Nga Adriatik Balla
Që në krye të herës, dua të falënderoj Prof.Dr. Perikli Qiriazin për ftesën dhe besimin ndaj meje!
Konferenca shkencore “Qendrat e banuara të Shqipërisë – Gjendja dhe e ardhmja”, organizuar nga universitetet e Gjirokastrës dhe të Elbasanit, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, regjistroi në këtë fundviti një përpjekje për të sjellë në vëmendje disa tipare të zhvillimit të qendrave të banuara në Shqipëri, situatës së tyre ndër vite, gjendjen e sotme dhe natyrisht për të dhënë projeksione rreth të ardhmes së tyre, një e ardhme që duket delikate dhe e ndërlikuar. Afro 50 autorë, shumica me grada shkencore madhore (Prof.), pasqyruan arritjet e tyre nëpërmjet temave mjaft interesante, por edhe me propozime konkrete. Në një moment të dytë, temat do të shtjellohen gjerësisht e do të botohen në një nga revistat shkencore të akademisë ose universiteteve në fjalë.
Duke qenë se unë kam dobësi për vendlindjen, Bulqizën time, prezantova temën “Impakti i rrugës së Arbrit në riorganizimin gjeografik te luginës së Bulqizës”, me shpresën që këto të dhëna, që vijnë në formën e analizës, arsyetimit logjik dhe përdorimit të metodave të njohura skolastike, kryesisht statistikore, t’u vlejnë studiuesve të rinj por edhe institucioneve që të bëjnë projektimet e duhura zhvillimore në interes të publikut.
Prezantimin tim e kisha fokusuar në disa pika shqetësuese, të cilat mund të ndryshonin rrënjësisht me ndërtimin dhe vënien në funksion të rrugës së Arbrit.
1.Shqetësimi demografik, duke analizuar të dhënat e dy burimeve, që janë Zyrat e Gjendjes Civile për vitet 1990, 2001, 2004, 2008, 2010, 2016 dhe 2021, si dhe regjistrimi kombëtar i viteve 1989, si dhe census i viteve 2001 dhe 2011, që kanë ndryshime thelbësore në numër absolut të popullatës. Në këtë analizë, krahas përqindjes së lartë të emigracionit dhe shpopullimit masiv të fshatrave mbi 850 m mbi nivelin e detit, tre tregues rrënqethës demografikë shfaqen në 6 vitet e fundit që janë: rritja e mortalitetit infantil (vdekshmërisë foshnjore) nga 8.7 në 10.0, koefiçientit të vdekshmërisë së fëmijëve nga 9.2 në 10.9 dhe jetëgjatësisë (për meshkujt nga 77.0 në 75.2 vjeç dhe për femrat nga 80.5 në 79.6 vjeç e këtu mund të ketë ndikuar edhe kovidi). Shifra që flet më shumë se gjithçka tjetër është e numrit total të popullsisë në rang qarku. Në vitin 1989 (rrethet Dibër dhe Mat respektivisht 150 dhe 76 mijë banorë) kishte afro 226 mijë banorë dhe sot ky qark ka rreth 113 mijë banorë, plot 50% më pak.
2.Shqetësimi agrar, ku në bazë të të dhënave zyrtare, në territorin e sotëm të Bashkisë Bulqizë 61% e tokës së punueshme nuk kultivohet, që do të thotë është e regjistruar si “livadhe e troje”. Vetëm 16.6% kultivohet me drithëra e perime, 22.4% janë të regjistruar të mbjella me jonxhë. Shkaqet duhen lidhur me mungesën e fuqisë punëtore, nuk depërton mekanika, nuk e lejon zhvillimin procesi i gardhimit, nuk ka treg për produktet, nuk ka politika bujqësore që të orientojnë fermerët drejt varieteteve që sjellin përfitime, mungojnë subvencionet, mungon një rrjet efikas i ujitjes etj.
Shqetësuese është dhe situata me blegtorinë. Edhe pse zona ka potencial të madh zhvillimi në këtë drejtim, me përjashtim të ndonjë rasti individual e sporadik, sot në Bulqizë nuk ka asnjë fshat të vetëm që të ketë orientim zhvillimin blegtoral. Në të ardhmen, qeveria qendrore do të mendojë edhe për këtë, jo thjesht për të krijuar “akademinë e barinjve”, por për të ngritur qendra të mirëfillta të përpunimit të produkteve blegtorale, si mundësi punësimi e vetëpunësimi, si dhe krijim mundësish për eksport të këtyre produkteve. Ҫdo gjë lidhet me tregun dhe mekanizmi prodhim-grumbullim-kontroll-kategorizim-shpërndarje të paktën në këtë zonë nuk funksionon. Për sa kohë nuk funksionon ky mekanizëm nuk mund të flitet për zhvillim.
3.Shqetësimi industrial, lidhur specifikisht me industrinë minerare, ku kromi shfrytëzohet egërsisht, por ky shfrytëzim nuk ka sjellë përfitime që përkthehen në investime publike. Më herët kishte afro 3 mijë të punësuar në minierë dhe fabrikat derivate, sot jo më shumë se 1.1 mijë. Ndërmarrje të tilla si Gjeologjikja, Ndërtim Miniera etj sot nuk konceptohen. Në Martanesh kishte një qytezë të varur krejtësisht nga kromi, Krasta, që në vitin 1992 arriti në afro 5000 banorë, sot tërësisht një qytet i zbrazur. Bulqiza dhe popullsia urbane në Bulqizë është e varur nga miniera, pra pa minierën s’ka më qytet Bulqizë. Ky qytet, edhe pse i vogël e pa shumë larmishmëri, shërben si pol zhvillimi për të gjithë Dibrën e Epërme dhe, duke qenë se rruga e Arbrit kalon mes për mes tij, mund ta rrisë rolin dhe peshën e tij në zhvillimet ekonomike e sociale të zonës midis Tiranës dhe Dibrës së Madhe.
4.Shqetësimi social-ekonomik, fokusuar në numrin e madh të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, numrin e lartë të papunësisë sidomos tek të rinjtë, mungesa e alternativave, aktivitetet kulturore e arsimore të pamjaftueshme, pakësim ekstrem i nxënësve në zonat rurale, mungesë e arsimimit profesional, rritje e kategorisë së moshës mbi 65 vjeç etj.
5.Shqetësimi administrativ, ku qendrat e mjaft njësive administrative rurale (ish-komuna), janë ende larg qendrës urbane, mungesa e rrjetit rrugor dhe rrjetit të shërbimeve në zonat e thella malore. Kujtojmë që Bulqiza ishte në kohën e pushtimit otoman një nga 9 malet e Dibrës, madje me regjistrimin austriak pjesë e Krahinës së Zhurit, gjatë Mbretërisë pjesë e nënprefekturës së Zerqanit, pas vitit 1945 pjesë e rrethit Dibër e pas vitit 1993 rreth më vete e Bashki më vete, duke marrë pas vitit 1998 edhe Martaneshin si pjesë të saj. Me ndërtimin e minierës e tani edhe me ndërtimin e rrugës së Arbrit, qyteti i Bulqizës do të vijojë të jetë qendër e zonës në vijimësi e jo “bishti i kavallit” kur varej nga Peshkopia.
6.Shqetësimi pyjor, – Bulqiza ka, në fakt, areale pyjesh të konsiderueshme, por ato janë dëmtuar shumë dhe po dëmtohen dita-ditës. Duhet gjetur një mekanizëm që i mbron pyjet pasi, përveç vlerave mjedisore, pyjet në këtë zonë kanë shërbyer historikisht si mundësi ekonomike. Në të ardhmen shfrytëzimi racional i tyre mund të bëhet nëpërmjet ndërmarrjeve të vogla artizanale.
Për të gjitha këto shqetësime, unë prezantova një version optimist të zhvillimit të zonës pas ndërtimit të rrugës së Arbrit. Por, e sigurt është se asnjë rrugë nuk do ta sjellë lumturinë nëse nuk shoqërohet me një paketë investimesh afatgjata në sektorët më nevralgjikë (industrinë minerare kryesisht). Disa nisma të zhvillimit të turizmit janë shenjë e mirë dhe duhen thelluar në të ardhmen. Natyrisht, në versionin përfundimtar do të ketë edhe disa çështje të tjera si tipologjia e vendbanimeve, ndikimi i kushteve fiziko-gjeografike në këto tipare, elementë arkitektonikë e hapësinorë të vendbanimeve etj.
Shënim: Nëse miqtë e mi të Bulqizës (dhe jo vetëm), kanë ndonjë ide të ndryshme nga mua, apo propozime konkrete le ta shprehin, pasi do t’i marrim parasysh kur ta bëjmë gati për botim.