MARIGLEN KUME/ Databaza me të dhënat e pagave ka nxjerrë në pah edhe numrin e këshilltarëve të kryetarëve të pushtetit lokal dhe pagën e tyre.
Nga një kërkim në dokumentin me pagat e 630 mijë të punësuarve në Shqipëri në sektorin privat dhe publik, bien në sy disa fenomene.
Kështu, Bashkia Pustec është ndër të vetmet që ka vetëm një këshilltar. Sipas databazës, personi që qëndron pranë kryetarit të Bashkisë Pustec paguhet 51 mijë lekë të rinj.
Kryetari i Bashkisë Devoll duket se ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të pasur pranë tij sa më shumë njerëz që e këshillojnë për politikat që duhet të ndërmarrë.
Kështu, Bashkia Devoll ka në borderonë e saj 4 këshilltarë, por vetëm për 3 prej tyre ka të dhëna se sa paguhen. Në Devoll këshilltari merr 7 mijë lekë më shumë.
Bie në sy në fakt Bashkia Durrës. Pushteti lokal në qytetin bregdetar ka qenë me probleme në këtë mandat, pasi kryetarja që u zgjodh në 2019-ën u tërhoq, ndërsa tani drejtohet nga nënkryetarja Ermiriona Sako.
Por nga databaza rezulton se Durrësi, ndonëse një bashki e madhe, ka vetëm 2 këshilltarë. Por ajo që është edhe më e veçantë, është fakti se ata paguhen nën pagën minimale, pra 26 mijë lekë. Ndërkohë, përshkrimi në databazë është se janë këshilltarë të kryetarit.
Ndërkaq, Bashkia Belsh, e cila vitet e fundit është kthyer në atraksion turistik, ka 4 këshilltarë me paga mesatare që nisin nga 56 mijë dhe variojnë deri në 39 mijë lekë.
Bashkia e Beratit tregohet bujare me 4 këshilltarët e saj. Nga kontrolli në databazë rezulton se paga maksimale e një këshilltar është 82 mijë lekë të rinj dhe më e pakta është 75 mijë lekë.
Ndërkohë, nuk dihet nëse ka qenë ide e këshilltarit, por të gjithë e mbajmë mend kryetarin e Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i cili publikoi në rrjetet sociale rrugën e shtruar vetëm në dy anët me beton dhe në mes jo. Kryetari i Bulqizës paguan 65,240 lekë për një nga këshilltarët e tij.
PAGAT MË TË LARTA
Megjithatë, Berati dhe Bulqiza nuk janë bashkitë që paguajnë më shumë për këshilltarët e tyre. Për pagën më të lartë, por në fakt edhe për numrin më të lartë të punonjësve si këshilltarë, qëndron Bashkia më e madhe në vend, e cila drejtohet nga Erion Veliaj.
Nga verifikimi në databazë, Bashkia e Tiranës ka 20 këshilltarë me pagë mbi 100 mijë lekë të rinj në muaj. Ndërkohë, nga pas e ndjek edhe Bashkia e Kamzës. Sipas dokumentit që qarkullon, Rakip Suli ka 5 këshilltarë, ku vetëm për 4 prej tyre është pasqyruar paga.
Këshilltarët e Sulit janë të dytët në rang republike që paguhen më shumë pas këshilltarëve të Tiranës. Paga maksimale në Kamzë është 92 mijë lekë të rinj, ndërsa minimalja mbi 60 mijë lekë.
Kujdes të veçantë për këshilltarët e tij ka treguar edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili para zgjedhjeve pati një përplasje me Kryeministrin Rama, e cila vijoi edhe përgjatë verës. Sipas databazës, Leli ka 5 këshilltarë, ku i pari paguhet 85,200 lekë të rinj, ndërsa i fundit 38,428 lekë.