Kryeministri Rama e quajti tragjikomike atë që po ndodh me Partinë Demokratike pas shpalljes non grata të Sali Berishës nga SHBA. Rama tha se ishte e rëndë ajo që kishte ndodhur për karrierën politike të Berishës, por akoma më e rëndë ishte fakti që “të ketë jehonë një marrëzi e natyrës që kjo që ndodhi është konspiracion i Sorosit apo forcave të tjera dhe Departamenti i Shtetit Amerikan paska vepruar në presion të një force të jashtme, kjo është çmenduri” tha Rama.
I pyetur se në përplasjen Berisha-Basha ishte përkrah njërit apo tjetrit, Rama tha se kishte vendosur me veten të mos e komentonte historinë e Sali Berishës.
“Me kë jam unë? Unë nuk jam me asnjërin se megjithëse janë tipologji të ndryshme, në thelb janë e njëjta gjë. Kam marrë një vendim me veten. Të mos e komentoj historinë e Saliut. është shumë më e rëndë se ç’duket për vendin tonë, Një njeri që ka pasur për 30 vjet të gjitha, që mund të ketë qenë president, kryeministër, lidershipin e një prej dy partive kryesore, shpallet non grata nga një vend strategjik për Shqipërinë, pra nuk është një vend që ka marrëdhënie të dyshimtë me SHBA, dhe banalizimi ekstrem që i bëhet dhe relativizimi banal që i bëhet, si produkt konspiracionesh etj etj,,, është shumë e rëndë kjo për Shqipërinë. Dhe vënia në diskutim e faktit që kjo gjë e rëndë, nga një gur në qafën e një njeriu, prandaj nuk e kam komentuar se është fatkeqësi që një karrierë politike të përfundojë me një gur në qafe dhe nga qafa e një njeriu kthehet në gur në qafën e një vendi, është e tepërt.
Nga ana tjetër është tragjikomike kjo që ndodh me PD . Si humor i madh i universit, që ia kthen mbrapsht të gjitha ato që i ka pasur sebep për t’i rënë në qafë të tjerëve. Di që një aset i politikës shqiptare është në shkatërrim e sipër” u shpreh Rama.
Gjithsesi i pyetur disa herë në studion e Të paekspozuarit, Rama tha se nëse do të ishte cinik pragmatist, që do të mendonte vetëm për interesin e tij personal, do të kishte zgjedhur Sali Berishën. “Do cinizëm pragmatik? Me Berishën! Nëse do isha i zhveshur nga interesi për vendin, nga pikëpamja personale, më falni për mungesën e modestisë, si njëri si tjetri… Por nga pikëpamja e vendit, atë (Berishën), që kjo parti të mos shikojë dritë dielli me sy” tha Rama.