Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha nga foltorja në Burrel lidhur me çështjen e Toyota Yaris.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Basha shkruan se këto janë akuza të njëjta me ato që i bëri një javë më parë kryeministri Rama në parlament.
Basha thotë se i përgjigjet në të njëjtën mënyrë siç iu përgjigj kreut të qeverisë. Kujtojmë se gjatë seancës parlamentare, Basha tha se ka dëshmuar për hetuesit belg, dhe se dëshmia e tij ndodhet në SPAK.
Kreu i PD-së, i ka cilësuar akuzat e Berishës si trillime dhe sulme identike të kundërshtarit.
Postimi i Lulzim Bashës:
Çfarë keqardhje ta shohësh Sali Berishën të bjerë poshtë e më poshtë çdo ditë me trillimet dhe sulmet identike si të kundërshtarit. Ajo që deklaroi Sali Berisha sot është ekzaktësisht ajo për të cilën më akuzoi Edi Rama javën e kaluar. Përgjigjja ime ndaj Sali Berishës është e njëjta që i dhashë Edi Ramës. Asnjë trillim nuk do ta shndërrojë PD në mburojë të interesave personale.
Nga foltorja në qytetin e Burrelit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kreu i PD, është shprehur se ka pasur dijeni për hyrjen e mjeteve Toyota Yaris me 5 mln euro brenda në Shqipëri. Sipas Berishës, kur erdhën makinat, brenda tyre kishte 3.5 mln euro, duke hedhur dyshime se ato mund të jenë përvetësuar nga Basha.
Ish-lideri demokrat i bën thirrje Bashës që të sqarojë për shqiptarët nëse ka ndarë para me Taulant Ballën lidhur me këtë çështje.