Komisioni i Rregullores së Kuvendit dhe Mandateve vendosi dje të shtyjë deri më 25 shkurt afatin e përfundimit të Komisionit Hetimor për Inceneratorët, të cilit i përfundoi mandati 3-mujor më 28 janar.
Ky vendim erdhi pas kërkesës e opozitës për zgjatje mandati me qëllim për t’i shkruar deri në fund asaj, të cilën ajo e konsideron afera korruptive e inceneratorëve. Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, pas këtij vendimi deklaroi se PS-ja dështoi të bllokojë hetimin e kësaj afere dhe vënies përpara pyetjeve të dëshmitarëve të kërkuar nga opozita. Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët tha se PD-ja nuk dorëzohet në këtë çështje dhe opozita e ka të qartë që inceneratorët janë testi për politikën dhe drejtësinë e re! “Komisioni i Rregullores miratoi zbatimin e Rregullores së Kuvendit, duke dërguar deri në 25 shkurt ditën e mbylljes së këtij komisioni dhe duke i hapur rrugë planit të hetimit të propozuar nga Partia Demokratike në këtë komision.
Për ditë me radhë kam zhvilluar takime intensive me çdo faktor për të vijuar punën e Komisionit që padrejtësisht u ndërpre me votën kundër për planin e hetimit, duke kërkuar që të mbyllet veprimtaria dhe të pengohet thirrja e dëshmitarëve! Një plan hetimor që u votua kundër dhe bllokua politikisht nga socialistët në mbledhjen e fundit të Komisionit të Inceneratorëve. Taktikat e tyre dështuan dhe qytetarët do të kenë mundësinë të shohin dhe dëgjojnë prova për këtë aferë. Afera e inceneratorëve ka qenë një prej çështjeve që ka dëshmuar se si shteti është kapur nga interesa korruptive dhe okulte. Ne, nuk dorëzohemi edhe as intimidohemi nga akuzat e pabaza të atyre që akuzat i kanë mburojë për veten e tyre dhe as prej atyre që korrupsionin e kanë shndërruar në arsyen e qeverisjes. E kemi të qartë që inceneratorët janë testi për politikën dhe drejtësinë e re!Partia Demokratike ka dëshmuar dhe po dëshmon përditë angazhimin maksimal në interesin e qytetarëve dhe jo të oligarkisë politikoekonomike që i mban peng shqiptarët në pellgun e tranzicionit!”, shkruan Tabaku në “Facebook”.
DËSHMITARËT
Kryeministri Edi Rama është emri i parë që PD-ja ka vendosur në listën e dëshmitarëve të planit të propozuar për hetimin e inceneratorëve. Lista e plotë përbëhet nga 28 emra dhe në të janë zyrtarë të lartë të PS-së, 3 kryebashkiakë, pronarët dhe administratorët e kompanive që fituan koncesionet dhe ndërtuan inceneratorët, si dhe gazetarë që denoncuan aferën dhe janë përballur me sulme dhe padi nga pronarët e kompanive të inceneratorëve. Ish-ministri i Ekonomisë dhe zëvendëskryeministri aktual Arben Ahmetaj, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i arrestuar nga SPAK-u për këtë çështje, deputeti i PS-së Alqi Bllako, të cilët janë në krye të listës së dëshmitarëve, së bashku me ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
Të gjithë këta zyrtarë të lartë të qeverisë pritet të dëshmojnë nëse kanë dijeni për procedurat e ndjekura për dhënien me koncesion të ndërtimit të tre impianteve të përpunimit të plehrave në Elbasan, Fier dhe Tiranë që është edhe objekti i hetimit të Komisionit Parlamentar. Pjesë e listës së dëshmitarëve janë edhe 4 kryebashkiakë socialistë, Erion Veliaj, Armando Subashi, Emiriana Sako dhe ish-Kkryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini. Lista e dëshmitarëve vazhdon me pronarët e kompanive, të cilat fituan PPPtë dhe nënshkruan kontratat për ngritjen e impianteve të trajtimit të mbetjeve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja.
Po ashtu, kësaj liste nuk i mungon as disa gazetarë dhe punonjës të medias të cilët denoncuan aferën korruptive, por edhe u përballen me presionin dhe paditë në Gjykata nga pronarët e kompanive, që sipas tyre u bënë me qëllim për t’u mbyllur gojën nga denoncimet. Mbledhja e parë e komisionit pas shtyrjes së afatit do të fillojë ditën e hënë dhe do të nisë me thirrjen e dëshmitarëve. Për Tabakun, “qytetarët do kenë mundësinë të dëgjojnë dëshmitë e atyre që kanë firmosur për ngritjen e inceneratorëve të korrupsionit me vlerë mbi 430 mln euro”. Kryetarja e Komisionit thekson se: “Nga e hëna, rinis puna që u vonua prej avokatisë politike dhe do të thërriten dëshmitarët”.
MBËSHTETJA SHBA-BE
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim deklaron se mirëpret zgjatjen e afatit të Komisionit Parlamentar për Inceneratorët. Përmes një mesazhi në “Twitter”, Yuri Kim shprehet se SHBA-ja e ka prioritet forcimin e institucioneve dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Ambasadorja amerikane ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve është çelësi i demokracisë, ndërsa vë në dukje se do ta ndjekë nga afër këtë çështje.
”Forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta kundër korrupsionit janë prioritetet e SHBA-së në Shqipëri. Mirëpresim zgjatjen e afateve të Komisionit Parlamentar për Inceneratorët. Ne u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve dhe institucioneve përkatëse të shqyrtojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. Do ta ndjekim nga afër. Përgjegjësia është çelësi i demokracisë”, shprehet Yuri Kim në rrjetet sociale.
Po ashtu edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka përshëndetur zgjatjen e afateve të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët deri më 25 shkurt. Përmes një mesazhi në “Twitter”, Soreca shprehet se lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe llogaridhënia janë prioritetet kryesore të BE-së. “E rëndësishme është që puna e Komisionit Hetimor të Parlamentit për Inceneratorët të vazhdojë. Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet kryesore të BE-së. Lufta kundër korrupsionit është një prioritet kryesor për BE-në dhe për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkruan Soreca.