BallinaKryesoreHetimi për “Patronazhistët”, shembull i kapjes së shtetit

Hetimi për “Patronazhistët”, shembull i kapjes së shtetit

Mbyllja e hetimeve administrative të ‘Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale’ mbi skandalin e pagëzuar tashmë me emrin ‘Patronazhisti’ kaloi pa zhurmë me vapën e gjysmës së dytë të muajit gusht. Por Rekomandimi nr 44 ‘Për Kontrolluesin Partia Socialiste e Shqipërisë’ që pasoi këto hetime nuk mund të pranohet në heshtje. Ky Rekomandim ilustron qartë një nga problemet më të mëdha që pengojnë vendosjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri – kapjen e institucioneve të pavarura dhe zellin e këtyre institucioneve për t’i shërbyer interesave të Partisë në pushtet.

Duke u munduar të deshifroj këtu një dokument kontradiktor dhe të paqartë, po paraqes një përmbledhje të shkurtër të gjetjeve të Komisionerit. Qëllimisht gjuha e pëdorur është shumë afër gjuhës së vet dokumentit – pasi kështu del më mirë në pah fryma e tij.

Nga hetimi administrativ është konstatuar se ekzistojnë dy baza të dhënash në serverin e instaluar lokalisht në selinë e Partisë Socialiste (PS). Një bazë të dhënash i përket anëtarësisë së PS dhe baza tjetër i përket listës së zgjedhësve të Bashkisë së Tiranës. Baza e dytë e të dhënave kombinon të dhëna të marra në mënyre të ligjshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me të dhëna të shtuara nga Patronazhisti. Ky i fundit, në bazë të një Udhëzimi të Brendshëm të Partisë të datuar 11.1.2021 ka shtuar në bazën e të dhënave, për zgjedhësit që i janë lënë nën patronazh, numrin e telefonit si dhe të dhëna mbi anëtarësinë në parti dhe preferencat politike, të dhëna këto të cilësuara nga ligji si sensitive dhe që nuk dihet se si i ka grumbulluar. Gjithashtu, duke krijuar rubrikën ‘Rekomando shokun tënd’, web-faqja ps.al ka mundësuar një mekanizëm që mbledh të dhëna personale për qëllime të organizimit politik (emër, mbiemër, adresë email, numër telefoni) pa pëlqimin e subjektit.

Në vend të një interpretimi juridik të këtyre gjetjeve, Komisioneri del në përfundimin se: “Faktet dhe rrethanat e hetimit administrativ nuk krijojnë kushtet për të evidentuar dhe provuar, në terma dhe hapa konkretë hetimor, krijimin dhe përdorimin e Bazës së të Dhënave nga asnjë subjekt hetimi administrativ”. Pra fakti që një bazë të dhënash personale e sensitive ndodhet në serverin lokal të PS-së dhe që pasurimi i të dhënave është bërë në bazë të një urdhëri të brendshëm të partisë si dhe fakti që është krijuar një mekanizëm për mbledhjen e të dhënave personale sensitive të individëve, nuk mjaftojnë. Për Komisionerin, mosekzistenca e një baze të dhënash të ngjashme në asnjë territor tjetër të organizimit politik e përjashton PS-në nga dyshimi për autorësinë (?). Por në vijim, Komisioneri nuk përjashton mundësinë që për shkak të ngjashmërive të të dhënave, baza të jetë krijuar dhe përdorur nga nivele lokale organizimi politiko-zgjedhor dhe/ose organizime apo struktura të kandidatëve të veçantë. Sa më sipër, nuk ka nevojë për komente sqaruese. Është në kufirin midis teatrit absurd dhe komedisë.

Më tej, duke ngatërruar qëllimisht krijimin dhe përdorimin e bazës së të dhënave me rrjedhjen e saj nga patronazhistë apo persona te tjerë, Komisioneri gjen se: (i) mund të kemi të bëjmë me një përdorim te paautorizuar në tejkalim të qëllimit të përpunimit; (ii) mund të kemi të bëjmë me mungesë të masave tekniko-administrative; (iii) ka një mangësi në nivel njohurish dhe, (iv) nuk janë marrë masa konkrete për trajnimin e punonjësve (pra Patronazhistëve).

Në përfundim, shkelja e ligjit dhe Kushtetutës me një Udhëzim të brendshëm të Partisë mbulohet si injorancë ndaj ligjit dhe lehtësohet nga “angazhimi serioz për të rekuperuar mangësitë e konstatuara”. Zelli për të mbrojtur këto shkelje vete deri aty sa Komisioneri mundohet të marrë një pjesë të fajit mbi vete duke theksuar se po rishikon Udhëzimin e vitit 2013 për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të fushatës zgjedhore “në mënyre që të artikulojë edhe më qartësisht e konkretisht përgjegjësitë e subjekteve politike”.

Në mbyllje të këtij hetimi që fakton shkeljen e të drejtave themelore të qytetarëve, Komisioneri mjaftohet me katër rekomandime që thjesht i kërkojnë Partisë në pushtet të lexojë më mirë ligjin në të ardhmen. Në këtë mënyrë, përveçse konfirmon që autoritetet e pavarura, ngelin të tilla vetëm në letër, Komisioneri krijon edhe një precedent jo pak të rrezikshëm. I ndërron kuptimin parimit të famshëm Romak që është një nga pilarët e çdo shteti të së drejtës sot: ‘Ignorantia legis non excusat’ ose që mosnjohja e ligjit nuk mund të përdoret si justifikim për shkeljen e tij. Gjithashtu, ky Rekomandim hap edhe një diskutimin të ri në rrafshin politik – n.q.se zelli për të mbyllur shpejt hetimet duke e nxjerrë përgjegjësin moralisht të pastër i bën një nder apo dëm këtij të fundit.

A është më mirë për një parti që është për të tretën herë radhazi në drejtim të një shteti të cilësohet si shkelëse e ligjit në një rast të veçantë apo si injorante e ligjit dhe Kushtetutës? ©lapsi.al

Autorja është As/Profesor në të Drejtën e Teknologjisë dhe të Drejtat e Njeriut, Universiteti i Groningenit, Hollandë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular