Nga Bujar Leskaj
Uroj nga zemra të gjithë besimtarët bektashinj: “Gëzuar festën e Sulltan Novruzit!”
Novruzi që ndryshe njihet si (Novrouz, Nooruz, Navruz, Nauroz ose Nevruz), në gjuhën perse do të thotë “Ditë e Re” dhe është festuar për më shumë se 3000 vite.
Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Në kalendarin iranian sot është dita e parë e vitit që daton gjithashtu me ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës.
Sulltan Novruzi festohet në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri. Shumica e vendeve në botë e festojnë më 21 mars, ndërsa në vendin tonë 22 mars.
Zakonisht, kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita tek njëri-tjeri dhe më pas kryejnë ritet fetare, ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe sipas traditës shpërndajnë qumësht dhe sherbet duke simbolizuar kështu pastrimin e trupit dhe shpirtit.
Në ditën e festës, mbillen lule, ose vendosen degë ulliri në hyrje të portave të shtëpive.
Pjatat tradicionale të Novruzit janë byreku me monedhën brenda, që sipas traditës kush e gjen nga pjestarët e familjes e pret një vit i mbarë dhe ëmbëlsira tradicionale që është sultjashi, e cila në bazë të saj ka qumështin që simbolizon qumështin e nënës, orizin që simbolizon bollëkun.
Gëzuar!
Fat, begati e paqe për të gjithë!