm të spikasin, por edhe të trashëgojnë ndër breza muzikën e anëve tona, atë muzikë që një dernjan e qetëson sa herë ndihet i lodhur. Një këngë dernjane është relaks, është energji për secilin nga ne, është motivi që të ngre humorin sa herë e ke humbur atë, është himni ynë, është melodia që të çon në rrugën e duhur.

“O mirë se na erdhe”, është një këngë jona e krahinës nga vijmë, e bijës sonë e cila ndonëse në repertorin e saj nuk shënon ndonjë rekord këngësh si numër, por ama me çfarë ka performuar në skenë, ka mbetur një ikonë e muzikës shqiptare. Ndaj, sikurse kënga “O mirë se na erdhe” ka jehonën e saj në gjithë Shqipërinë, edhe kjo festë të skalitet mirë tek të gjithë ne, të marrë jehonën dhe nga dasma e çdo shtëpie dernjane të jetë dasmë në çdo shtëpi dibrane dhe, pse jo, në atë shqiptare.
Le të organizohemi që çdo 1 gusht të festojmë në Zall-Dardhë dhe nga viti në vit të jemi sa më shumë në vendlindjen tonë dhe të kemi sa më shumë miq të ftuar për të promovuar dhe trashëguar kulturën tonë të lashtë, të vyer, këtë thesar dernjan, dibran dhe shqiptar, për të cilin duhet të ndihemi krenarë. Detyrë e gjithsecilit është që ta mbështesim këtë nismë dhe, pse jo, të promovojmë edhe të tjera nisma në dobi të Dardhës. Gëzuar!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular