BallinaEkonomiRimbursimi i TVSH-së për bizneset, si pritet të ndryshojë skema

Rimbursimi i TVSH-së për bizneset, si pritet të ndryshojë skema

ADA HAZIZOLLI/ Përgjatë 3-mujorit të fundit të vitit që lamë pas, bizneseve iu janë kthyer 3.35 miliardë lekë, ndërsa në total vlera e rimbursuar është 24.5 miliardë lekë ose rreth 240 milionë dollarë, duke e çuar thuajse në likuiditet të plotë stokun e akumuluar.

Të dhënat janë publikuar një ditë më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. SKEMA Me zerimin e stokut qeveria pritet të vërë dorë edhe mbi skemën e rimbursimit, duke synuar që t’i japë zgjidhje vonesave të shkaktuara në dhënien e rimbursimit.

Ishte ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, e cila në daljen e saj të fundit për mediat dha detaje mbi mënyrën sesi pritet të funksionojë skema e re. Rreth 80 për qind e bizneseve, vuri në dukje ministrja do të mund ta marrin rimbusimin pa pasur nevojë t’i ushtrohen një kontrolli.

“Ne kemi arritur që të zerojmë stokun e rimbursimit të TVSH-së që para fundit të vitit 2021 dhe objektivi ynë ishte që deri në fund të vitit 2021 stoku të ishte zero dhe këtë objektiv e kemi realizuar. Nga ana tjetër, sa i përket shifrave të rimbursimit, kemi pasur një ulje të kohës së dhënies së rimbursimit, në krahasim me vitet e kaluara dhe gjatë vitit 2022 koha e dhënies së rimbursimit synohet të ulet akoma më tej, duke synuar rimbursimin automatik. Gjithashtu, synohet një ndryshim i rregullores së rimbursimit, ku pjesa më e madhe, rreth 80 për qind e bizneseve, do ta marrë rimbursimin pa pasur nevojë t’i ushtrohen një kontrolli, i cili ka qenë në historikun e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe ka qenë si shkaktar i vonesave në dhënien e rimbursimit, por gjithashtu edhe shkaktar i pakënaqësive nga ana e biznesit”, tha ministrja duke shtuar se nga kontrolli nuk do të shpëtojnë vetëm ato subjekte të skeduara me risk të lartë.

“Vetëm ato biznese të vilat do të jenë me risk të lartë do t’i ushtrohen kontrollit, i cili do të jetë pas dhënies së rimbursimit dhe do të jetë një kontroll i thelluar dhe jo vetëm i përqendruar në shifrën e rimbursimit të TVSH-së, por do të jetë një kontroll i thelluar i shtrirë në të gjitha fushat me risk të subjekteve tatimpagues”.

TREGUESIT

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për 3-mujorin e fundit të 2021 janë rimbursuar gjithsej 286 biznese, ndërsa vlera e kthyer është 3.35 miliardë lekë ose rreth 33 milionë dollarë.

“Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, janë rimbursuar gjithsej 3,35 miliardë lekë. Gjatë këtij tremujori, rreth 0,86 miliardë lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numri i kërkesave FIFO të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qenë në total 286 me vlerë rreth 2,49 miliard lekë.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së janë regjistruar 388 kërkesa për rimbursim (nga 393 që ishin ne tremujorin e katërt 2020) me vlerë rreth 5,366 miliardë lekë, nga të cilat janë pranuar 289 kërkesa me vlerë rreth 4,057 miliard lekë dhe 99 kërkesa me vlerë rreth 1,309 miliardë lekë nuk janë pranuar për mosplotësim të kritereve ligjore”, thuhet në njoftimin zyrtar, ku theksohet po ashtu se në fund të 3 mujorit e fundit të 2021 stoku i rimbursimit të TVSH-së kapi vlerën rreth 0,48 miliard lekë, duke shënuar një rënie me 95% krahasuar me stokun në fund të tremujorit të katërt 2020.

“Administrata Tatimore i qëndroi objektivit që kishte në fillim të vitit 2021 duke çuar drejt zeros stokun e rimbursimit të TVSH-së në mbyllje të vitit 2021. Gjithashtu, kërkesat FIFO u rimbursuan të gjitha në afat, duke mos krijuar stok në fund të këtij tremujori”, mbyllet njoftimi i Tatimeve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular