BallinaOP EDApokalipsi nën shenjën e Apegas

Apokalipsi nën shenjën e Apegas

Nga Petrit NIKA

Në antikitetin grek, tirani i Spartës, Nabis, për të bërë zap qytetarët rebelë që refuzonin t’i paguanin taksat, ose detyrimet e tjera që ai u vinte padrejtësisht, si dhe i nxitur nga grykësia e tij prej grabitqari dhe karakteri i tij i keq, kishte shpikur një mjet ndëshkimi me një mekanizëm të thjeshtë, por vdekjeprurës për të gjithë ata që do të kishin fatin e keq të binin pre e zemërimit të tij dhe të familjes së tij. Ky mjet ishte një mekanizëm i thjeshtë, i konceptuar dhe i formësuar si një grua e bukur që kishte hapur krahët dhe fatkeqin e dehur, ose të detyruar, dukej sikur e ftonte në përqafim. Sipas Polibit, kjo makinë vrasëse, quhej Apega dhe ishte bërë në përngjasmim të fytyrës së gruas së vetë mbretit. Askush s’do guxonte të përzihej me portretin e gruas së mbretit për ta bërë atë karrem fatkeqësie për aq jetë njerëzore, përpos vetë atij, i cili e qeveriste bashkë me të kënetën e fatkeqësisë së njerzillëkut që kishte nën sundim.

Është e çuditshme, por e vërtetë: femrat e dhëna verbërisht pas pushtetit, nganjëherë ua kalojnë për mizori edhe vetë burrave. Pa hyrë për të bërë analogji me raste e raste të Apegave të mëparshme, apo të mëvonshme, të cilat janë kujtuar dhe do kujtohen për keq për sa të jetë jeta, tani dua ta socializoj paksa çështjen Apega duke e vërejtur në shoqërinë tonë të Apple-s.

A është sot Apega prezente diku në fshehtësinë e zyrave të institucioneve tona të shtetit, apo të partive politike? Askush nuk e shikon dhe askush e njeh një instrument apo qenie me një emër të tillë sot në këto mjedise, madje askush nuk kujtohet për të, as në ka ekzistuar ndonjëherë apo jo. Emri i saj, në të vërtetë rri i fshehur thellë nëpër librat e lashtësisë që përmbledhin ashtu si munden gjithë dramën e botës së vjetër. Dramat e reja nuk i lënë shumicën e njerëzve sot të shkojnë aq larg, sa të harxhojnë kohë pa bereqet. E ndoshta disa nuk i lë zdërhallja e botës luksoze që kanë krijuar për veten e tyre. Këtu libri dhe paraja tërhiqen nga pole krejt të kundërta. Por, pas përcaktimit që i bëra pak më lart, dhe pas atyre vëzhgimeve që do paraqes më poshtë, shumica besoj do jenë dakord me mua që Apega ekziston. Po, po, ekziston ende dhe mjerë kush bëhet prè e saj! Pa e ditur, viktima do të shkojë ta përqafojë atë dhe kunjat e tunxhit do t’i përfundojnë në mëlqi. Nga ai përqafim mjerani nuk ka për t’u shkëputur kurrë i gjallë. Apega sot është kudo ku është paraja dhe pushteti. Paraja e pushteti e duan aq shumë njëri – tjetrin sa s’bëjnë dot pa njëri tjetrin. Po Apega ç’hyn këtu në këtë mes? Hyn që çke me të, ngase ajo është bash vetë mbrojtësja e tyre. Fytyra e saj është përherë e qeshur, përherë rrëzëllitëse, përherë mikpritëse e madje ëngjëllore. Manteli i saj është i purpurt dhe i mëndafshtë. Duart e saja të shtrira të ftojnë gjithmonë në përqafim. Është pafundësisht joshëse, pafundësisht sensuale dhe çdo epitet tjetër përcaktues nuk do të ishte i tepërt për të.

