KLSH nis hetim për mbylljen e jetimoreve, pritet të kalojnë në skaner të gjitha procedurat e projektit të Ministrisë së Shëndetësisë

0

Kontrolli i Kontrolli i Lartë i Shtetit ka reaguar mbi shqetësimin e ngritur nga punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë për mbylljen e këtij institucioni, duke njoftuar nisjen e hetimeve. Auditi ka nisur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social, ku do të kalojë në skaner e gjithë procedura e ndjekur në zbatim të projektit “Për deinstitucionalizimin e institucioneve 2020-2021”.

KUJDESTARET

Ishin kujdestaret e jetimores ato të cilat ngritën shqetësimin mbi urdhrin e ministrisë për përshpejtimin e procedurave të birësimit dhe në rastet kur kjo nuk do të ishte e mundur, kthimin e fëmijëve të dhunuar pranë familjarëve të tyre biologjike. Punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë thanë se prej disa muajsh nuk po pranojnë më fëmijë, kjo për shkak se u është kërkuar që të boshatisin qendrën deri në fund të muajit dhjetor. Por ky ngut në zbatimin e projektit e bën të pasigurt të ardhmen e fëmijëve, kjo jo vetëm në rastin e birësimeve, por edhe atëherë kur merret vendimi për kthimin e të vegjëlve pranë familjeve të tyre biologjike. Kjo jo pa shkak, duke qenë se në pjesën dërrmuese fëmijët që sistemohen në jetimore janë fëmijë të dhunuar. Në këto kushte, rikthimi i tyre pranë familjeve biologjike do të vinte në pikëpyetje sigurinë e tyre. Kjo gjë konfirmohet edhe nga punonjëset e këtyre qendrave, të cilat kanë pohuar se kanë trajtuar fëmijë që vinin nga trauma të rënda familjare duke përmendur raste edhe të fëmijëve që vijnë nga prindër përdhunues. Sipas tyre, i gjithë procesi është mbajtur i fshehtë dhe aktualisht askush nuk ka dijeni për si do të procedohet në janarin e vitit 2022. Aktualisht, Shtëpia e Fëmijës në Vlorë ka 13 fëmijë të grupmoshave nga 0 deri në 5 vjeç.

PROJEKTI

Por çfarë parashikon projekti i Ministrisë së Shëndetësisë? Përveç ngritjes së klasave të prindërimit, parashikohet edhe garantimi i mbështetjes sociale dhe financiare për familjet që do të marrin në kujdestari të vegjlit. Por zbatimi i këtyre lehtësirave kërkon kohë, ndaj edhe ngutja për vënien në zbatim të projektit nuk bën gjë tjetër veçse i ekspozon këta fëmijë përballë rreziqeve nga më të ndryshmet, që nga kushtet për ushqim e deri te rreziku për t’u bërë viktima të dhunës apo abuzimit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.