BallinaKryesore“Për 3 vjet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”, Basha:...

“Për 3 vjet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”, Basha: Janë kapur në përgjimet e antimafias me Ndragheta e Cosa

“Për 3 vjet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”, Ëasha: Nuk luftojnë dot pastrimin e parave, këta që janë kapur në përgjimet e antimafias me Ndragheta e Cosa Nostra

• Skema mafioze e pastrimit të parave me ndërtimet, Basha: Institucionet shtetërore me kod omerta të mafies. Kjo omertà po prodhon një ekonomi të droguar

• “Këtu ndahet e shkuara nga e ardhmja” Basha: Lufta ndaj pastrimi të parave të mafien nis nga salla e Parlamentit. Pranoni vettingun në politikë

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË SEANCËN E PARLAMENTIT

Të dashur bashkëqytetar, zonja dhe zotërinj, do të isha thellësisht i prekur, madje i mallëngjyer nga fjalimi që sapo dëgjova. Nëse kjo do të ishte dita ime e parë në shqipëri apo do të isha nga ato personazhet që vijnë për 3 orë dhe nuk dëgjojnë opozitën, por takojnë vetëm qeverinë dhe atë pjesë të shoqërisë civile që paguhet nga qeveria.
Por në fakt, zonja dhe zotërinj, ju e dini fare mirë se kjo pseudo-mazhorancë, anëtarë të së cilës prej disa vitesh shfaqen rregullisht në përgjimet e anti-mafias italiane dhe jo vetëm, ka sjellë në këtë seancë një projektligj, i cili gjoja synon parandalimin e pastrimit të parave të pista.
Të gjithë ata që e njohin mirë realitetin e përditshëm të Shqipërisë, qofshin shqiptarë apo të huaj, ata që e kanë parë e shohin përditë se si gjatë sundimit të kësaj pseudo-mazhorance, institucionet u gangsterizuan, llumi i shoqërisë u fut lirshëm në parlament dhe në bashkitë e vendit. Krimi i organizuar ka sekserët e tij në nivelet më të larta të qeverisë, në mendjet e të gjithëve pra lind rrufeshëm pyetja: a mund të jenë po këta që propozojnë masa për parandalimin e pastrimit të parave?
A mund të jenë këta që lejuan me urdhër politik kanabizimin e Shqipërisë, dhe shndërrimin e vendit në Kolumbinë e Europës dhe prodhuesin e parë të kanabisit në kontinent, sipas OKB-së, të njëjtët që mund të ndalojnë pastrimin e parave?
A mund të jenë këta që lejuan që shifrat marramendëse të eurove që prodhoi trafikimi masiv i drogës, të pastroheshin, e pastrohen pa kokëçarje në kryeqytet dhe në zonat më eksluzive të bregdetit shqiptar, që janë edhe më të mbikqyrurat, frenuesit e pastrimit të parave?
A mund të jenë ata që kapitenin më të suksesshëm të betejës me drogën, kanë ministrin e parë të brendshëm në historinë e këtij vendi, të akuzuar zyrtarisht për trafik narkotikësh, garantues të luftës kundër pastrimit të parave e të pista?
A mund të jenë këta që në janar të këtij viti dolën në përgjimet e anti-mafias së Katanzaros, me titujt e tyre si kryeministër, ministër apo kryetarë bashkie, ku drejtues të një prej organizatave mafioze më të rrezikshme në botë, Ndraghetës italiane, bënin plane për leje ndërtimi korruptive, në Tiranë dhe në bregdet, tendera të qeverisë shqiptare, koncesione, dhe llokma të përcaktuara qartë e me përqindje të majme, garantët që paratë nuk do të pastrohen më në Shqipëri?
A mund të jenë këta që jo më pak se 2 javë përpara dolën prapë në përgjimet e anti-mafias italiane, këtë herë me një tjetër organizatë mafioze, po kaq të rrezikshme sa është Ndragheta, Cosa Nostra, si garantët e një operacioni të pastrimit të parave, për të cilin merrej si i mirëqenë bashkëpunimi i zëvendës kryeministrit dhe drejtuesit të Drejtorisë të Pastrimit të Parave, autorët të iniciativave parandaluese dhe ndëshkuese?
A ka nevojë t’iu përgjigjem këtyre pyetjeve që janë thjesht dhe vetëm retorike, apo të mjeftohem vetëmm me përgjigjen që keni në maj të gjuhës të dashur bashkëqytetarë, përgjigjen që e dinë fare mirë edhe këta që na kanë sjellë ndryshimet e propozuara?
Asnjëri prej jush që përgjatë këtyre viteve ka toleruar, ka inkurajuar, ka nxitur dhe ka përfituar nga pastrimi i parave të pista, nuk mund të jetë garanti i luftës kundër pastrimit të parave të pista dhe të përdorë iniciativa të tilla, si një përpjekje për të mbyllur sytë, veshët, madje edhe hundën, që qytetarët nën propagandën tuaj të mos ndjejnë kutërbimin e parave të pista, të korrupsionit qeveritar dhe te krimit të organizuar. Nuk ka asnjë rastësi në këtë veprimtari. Madje është e pafalshme të kërkosh për gjurmë, ndërsa ujku është në këtë sallë dhe pak metra jashtë saj.
Mjaft të dalim nga kjo ngrehinë, e të shohim me sy të lirë se si të rrethuara me skelat e ndërtimit, rrotullohen 24 orë në ditë, 365 ditë në vit, centrifugat e qindra lavatriçeve që pastrojnë paratë me miratimin e kësaj qeveria, pa të cilin nuk hidhet dot një lopatë beton.
Kjo shkon dorë më dorë më një paradoks kriminal: në vendin ku baballarët përfundojnë në qeli sepse meremetojnë shtëpitë e tyre, apo burgosen sepse lidhin energjinë elektrike për shkak të pamundësisë për ta paguar për ngrohjen e fëmijëve të tyre, ata që me bekimin e këtyre pastrojnë miliona euro, vijojnë pa kokëçarje të hedhin kat mbi kat përfitimet e parave të korrupsionit dhe të drogës duke shkatërruar besimin e qytetarëve tek shteti dhe institucionet duke goditur konkurrencën dhe ekonominë.
Asnjë sipërmarrës i ndershëm nuk përballet dot sipas rregullave të tregut, sepse tregu nuk i përgjigjet më ligjeve të tij por ligjeve të korrupsionit dhe të drogës. Këto nuk janë vetëm cilësime të Partisë Demokratike, janë të evidentuara nga raportet ndërkombëtare të Këshillit të Europës dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.
Shqipëria është renditur nga MONEYVAL, nga struktura e përhershme e Këshillit të Europës, në listën gri të vendeve me problem të mëdha në luftën kundër pastrimit të parave. Indeksit i Bazelit, këtë vit rreziku për pastrim parash është rritur në vendin tonë, e ka rritur ulur Shqipërinë 28 vende në krahasim me vitin e shkuar, duke e konsideruar nga më të rrezikuarit në Rajon dhe Europë.
Po sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, citoj: “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare”. Vitin e kaluar Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, e financuar nga qeveria gjermane dhe norvegjeze, nxorrën në pah skemën me të cilën financohen qiellgërvishtëset që i kanë rrëmbyer diellin rrugëve të Tiranës, ku thuhet se, citoj: “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3-vjeçare janë pastruar në aktivitetin e ndërtimit rreth 1.6 miliardë euro, para të pista”. 1.6 miliardë euro!
Një shumë e frikshme që mban në këmbë ekosistemin e kalbur ku gjallon krimi dhe korrupsioni, në të cilin ndërthuren interesat e politikanëve të korruptuar, oligarkëve të panginjur dhe botës së krimit, që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe gjigande të pastrimit të parave, e cila jo vetëm dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike dhe hapësirën publike, dhe si gjithçka tjetër nën sundimin tuaj anti-qytetar dhe antikombëtar, kthehet në plaçkë për fare pak njerëz. Madje kjo lavatriçe nuk ndaloi së punuari edhe në ato ditë të vështira, kur në momentet më kritike të pandemisë, detyruat me auto-blinda të ndalonte gjithçka tjetër.
Kur e gjithë ekonomia ndaloi, duke pësuar goditje edhe për shkak të paketave gjysmake, më të ulëtat në rajon, çuditërisht ndërtimi pësoi një rritje të pashpjegueshme, me miliona metra katrorë beton të hedhura, jo të mbështetura në ekonominë reale, por në atë të zezë. Jo të motivuara nga nevoja e tregut por domosdoshmëria për të nxjërr paratë e korrupsionit dhe të drogës, nga dyshekët e për t’i kthyer ato në beton tek gradaçelat. Dhe po aq çuditërisht, në një vend të varfëruar dhe të plakur nga largimi i qindra-mijëra bashkëqytetarëve tanë, kryesisht nën moshën 30 vjeç, ky shpërthim ndërtimesh nuk vepron sipas rregullave te të kërkesë-ofertës. Sepse në një vend ku fuqia blerëse vjen në ulje, në vend që të të ulet çmimi për metër katror, ndërkohë që shtohet numri i ndërtimeve dhe sasia e metrave katrorë të ndërtuar, çmimi vetëm rritet. Rritet, mdaje kalon dhe nivelet e kryeqytetet të vendeve të pasura të BE-së.
Kjo prodhon një tjetër efekt negativ për shumicën e shqiptarëve që nuk fitojnë më shumë se 500 mijë lekë në muaj, sidomos familjet e reja, pamundësinë dhe efekti është pamundësia edhe për të ëndërruar për të blerë një shtëpi me çmim të arsyeshëm. Sepse çmimin nuk e përcakton tregu, nuk e përcakton konkurrenca, e përcakton korrupsioni, ryshfeti, paligjshmëria, pastrimi i parave të pista të korrupsionit qeveritar dhe të krimit të organizuar. Është ky karshillëk, që përbuz punën e ndershme, që përbuz mundin e burrave dhe grave të këtij vendi për të ndërtuar jetën e tyre këtu, me të cilin nxitet dhe ushqehet mosbesimi, apatia, dëshpërimi dhe në fund dëshira dominuese për ta lënë këtë vend.
Ndërsa e gjithë kjo skemë mafioze vijon të veprojë, pavarësisht asaj që shohim me sy të lirë në qytetet tona dhe në bregdetin tonë, pavarësisht alarmit të ngritur në raportet më serioze të nga partnerëve tanë ndërkombëtarë, nga organizatat, studiuesit, nga media vendase dhe e huaj, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk e vë ujin në zjarr, nuk pyet, nuk heton, nuk monitoron këto leje ndërtimi që u jepen kompanive fantazmë, sepse askush nga këto institucione nuk bën punën minimale, nuk ndjek paranë. Kjo omertà institucionale, ky kod heshtje që i përketë mafies dhe subjekteve të saj, zbulon si fajtorë të gjithë ata që kanë detyrën të mos e lejojnë Shqipërinë të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë. Nga ana tjetër mosveprimi dhe paraliza e institucioneve dhe e shtetit të kapur e shndërron atë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde minimale, që meritojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre, në vendin e tyre.
Kjo omertà po prodhon një ekonomi të droguar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që prodhon një rritje fiktive në letër, pa vende pune, pa fuqi blerëse, pa mirëqenie përveç mishngrënësve të Nusret-it dhe kryeministrit me avion privat qeveritar e një grushti oligarkësh. Ju krekoseni me sukseset tuaja imagjinare, por në fakt kjo omertà gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te shteti shqiptar, besimin tek ligji, që siç sshihet në fakt janë kthyer jo në mbrojtës të ligjit, por në legjitimues të krimit dhe korrupsionit që kryhet për të pastruar këto para.