Pikë së pari, Apega e sotshme është joshja e masmedias drejt parasë dhe pushtetit, që nuk e çon asgjëkundi tjetër masmedian, përvecëse në bjerrjen e rolit të saj dhe në humbjen e lirisë; është joshja e botës së parasë drejt politikës që e çon politikën drejt botës së parasë, duke prodhuar një pushtet tejet të verbër, arrogant dhe të njëanshëm. Së fundi, është domosdoshmëria e të dyjave për të ekzistuar përmes krimit. E gjithë kjo vorbull që ngre ajo përfshin popullin dhe të pamundurit. Kjo është Apega e kohës së Apple-s. Kur them para, dihet, paraja nuk bën përcaktime, apo dallime politike, dhe kur them politikë, unë vetë nuk kam parasysh ngjyra konkrete politike. I referohem me vetëdije vetëm termit që përcakton sipërmarrjen. Dhe kjo sipërmarrje konturohet, specifikohet e tonifikohet më pas nga vullnetet e karaktereve të individëve më të pushtetshëm që drejtojnë, më shumë se sa nga vetë programet përkatëse partiake që përfaqësojnë ata.

Janë vetëm individët drejtues në fakt ata që duhet të ngarkohen me përgjegjësi, jo partitë. Janë ata që gëzojnë benefitet dhe shpërdorojnë pushtetin protagonistët që e sjellin këtë apokalips social. Posedimi i të gjitha benefiteve dhe shpërdorimi i pushtetit i vë këta individë drejtues në kundërshtim me programet dhe i çon më pas drejt gabimeve të njëpasnjëshme, të cilat e kthejnë pushtetin në dhunë dhe diktaturë. Partitë, thjeshtë duhet të ruajnë vetveten nga zullumi i të parëve, ku futen me gjithësej: drejtuesit e tyre, media, paraja dhe Apega. Por kjo nuk ndodh kollaj. Partitë janë turma, njerëz të të gjitha gjasave që besojnë në gjasa dhe kur lodhen së prituri gjasat e tyre dhe ato nuk bëhen kurrë realitet, besojnë në të tjera gjasa e kështu vazhdon pritja pambarim, zhgënjimi pa mbarim, shpresa pambarim, me muaj, me vite, me dekada e me breza.

Dhe Apega vazhdon të ekzistojë në çdo kupolë. Ajo thjeshtë modifikohet. Por vazhdon të ekzistojë. Herë më dukshëm, herë më e tërhequr në hije. Dhe vazhdimisht bën zullum. Viktimat e saj janë të gjithë ata që bien ndesh me pushtetin, por ajo shpesh vepron duke prodhuar drama e tragjedi edhe kur thjeshtë supozohet se një palë, ose individë të ndryshëm bien ndesh me pushtetin. Ajo nuk ka tashmë në kohën tonë prani fizike, si ai mekanizmi i lashtë i tiranit të Spartës. Është thjesht një nocion, koncept, ose më mirë të themi është thjeshtë një fenomen në veprim.

Ekzistenca e saj duhet të mendohet si prani, pikërisht atëherë kur ajri i qetë i lirisë fillon të bëhet i rëndë dhe mbytës nga hija e frikës; kur njerëzit e thjeshtë fillojnë të përçartin nëpër dhëmbë në shtëpi, në rrugë, në kafene; kur tribunët e tyre flasin për gjëra në përgjithësi dhe i shmangen thelbit në diskutimet e tyre në tribuna, dhe sidomos kur sheh se si bie në fatkeqësi ndonjë syresh që ende ka guxuar, ose ndonjë që nuk ka qenë dhe aq në raporte dashamirëse me pushtetin ose paranë.

Kjo është simptoma e dukshme e apokalipsit nën shenjën e Apegas. Apega është shpikja djallëzore e njeriut të pushtetit të dhunshëm, për të prodhuar vetëm dhunë dhe zullum. Shoqëritë e sotme duhet ta parandjejnë atë dhe ta parandalojnë. Më vonë do jetë tepër vonë! /Opinion.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular