BallinaKryesoreReportazh/Në urën mbi Drin të Ivo Andriçit ku nisi konfikti në Bosnjë

Reportazh/Në urën mbi Drin të Ivo Andriçit ku nisi konfikti në Bosnjë

spot_img
spot_img

Nga:  Jean-Baptiste Naudet , L’OBS

Çdo qershor, vit pas viti, boshnjakët myslimanë në qytetin e Vishegradit përulen në ujërat e lumit Drin dhe lëshojnë në dallgët e vrullshme trëndafila të kuq si gjaku. Tre mijë trëndafila për tre mijë jetë, të grabitura egërsisht tridhjetë vjet më parë nga forcat serbe. Ura që ngrihet mbi Drinin madhështor, është përjetësuar në romanin e famshëm të fituesit të Çmimit Nobel për Letërsinë, Ivo Andriçit, një rrëfim që ndërthur bashkëderdhjen e dy botëve, mes legjendave dhe lotëve.

Kjo mrekulli e arkitekturës osmane, e cila përshkon me hijeshi ujërat e kristaltë me njëmbëdhjetë harqet e saj të bardha që bashkon Lindjen me Perëndimin, ka qenë për shekuj një pikë lidhëse e dashurisë dhe urrejtjes, gëzimit dhe masakrës. Ura, e ndërtuar që në shek. XV, ka qenë dëshmitare e skenave më makabre të viteve 1992-1993, të kryera nga forcat serbe që filluan luftën e tmerrshme boshnjake për të marrë “hakmarrje historike” ndaj “muslimanëve”. Tre dekada më vonë, boshnjakët i kanë ende plagët e pashëruara dhe me dhimbje rikujtojnë se si burra, gra, fëmijë e pleq u torturuan, ekzekutuan, përdhunuan e u dogjën të gjallë në Vishegrad. Shpesh viktimat çoheshin në Urën e Vjetër për t’u ekzekutuar dhe trupat e tyre hidheshin në ujërat e tërbuara të Drinit. Askush nuk e mban mend saktësisht se si filloi një nga fushatat më të këqija të “spastrimit etnik”, por për serbët “shkëndija që i inicioi flakët” në Vishegrad ishte rrëzimi i një statuje të shkrimtarit serb Ivo Andriç nga një njeri i çmendur, një analfabet dhe injorant me termat e tyre.

“Unë jam injoranti, terroristi numër një mysliman,” qesh 68-vjeçari Murat Sabanoviç në Sarajevë. Sabanoviç e kishte takuar shkrimtarin serb Ivo Andriç kur shkrimtari që sapo ishte vlerësuar me çmimin Nobel në vitin 1961, erdhi në Vishegrad. Murati asokohe një nxënës shkolle kishte dëgjuar Andriçin teksa mbante një fjalim para klasës së tij për “miqësinë socialiste midis popujve”, midis sllavëve të jugut, serbëve, kroatëve dhe myslimanëve. Andriç, njëlloj si Murati, besonte në vëllazërinë jugosllave. Por në vitet 1990, socializmi u shemb. Sabanoviçi filloi të mos e tolerojë më arrogancën e “saposhfaqur” të Serbisë së Madhe. Ashtu si shumë nga bashkatdhetarët e tij, shpesh laikë, madje edhe ateistë, që pinë alkool, ai ishte më shumë mysliman nga kultura sesa nga feja. Ky ishte identiteti i tij. Murat Sabanoviç, një qytetar jugosllav dhe mysliman, i bashkohet Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), një partie të re muslimane-boshnjake, në të cilën shpejt mësoi se nëse luan me zjarrin nacionalist, përfundon duke u djegur.

Murat Sabanoviç

Në korrik 1991, lufta kishte shpërthyer tashmë në Kroaci, tensionet po rriteshin në Bosnje. Pranë urës së ndërtuar nga veziri i madh osman, përballë memorialit të Ivo Andriçit, çetnikët, ultranacionalistët serbë me mjekër të trashë këndonin: “Do të bëhet prapë ferri dhe Drini i përgjakur, ja çetnikët e maleve serbe”.

Muratit i humbet durimi dhe shkoi tek monumenti i Ivo Andriçit dhe e theu, duke i hedhur më pas copat e monumentit në lumë.

“Nuk mund të duroja më që këta çetnik të mblidheshin para asaj skulpture për të mbajtur fjalime për nder të Serbisë së Madhe etnikisht të pastër, të pastruar nga myslimanët”, thotë Murati. Nga rrëfimi dhe logjika e çdo veprimi mund të kuptohet se Murati nuk ishte analfabet, e aq më pak budalla. ‘Terroristi injorant’ i famshëm boshnjak thotë për Andriç: “Nuk kam asgjë kundër tij. Por romanin e tij serbët e tundën si një bibël nacionaliste për të justifikuar hakmarrjen ndaj nesh. Ata ngatërrojnë trillimin dhe historinë”.

Në kohën kur Murat Sabanoviç përdhosi monumentin e nobelistit, gazeta satirike e Sarajevës “Vox”, botoi në faqen e parë një paralelizëm mes rrëzimit të monumentit të shkrimtarit Andriç me një pjesë nga libri i tij “Ura mbi Drin” ku ai përshkruan varjen në shtyllë të Radisavit të Unishtes, i cili tentoi të sabotojë ndërtimin e urës. Për nacionalistët serb, ky paralelizëm kishte vetëm një domethënie, atë se sakrifica e Radisavit dhe sakrilegji i Murat Sabanoviçit ndaj statujës së Ivo Andric kërkonin hakmarrje.

Serbët u armatosën dhe u përgatitën për gjakderdhje. Ata spërkatën me bojë të kuqe në mure “4 S”: “Samo Sloga Srbina Spasava” (“Vetëm uniteti i shpëton serbët”). Ura e Vjetër, simbolikisht vendi ku u torturua Radisav,u bë pika nga do të niste hakmarrja ndaj “turqve” duke masakruar boshnjakët. Nuk bëhet fjalë më për një shkrim në gazetë, nuk është më letërsi, është luftë. Një luftë e pistë, e lagur me gjak.

Xhelati i Visegardit

Milan Lukic, udhëheqës i milicisë serbe “Shqiponja e Bardhë”, i vuri zjarrin qytetit tëVishegradit në fillim të luftës në Bosnje në 1992 dhe 1993. Lukic besonte se gjithçka që shkroi Andriç ishte e vërtetë dhe para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë, ai paraqiti si justifikim për “shfarosjen e një numri të konsiderueshëm civilësh, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar” librin e fituesit të çmimit Nobel. Për Lukiçin, si për shumë serbë ortodoksë, sllavët e jugut që u konvertuan në fenë islame nën sundimin osman nuk janë gjë tjetër veçse “tradhtarë”. Sot “ekzekutuesi i Vishegradit” vuan dënimin e përjetshëm në një burg të Estonisë për krime kundër njerëzimit. Ndërkaq, i kërkuari ende nga serbët, Murat Sabanoviç nuk mund të kthehet më në Vishegrad.

Qyteti i “pastruar” iu atribua serbëve të Bosnjës nga Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund konfliktit në 1995, si një “rajon autonom”, i quajtur “Republika Srpska”. Autoritetet serbe në Vishegrad nuk e mirëpresin kthimin e myslimanëve. Nga 14.000 persona që jetonin këtu para luftës, vetëm disa qindra të moshuar guxuan të ktheheshin për t’i dhënë fund jetës. Shumica e të afërmve të viktimave preferojnë të jetojnë në zonën e Bosnjës. Çdo vit, në qershor, sapo hedhin trëndafilat e kuq në rrymën e fuqishme të Drinit, ata nisen sërish pa vonesë për në Sarajevë. Edhe sot e kësaj dite ata ende nuk kanë arritur të vendosin një pllakë në Urën e Vjetër në kujtim të të vdekurve të tyre.

