Mbrëmja e djeshme në kryeqytet shënoi një tjetër ngjarje të rëndë me ekzekutimin mafioz të dy personave.
Erigers Mihasi dhe Armando Dumani mbetën të vrarë pasi u qëlluan me armë teksa ndodheshin në makinë.
BW raporton se vrasja dyshohet të jetë kryer nga autorë me pagesë, ndërkohë që po kryhet ekspertimi balistik i armëve të gjetura në makinën e djegur.
Dyshohet se në vrasje është përdorur dhe një mjet tjetër që ka larguar autorët nga Thumana, ku u gjet e djegur makina e përdorur nga ta. Policia ka shoqëruar disa persona, kryesisht lidhje të dy viktimave, por edhe persona që mund të kenë dijeni për krimin.
Ndërkohë që dyshohet se ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në rolin e vëzhguesve.
Policia po heton intensivisht për zbardhjen e krimit të dyfishtë që ndodhi dje në zonën e Astirit, ndërsa pista kryesore është ajo e së kaluarës së dy viktimave, të cilët rezultojnë persona me të shkruar kriminale dhe të përfshirë në disa krime.