MARIGLEN KUME/ Në kulmin e skandalit me rrjedhjen e databazave, sekretari për komunikimin dixhital në PD dhe njëkohësisht ish-drejtori i (Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) AKSHI, Endri Hasa, ngre shqetësimin për një tjetër databazë që po krijohet së fundmi me gjendjen e llogarisë në bankë për çdo biznes apo individ.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Hasa u shpreh se me ligj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve po i krijohet aksesi për të pasur kontroll në të gjitha llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve.
Por në një kohë që nga Tatimet rrodhi edhe databaza e pagave, ish-drejtori i AKSHI-t ngre shqetësimin se mund të dalë edhe databaza me llogaritë bankare të çdo biznesi apo individi. Ndërkohë, rrjedhja e të dhënave me pagat apo makinat e shqiptarëve sipas tij përbën cënim të sigurisë kombëtare.
INTERVISTA
Javën e fundit jemi njohur me disa databaza të njëpasnjëshme me informacione sensitive për qytetarët. Në funksionin e sekretarit të Komunikimit Dixhital, por edhe si ekspert i fushës, a mund të konstatoni se nga ku kanë dalë këto informacione?
Hasa: Në radhë të parë, të dhënat mund të jenë në shumë institucione. Databazat janë të ndryshme, kanë dalë nga institucione të ndryshme, por përgjegjësi i vetëm është Edi Rama. Është krijuar një shkrirje e shtetit me partinë, e cila doli hapur në muaj prill kur u publikuan 910 mijë shtetas që jetonin në Tiranë dhe që kishin informacione të ndryshme se ku punojnë etj.
Skema e patronazhimit e PS-së, skema e patronazhimit për të marrë dhe vjedhur votën e shqiptarëve është ajo që ka prodhuar të dhëna nga të gjitha databazat që nisi me pagat nga tatimet dhe me DPSHTR-në, me targat dhe ku e ku mund të përfundojë. Siç u tha edhe në atë kohë, kjo është vetëm maja e “iceberg”- ut, sepse shteti ka pafund të dhëna.
Shteti paguhet për të ruajtur të dhënat e njerëzve, për të ruajtur identitetin e tyre. Sot, është cenuar siguria kombëtare, sepse gjithçka ka dalë sheshit dhe ka rënë në dorë të gjithkujt. Situata ka vetëm një përgjegjës dhe është Edi Rama dhe gjithë institucionet që duhet ta ruanin këtë.
AKSHI ekziston për të koordinuar sistemet qeveritare dhe për të mbrojtur të dhënat e shtetasve shqiptar. Por, këto agjenci ndërhynë vetëm kur ka halle personale Edi Rama. Ai kërkon ta kalojë përgjegjësinë vetëm te një person, por ajo është më shumë se aq. Përgjegjësia vjen nga shkrirja e shtetit me PS-në.
Kryeministri ka përgjegjësi politike, por duke parë dokumentet, mund të konstatojmë se nga kanë dalë këto të dhëna? Është një dorë apo?
Hasa: Në rastin e pagave ajo që duket në pamje të parë, duket që pagat kanë dalë nga tatimet. Por, ajo që ka ndodhur nga 25 prilli deri më sot, Delina Ibrahimi nga drejtoreshë e Tatimeve që nxori të dhënat e pagave, u bë ministre e Financave. Ata që kanë gabuar, ata që kanë thyer, ata janë promovuar, sepse ata nuk e kanë bërë për vete, por për Ramën. E kanë bërë për të shantazhuar dhe për t’u marrë votën më 25 prill. Ndaj Rama i mbronte patronazhistët?
A keni informacione se mund të ketë databaza me të dhëna shqetësuese për bizneset?
Hasa: Ajo që është shqetësuese është fenomeni. Kur fenomeni ka ndodhur në një apo në dy databaza, mund të ketë ndodhur në pafund databaza. Çdo e dhënë e qytetarëve është e depozituar në shtet. Një gjë tejet shqetësuese është databaza që është krijuar së fundmi, për synime që kanë të bëjnë me ruajtjen nga evazioni, me ndjekjen e parave që mund të shërbejnë për terrorizëm.
I është dhënë aksesi me ligj dhe po përgatiten sistemet që Drejtoria e Tatimeve, ajo që rrodhi pagat, të ketë akses në të gjitha llogaritë dhe gjendjen e tyre në kohë reale për të gjithë shqiptarët. Kjo është një fazë tjetër. Nga njëra anë, i gjejmë zbukurime dhe retorikë sesi do e themi te qytetarët se përse e duam këtë dhe nga ana tjetër, përqendrojmë në një dorë të vetme të dhëna pa fund, por që nga ana tjetër bëhen cenuese për jetën e qytetarëve.
Sot, ka një pafundësi kriminelësh që dinë targën e makinës, sa të ardhura ka një individ dhe praktikisht mund ta gjejnë ku qarkullon dhe mund të bëhej sulm. Në çdo vend të botës qeveria do të kishte rënë dhe në çdo vend të botës të gjithë zyrtarët do kishin mbajtur përgjegjësi. Në rastin më të thjeshtë, përgjegjësia më e vogël është shpërdorimi i detyrës i atyre që kishin për detyrë ta ruanin dhe sikur të cenohej nga jashtë. Por, ajo që duket është se s’ka cenim nga jashtë. Ajo që është artikuluar nga Rama është se nuk është cenuar nga jashtë, por që ka dal nga individë.
Dikush i ka shtyrë këta individë që të nxjerrin këto të dhëna. Dhe skema e qartë e patronazhistëve do të nxirrte përgjegjësit. Të dhënat që dolën për pagat ishin edhe te databaza e patronazhistëve. Do ishte mirë që të gjitha institucionet të mbahen përgjegjëse. Autoritetet koordinuese kanë të gjithë mundësinë në çdo moment që të veprojnë. Ka ligje shumë strikte këtu për koordinimin e databazave shtetërore për të parandaluar që po ndodh sot. Ka një pafundësi sistemesh.
Si qëndron piramida e këtyre të dhënave. Gjenden në një institucion të vetëm apo e kanë disa?
Hasa: Piramida është institucionale. Çdo institucion mban pjesën që i takon. Në rastin e pagave, i mban Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në rastin e biznesit, Qendra Kombëtare e Biznesit mban regjistrin e biznesit, ndërsa të dhënat fiskale i mban Drejtoria e Tatimeve. Ajo që bën platforma e ndërveprimit dhe AKSHI është ndërlidhja e këtyre sistemeve në 1. AKSHI ka të punësuar të gjithë IT-në në të gjitha institucionet shtetërore. AKSHI ka sy, veshë e duar në çdo institucion. Ka detyrë të caktuar me ligj që të monitorojë bazën e të dhënave shtetërore.