“Kam kaluar shumë kohë në Vishegrad duke kërkuar eshtrat e babait tim”, tha “Emim” (pseudonim i vënë për të mbrojtur identitetin e personit). Emim është një refugjat i strehuar pranë kryeqytetit boshnjak, i cili kthehet herë pas here në fundjavë me gruan dhe fëmijët e tij në vendlindjen e tij(Vishegrad), qytet që sot popullohet nga xhelatët e djeshëm, por edhe serbë të thjeshtë, të heshtur dhe të nënshtruar, të cilët gjithashtu kanë frikë.

Të gjithë këtu e njohin njëri-tjetrin,- shpjegon Emim- kështu përfundova duke gjetur një serb i cili e dinte shumë mirë se ku ishin eshtrat e babait tim … pasi ai e kishte vrarë atë. Duke ruajtur anonimitetin, Emim nuk do të denoncojë askënd: “Nuk dua që familja ime të jetë në rrezik kur të kthehemi në Vishegrad në fundjavë. Gjithçka që kërkova ishte një varr për babain tim. Më në fund arrita ta varrosja”.

I fjetur buzë lumit, Vishegradi shtrihet në një fushë të ngushtë mes maleve të errëta. I zhytur nën një batanije resh gri, qyteti duket i dërrmuar nga pesha e historisë. Vetëm Drini flet. Madje ndonjëherë banorët thonë se e dëgjojnë të qajë, të bërtasë. Rregullisht, lumi rrjedh gjak. Në gurët e Urës së vjetër shfaqën mbetjet e trupave të muslimanëve të torturuar tridhjetë vjet më parë.

Dejtoni e përfundoi luftën, por nuk solli paqe. Hija e gjakderdhjes vijon të vërtitet mbi kokat e njerëzve, në gazeta, në simbole dhe madje edhe në heshtje. Në varrezat myslimane të Vishegradit, një punëtor komunal serb fshiu fjalën “gjenocid” të gdhendur në një monument me mermer të bardhë për viktimat e vitit 1992. Një grua e rishkruajti atë me buzëkuq. Ndonëse kanë kaluar mbi 30 vjet, me mbështetjen e Beogradit dhe Moskës, serbët në Bosnje vazhdojnë të duan më shumë. Ata nuk kanë hequr dorë nga dëshira për shkëputje për t’u bashkuar me Beogradin e për të bërë realitet ëndrrën e frikshme të “Serbisë së Madhe”.

Pas 100,000 vdekjeve në vitet 1990, fantazma e një gjakderdhjeje tjetër përndjek sërish Ballkanin. Lufta e vazhdueshme midis drejtësisë dhe mosndëshkimit, së vërtetës dhe mohimit, kujtesës dhe harresës, është e pafundme. Ditët e sotme kjo luftë është transformuar në një garë dramatike mes unitetit të Bosnjës apo copëtimit të saj, Perëndimit në njërën anë, Serbisë dhe Rusisë nga ana tjetër.

Çmimi Nobel dhe racizmi

Në varrezat ushtarake të Vishegradit, nën gurët e varreve prej mermeri të zi, gjenden “vullnetarë” nga “Rusia e Madhe”, të dyndur me qindra në vitin 1992 për t’u dhënë ‘një dorë’ serbëve. Megjithatë, ata nuk ishin të gjithë idealistë të vëllazërisë sllave. Igor Guirkin, alias “Strelkov” i njohur ndryshe si “qitësi”, mori pjesë në luftë. Ai erdhi nga ish-republika Sovjetike e Moldavisë, ku ishte gjendur përkrah separatistëve rusë të kontrolluar fshehurazi nga Moska. Në luftë merrte pjesë edhe “Igori i Tmerrshëm”, që njihet për masakrat ndaj fshatarëve në Çeçeni. Më vonë, ai punoi në Ukrainë në 2014, për ta “futur Krimenë në çantën ruse”. FSB (ish-KGB) nuk ka hequr dorë nga destabilizimi i rajonit dhe po krijon “njësi speciale” të përbëra nga policë dhe paraushtarakë prej radhëve të serbëve të Bosnjës.

Megjithatë për burimin e tragjedisë që ndodhi në Vishegrad dhe në Bosnje, më shumë përmendet Ivo Andriç. Në fjalimin e tij të Nobelit, shkrimtari tha se “të gjithë mbajnë përgjegjësi morale për atë që thonë”.

Pra a është, të paktën pjesërisht, përgjegjës për mosmarrëveshjen e përgjakshme të Bosnjes Andriç? A mund të konsiderohet ai një racist që i portretizoi muslimanët boshnjakë si të egër, duke i përshkruar madje si njerëz që komplotuan në Berlin me Hitlerin kundër hebrenjve? Andriç rrëfen se ishte i pushtuar nga paniku kur, si ambasador jugosllav në Berlin, i dorëzoi letrat kredenciale Hitlerit. I përjashtuar nga negociatat që bashkuan vendin e tij me Gjermaninë naziste, ai u kthye në Beogradin e pushtuar nga gjermanët. Andriç qëndroi i mbyllur duke shkruar romanin”Ura mbi Drin”, të cilin refuzoi ta botojë deri në fund të luftës.

POR, nuk ishte vetëm Nobeli i vitit 1961, ai që trondi Bosnjen dhe shumë vende të tjera në botë. Viti 2019 ishte një tjetër SHOK. Çmimi Nobel për Letërsinë kësaj here iu caktua Peter Handkes. Shkrimtari austriak u dallua për faktin se kishte vënë në pikëpyetje krimet kundër njerëzimit, të kryera nga serbët në Bosnje, duke përfshirë edhe masakrën më të rëndë, atë të Srebrenicës në vitin 1995. Për të qenë “i pranishëm përkrah Serbisë”, ai shkoi në vitin 2006 në funeralin e “kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç, ish-shef i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, i shndërruar në një lider nacionalist.

Komiteti Nobel “ka humbur plotësisht busullën e tij morale”, komentoi Sefikzaferovic, një përfaqësues boshnjak në presidencën kolegjiale të vendit.

Nobeli për Handke? “Kjo është një dëshmi e qartë se një njeri mund të jetë një shkrimtar i talentuar, por dhe një bastard i nivelit të lartë,” tha një kritik letrar i Sarajevës. Plagët u rihapën papritur në maj 2021 kur Peter Handke mori Çmimin e Madh të Ivo Andric nga serbët e Bosnjës në Vishegrad, prej duarve e mikut të tij Emir Kusturicës. Handke i kushtoi një libër në vitin 1996 një udhëtimi që bëri në Serbi dhe Bosnje, me titull “Drejtësia për Serbinë”. Nisur prej shumë treguesve, duket sikur shkrimtari austriak, i cili i konsideron veprat e tij si mësime historie, i ka marrë fjalë për fjalë edhe trillimet e errëta të Andriçit. Ai shkon aq larg sa të mbrojë Milan Lukiç, kundër shtypit që e portretizon atë si ‘përbindësh’.

Në Vishegrad, Peter Handke ishte i ftuar nderi i kryebashkiakut ultra-nacionalist serb. Ata drekuan në pyll, në hotelin Vilina Vlas. Kryebashkiaku tregon për vështirësitë e jetës, rënien ekonomike, rrënimin që ka sjellë papunësisa, rënien e turizmit. Ai nuk tha asnjë fjalë për atë që ndodhi në këtë “hotel romantik”. Në fasadë nuk ka asnjë pllakë përkujtimore. Në dhomat e gjumit, dyshekët dhe dyshemetë me parket kanë ndryshuar, muret janë rilyer me të bardhë. Megjithatë, krevatet prej druri kanë mbetur të njëjta.

Tridhjetë vjet më parë, kjo ndërtesë e izoluar në pyll ishte selia e Milan Lukiç dhe milicëve të tij, “vendpushim i luftëtarëve”. Aty “relaksoheshin” edhe “vullnetarët” nga Rusia. Gati dyqind gra, me raste vajza shumë të reja, mbaheshin në dhomat e këtij hoteli ku përdhunoheshin pa pushim përpara se të ekzekutoheshin. Përjashtim bënin normalisht rastet kur ato vrisnin veten duke u hedhur nga ballkoni.

Darka e Peter Handke me kryebashkiakun përfundoi vonë pas mesnate. Austriaku e kaloi natën në Vilina Vlas. Nuk dihet nëse ai ka bërë një banjë termale në pishinën që Shqiponjat e Bardha e përdornin për ekzekutime.

Përdhinime dhe më pas vrasje

Bakira Haseçiç nuk e harron dot atë që ndodhi në Vilina Vlas, kur motra e saj Bedra u përdhunua dhe më pas u vra. Edhe Bakirës, së bashku me vajzat e saj 15 dhe 19-vjeçare, iu desh të merreshin me Milan Lukiçin. Ajo kujton se lideri i Shqiponjave të Bardha, i dehur nga alkooli dhe i mbushur me urrejtje, e përdhunoi, pasi e detyroi të zhvishej duke e kërcënuar me thikë në fyt. Ai i bërtiste në vesh “Turq të ndyrë dhe të mbuluar!” Ajo nuk dëshiron të flasë për këtë gjë, por befas kujtimi i atyre ofendimeve e bën të shpërthejë: “Më ka sharë! Unë nuk jam turke! Unë nuk jam e mbuluar! Unë jam një muslimane nga Europa! Unë jam një europiane!

Bakira Haseçiç

Në burg, Milan Lukiç filloi të shkruante edhe për dallimin mes dukjes dhe realitetit. Ai shkruante se ishte mashtruar, si shumë serbë. Udhëheqësi i Shqiponjave të Bardha thotë: “Çdo fshat i djegur është urdhëruar nga komiteti i krizës së Vishegradit”. Ai fajëson veten: “Me sytë e mi të ngulur në territorin mysliman, kurrë nuk e kuptova se sa miop isha”. Lukiç pretendon se i ka “dashur të gjithë” në Vishegrad, madje edhe myslimanët,madje veçanërisht myslimanët e rinj e të pambrojtur.

Çnjerëzimi serb

65-vjeçari mysliman nga Vishegradi, Redzep Tufekçiç thotë se nuk do ta harrojë kurrë Milan Lukiçin apo çetnikët. Më 27 qershor 1992, Lukiç dhe njerëzit e tij kanë brutalizar, vjedhur dhe dhunuar mbi 60 civilë myslimanë. Ata i mbyllën në një shtëpi në lagjen e Bikavacit dhe më pas i vunë flakën. Pothuajse të gjitha viktimat e tyre u dogjën të gjallë. Mes tyre ishin Sabaheta Tufekcic, 28 vjeç dhe foshnja e saj një muajshe.

“Ajo ishte motra ime e vogël”, thotë Redzep Tufekcic. Në të njëjtën ditë, në Urën e Vjetër u ekzekutuan nëna e tij Hasha, vëllai i tij Ramizi dhe një tjetër nga motrat e tij, Hajra.

“Në historinë shumë të gjatë, të trishtuar dhe të mjerë të çnjerëzimit të njeriut ndaj njeriut, zjarret e rrugës Pionirska dhe Bikavac duhet të vihen në plan të parë”, vlerësoi në Hagë gjyqtari ndërkombëtar Patrick Robinson.

Kjo është arsyeja pse çdo vit në qershor boshnjakët kthehen në Vishegrad për të hedhur trëndafila të kuq nga Ura e Vjetër mbi Drinin madhështor. Që të mos harrohen “zjarret” e tmerrshme të qershorit 1992. Këtë rrugë e bën çdo vit edhe Redzep Tufekçiç, për të kujtuar çdo viktimë të familjes së tij. Edhe pse pas kaq shumë vitesh ai thotë se dëshiron të gjejë kockat e djegura të motrës së tij Sabahetës që serbët i zhdukën, pasi do ta varrosë atë me çdo kusht.

BURIMI: L’OBS

©Përshtati në shqip: LAPSI.al

Paola Serjanaj

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular