BallinaBotaTajvani nxjerr ushtrinë në rrugë: Nuk do t’i përulemi presionit të Kinës

Tajvani nxjerr ushtrinë në rrugë: Nuk do t’i përulemi presionit të Kinës

“Tajvani nuk do t’i përulet presionit nga Kina dhe do të mbrojë demokracinë e vet”, tha Presidentja Tsai Ing-wen në një fjalim sfidues mes tensioneve të rritura mbi ishullin.

Deklaratat e saj në Ditën Kombëtare të Tajvanit erdhën pasi Presidenti i Kinës Xi Jinping u zotua të “përmbushë ribashkimin”.

Kina denoncoi fjalimin e zonjës Tsai, duke thënë se ajo “nxiti konfrontim”. Tajvani e konsideron veten një shtet sovran, ndërsa Kina e shikon atë si një provincë të shkëputur.

Pekini nuk ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për të arritur bashkimin. Kina ka dërguar një numër rekord avionësh ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit ditët e fundit. “Tre aeroplanë kinezë, përfshirë dy avionë luftarakë, kaluan në zonë të dielën”, tha ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.

Tsai u rizgjodh presidente vitin e kaluar me premtimin për t’i bërë ballë Pekinit. Në fjalimin e saj të dielën, ajo tha se Tajvani “qëndronte në vijën e parë të mbrojtjes së demokracisë”.

Ajo tha se ishulli nuk do të “veprojë me nxitim”, por do të forcojë mbrojtjen e tij për të “siguruar që askush nuk mund ta detyrojë Tajvanin të marrë rrugën që Kina ka vendosur për të”.

Ajo rrugë, tha ajo, nuk ofron “as një mënyrë jetese të lirë dhe demokratike për Tajvanin dhe as sovranitet” për 23 milion njerëzit e saj.

“Sa më shumë që arrijmë, aq më i madh është presioni me të cilin përballemi nga Kina”, tha ajo.

Ajo shtoi se fluturimet ushtarake të Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit kishin ndikuar seriozisht në sigurinë kombëtare dhe sigurinë e aviacionit dhe e përshkroi situatën si “më komplekse dhe më fluide se në çdo pikë tjetër në 72 vitet e fundit”.

Tsai gjithashtu përsëriti një ofertë për të folur me udhëheqësit kinezë në mënyrë të barabartë, një sugjerim që Pekini, i cili e quan atë një “separatiste” deri më tani e ka refuzuar.

Fjalimi i saj u pasua nga një fluturim i avionëve luftarakë tajvanezë.

Ribashkimi nuk mbështetet as nga qytetarët tajvanezë, që thonë se totalitarizmi në Kinë është rritur ndjeshëm nën drejtimin e Xi Jinping dhe ky nuk është momenti i përshtatshëm për t’u bashkuar me të.

Të shtunën, Presidenti kinez Xi tha se bashkimi duhet të arrihet në mënyrë paqësore, por paralajmëroi se populli kinez kishte një “traditë të lavdishme” të kundërshtimit të separatizmit. “Detyra historike e ribashkimit të plotë të atdheut … patjetër do të përmbushet,” shtoi ai.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular