Një 64-vjeçare e cila menaxhon pasuritë e djemve të saj si minihotele, thotë se u mashtrua nga një i ri, që u shfaq si klient i rregullt dhe me shumë para. E moshuara e mbajti të riun që jetonte në Zvicër me origjinë nga Kosova për disa muaj në hotel, dhe i riu I kishte hyrë aq në zemër sa u kujdes për të edhe kur u infektua nga Covid- 19. Çështja e denoncuar pranë drejtorisë vendore të Tiranës dhe konkretisht pranë seksionit për hetimin e krimit ekonomiko financiar tregon se të moshuarës iu zhvatën plot 135 mijë euro, që herë pas here ajo i tërhiqte nga llogaritë bankare e bindur se një ditë do t’i ktheheshin.
Burimet treguan se e dëmtuara me inicialet M.C, kishte një shumë të konsiderueshme të ardhurash dhe një llogari që e vendosi nga shitja e shtëpisë private në Tiranë. Sakaq gruaja po shfrytëzonte si minihotel me qira ditore dhe mujore një objekt tjetër duke e administruar atë. “Në këtë banesë erdhi një klient me inicialet e emrit Q.K , i ditëlindjes 1992 – nis rrëfimin e moshuara. Më ka thënë që jetonte në Zvicër. Duke nisur nga koha e gjatë që qëndroi u miqësova me të dhe krijuam lidhje familjare, miqësi të ngushtë familjare. E respektoja”, thekson më tej 64 vjeçarja të cilën e priste një surprizë shumë e hidhur dhe një nga mashtrimet më të mëdha të jetës
E moshuara nisi të frekuentohet familjarisht me djaloshin, duke dalë për dreka dhe darka e duke u njohur madje edhe me nusen e klientit e cila ishte shtatzanë. “Më tha se ishte prekur nga covidi dhe për të mos e lënë në prezencë të personave të tjerë e izolova në shtëpinë time ku e lashë të jetojë i izoluar dhe mos të kontaktonte me askënd. Këtij personi i kisha thënë që kisha vlera monetare nga shitja e shtëpisë dhe më kërkoi në formë borxhi 50 mijë euro”. Gruaja kujton se me muajt që kishte kaluar dhe njohjen e madhe që pati midis tyre, kishte besim të jashtëzakonshëm tek ai. Dhe nuk pati asnjë lëkundje kur i riu e garantoi se punë ditësh sapo t’ia zhbllokonin pasuritë do ja kthente Natyrisht që ai i përmendi mirënjohjen.
“Ja dhashë menjëherë, shkova në bankë i tërhoqa dhe ja dhashë , nisur nga besimi i madh tek ai. Më pas Q. K duke u ankuar për andrallat që I kishin hapur në Zvicër kërkoi 30 mijë euro, 28 mijë euro, 20 mijë euro. Nuk llogaris shumat e vogla që i dhashë prej 6 mijë euro, 400 euro, 500 euro”. Duke numëruar faturat e moshuara i thotë policisë sipas burimeve se në total ajo i besoi të riut plot 135 mijë euro. Krisjet mes dy miqve nisën kur e moshuara ka nisur të pyesë se kur do ja kthejë borxhet
“Filloi të më mashtrojë, fliste në telefon me një person që e quante drejtori i bankës në Zvicër. Premtoi se do mi kthente të gjitha së bashku në një dorë, paratë e mia dhe të fëmijëve, se së shpejti do i hapej llogaria bankare dhe ndërkohë qëndronte në shtëpinë time. Më përsëriste të isha e qetë se do ti merrja paratë e mia dhe se nuk ishte mashtrues”. Duke nënvizuar vazhdimisht në kallwzimin e saj se vijonte të kishte besim tek djali i ri, e moshuara kujton se i hyri aq për zemër djali nga Kosova saqë në një rast ftoi edhe nënën e tij për vizitë në Tiranë.
“Ne takoheshim familjarisht dhe vazhdojmw me miqësinë familjare, ndaj nuk preferoj që në këtë çështje të përfshihen anëtarët e tjerë. Kërkoj kthimin e parave dhe asgjë tjetër” këmbëngul gruaja në polici. Burimet thanë se kanë tërhequr si prova faturat nga bankat ku e moshuara shfaqet së bashku me djaloshin e ri, i cili me kërkimet e policisë aktualisht rezulton me telefon të fikur dhe nuk dihet se ku fshihet. Policia ka sekuestruar bisedat në telefon mes gruas dhe të riut, ku ajo i lutet për paratë dhe ai e qetëson: ki besim tek unë./gazetasi