Fundi i kësaj omerta-je, e përsëris dhe do ta përsëris derisa SPAK qilimkuqit t’i dalin për së mbari kicat, pret që drejtësia të mos fshihet pas gishtit, por të hapë sytë e të veprojë sipas ligjit. Nuk është e vështirë. Mjafton të ndiqni paratë, mjafton një xhiro në këmbë në Tiranë, të zbrisni nga makinat tuaja të blinduara, të ngrini kokën lart, e teksa ju merren mendtë nga katet që mezi numërohen më sy të lirë, t’i shtroni vetes tuaj pyetjet që çdo qytetar i këtij vendi i bën vetes kur sheh që kullat mbijnë si kërpudhat pas shiut të parave të pista. Parave të pista që kjo qeveri lejon, e që heshtja dhe mosveprimi i SPAK-ut dhe institucioneve të tjera legjitimon, me hetimet që nisen e nuk bitisen.
Kjo omerta merr fund, kur në këtë sallë, edhe nga ata nga ky krah i parlamentit, që nuk duan të digjen si i njomi me të thatin, do të pranojnë se kjo e keqe, që sot pretendoni të ndaloni me këto propozime në këtë ligj që nuk zbatohet, e ka origjinën të e keqja më e madhe që ka kapur shtetin. Te korrupsioni, i cili përpara se të pastrohet në mënyrë të ndjeshme nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duhet të shfaroset së pari nga kjo sallë.
Duke pastruar këtë sallë dhe qeverinë nga të gjithë ata që janë pjesë e pengesave të zhvillimit normal politik, ekonomik dhe social të vendit për shkak të të abuzimeve që kanë kryer duke shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke pasuruar veten, në dëm të qytetarëve të shtetit më të varfër të Europës. Përballë fakteve që ju rendita, dhe që lehtësisht mund t’i verifikoni nëpërmjet dokumenteve zyrtare, nga ato të SHISH, tek ato ndërkombëtare, që tregojnë sa serioz dhe alarmant është fenomeni i pastrimit të parave, është e qartë se ai nuk mund të zgjidhet me ndryshime estetike, kinse për të përafruar legjislacionin tonë me atë të BE-së.
Për përballjen me këtë gangrenë të rëndë, ka një rrugë, ka një zgjidhje, ka një pikënisje. Pranoni për veten tuaj, atë që kërkoni të bëni të detyrueshëm për noterët, që keni sjellë si propozim në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave. Pranoni Vettingun për politikanët. Nëse ky mjet gjykohet nga ju si i nevojshëm për noterët, përmes të cilit synohet pengimi i pastrimit të parave, e njëjta logjikë duhet të vlejë edhe për politikanët.
Pse një trajtim preferencial, pse dy standard?
Për më tepër, në dallim me noterët, përgjegjësitë e politikanëve janë shumë më të mëdha, efektet dhe impaktet e vendimeve të politikanëve janë shumë më serioze, ndaj edhe cilësia e politikanëve, pastërtia e figurës së politikanëve, që doemos reflekton edhe vendimmarrjen në interes të qytetarëve, e bën të moralshme edhe përpara qytetarëve, që të jemi ne të parët që të kalojmë nga ky filtër. Që kurrsesi nuk mund t’ua imponojmë të tjerëve dhe t’a shmangim për veten tonë. Pra, kjo çështje është shumë e thjeshtë dhe duhet të trajtohet me kurajo, pa frikën e fatit personal të askujt,
Për të ndalur pastrimin e parave, dhe deformimet e panumërta që pandëshkueshmëria dhe korrupsioni dhe lidhjet me krimin kanë prodhuar në ekonomi dhe në shoqëri, duhet të fillojmë me pastrimin e politikës.
Kjo është çështja kryesore, këtu ndahet e shkuara nga e ardhmja.
Çdo debat tjetër është një zgjatje e panevojshme e një shfaqjeje që shqiptarët e kanë vuajtur në kurriz për shumë gjatë, duke e lënë vendin në pozita të pamerituara në krahasim me shtete të tjera, por sidomos në raport me ku duhet të ishte për shkak të burimeve natyrore që i ka falur Shqipërisë Zoti me potencialin njerëzor që ka.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments