BallinaOP EDPesha e Foltores!/Nga Besart Logu

Pesha e Foltores!/Nga Besart Logu

Nga Besart Logu

Për të kuptuar se sa pa peshë është Foltorja në jetën politike dhe institucionale mjafton të ndjekësh procesin për zgjedhjen e Presidentit. Kërkon me çdo kusht që të jetë ajo negociatore. Dhe për këtë, në Kuvendin e Foltores (të 30 prillit) shkarkoi kreun e grupit parlamentar ndërsa dje, në Këshillin Kombëtar të Foltores, u miratua një rezolutë e cila parashikon mandatimin e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë gjërat janë shumë më të thjeshta nga sa i vështirëson dhe bën zhurmë Foltorja. Neni 87 i Kushtetutës parashikon se; “kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.” Pra, mjaftojnë 20 firma që Foltorja të bëhet pjesë e këtij procesi. Shumë e thjeshtë! Pse duhej bërë i gjithë ky show me kuvende, shkarkime dhe rezoluta?! Sepse Foltorja nuk ka peshë në jetën politike dhe institucionale. Qasja e saj ndaj zhvillimeve të fundit ka bërë që të braktiset jo vetëm nga aleatët e jashtëm por dhe nga ato të brëndshëm. Deri tani dihet qëndrimi pro Foltores i 15 deputetëve të PD, e nëse do të bashkonin votat edhe LSI, PR, PAA bashkë me PDIU, minimumi që ka vendosur Kushtetuta për propozimin e Presidentit do të arrihej madje dhe do të kalohej. Por jo, Foltoren nuk e ndjek njeri. Prandaj kanë ndezur motorrët mediat e Trekëndëshit të Bermudes dhe nxjerrin sondazhe të bëra me porosi, mbushin panelet me analistë që flasin me superlativa për Foltoren dhe nxijnë e balotosin këdo që nuk ndjek linjën e saj. E keni parë kush del në emisionet “prime time” ti bëjë oponencë Foltores? Baton Haxhiu, Alban Dudushi, Arjan Curri apo ndonjë përfaqësues i shoqërisë civile. Njerëz që nuk e njohin fare PD apo dinë rreth saj vetëm çfarë dëgjojnë nëpër kafene. Ndërkohë, demokratë që nuk i janë bashkuar aksionit politik të Foltores dhe që mund të argumentojnë se PD është shumë më shumë se ky grupim ka nga çdo nivel drejtues, duke filluar nga grupi parlamentar, anëtar të Kryesisë, të KK, kryetarë degësh apo drejtues të tjerë të strukturave vendore. Por jo, këta nuk duhen sepse flasin ndryshe nga Batoni e Dudushi. Ata e dinë mirë se ku i dhemb PD dhe se çfarë i duhet të dalë nga agonia. Ata flasin me pasion dhe ndjenjë për PD sepse është mundi dhe djersa e tyre. Dinë historinë dhe zhvillimin e ngjarjeve që nga themelimi i kësaj force politike e deri në ditët e sotme. Janë palca kurrizore e PD, e si të tillë janë të prirur ta mbajnë në këmbë. Ndërsa Batoni me Dudushin nuk kanë lidhje me PD, nuk i dhimbset ajo. Për më tepër, janë në mision të krijojnë bindjen se Foltorja është PD dhe se atë grusht njerëzish që e kundërshtojnë po i mbrojmë ne, klani Ramës. Diversion i pastër që duhet refuzuar. Kush di të lexojë kupton qartë se Foltorja ka marrë trajtën e një realiteti mediatik dhe se kostumi që po i pret media nuk ka lidhje me përmasat reale që ka. Kjo është e vërteta e peshës së Foltores tej magjisë që dhuron ekrani. Ajo mund të mbajë kuvendet e saj, të miratojë rezoluta apo të shkarkojë këdo që i del para, ama 20 deputetë në parlament nuk i bën dot. Kështu që, nuk ka pse të ushtrojë presion ndaj askujt por ti bindet vullnetit të shumicës brënda grupit parlamentar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular