BallinaEkonomiRruga e Arbrit, kontrata e ndërtimit mbaroi në Prill, por rruga është...

Rruga e Arbrit, kontrata e ndërtimit mbaroi në Prill, por rruga është akoma larg përfundimit

spot_img
spot_img

Edhe Rruga e Arbrit nuk ia doli të jetë një premtim i mbajtur nga politikanët shqiptare. Si të gjitha investimet e tjera publike, edhe kjo është futur në qerthullin e shtyrjes së afateve, që më shumë se sa një problem real, duket një problem “teknik” për të nxjerrë më shumë fonde nga buxheti i shtetit, ose thënë më drejtpërdrejtë, nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

Nga Bujar Karoshi

Më 20 prill 2019, kur një grup nga shoqata e Lidhja e Intelektualeve Dibranë vizituan kantierin e punimeve në Rrugën e Arbrit në Klos, punohej me ngritjen e këmbëve të Urës së Vashës. Ndërkohë ishte hapur tuneli T5, që të çonte të kjo urë dhe po punohej për hapjen e tunelit T4 në drejtim të urës së Lezedres mbi katundin Fshat. Gjithashtu, ishte e hapur traseja e rrugës në Gjoricë si dhe ura mbi lumin Drin.

Në foto: Një grup nga shoqata Lidhja e Intelektualëve Dibranë gjatë vizitës në katinerin e rrugës së Arbrit në Klos, prill 2019. Në tabelën pas shkruhet se afati i ndërtimit është 44 muaj. Nga botimi i kontratës koncensionare në fletoren zyrtare në prill 2018 deri më tani, kanë kaluar 48 muaj. Ndërsa nga ceremona zyrtare e zhvilluar në Klos më 17 qershor 2018, deri më tani janë 46 muaj.

Deri atëherë gjithçka dukej në rregull me punimet. Jo vetëm deklaratat e drejtuesve të kompanisë për punime para afatit, por edhe deklarata që dilnin nga zyrtarët e qeverisë, që më në fund një vepër publike do të mbyllej në afat, me cilësinë dhe standarde që do të shiheshin për herë të parë në Shqipëri.
Deklaratat optimiste nuk munguan as në hapjen provizore më 28 nëntor 2021, ku Belinda Balluku, ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, tha se “në Prill 2022 rruga do të jetë e hapur në të gjithë gjatësinë e saj, përjashtuar tunelin e Murrizit”.
Edhe Rruga e Arbrit nuk ia doli të jetë një premtim i mbajtur nga politikanët shqiptare. Si të gjitha investimet e tjera publike, edhe kjo është futur në qerthullin e shtyrjes së afateve, që më shumë se sa një problem real, duket një problem “teknik” për të nxjerrë më shumë fonde nga buxheti i shtetit, ose thënë më drejtpërdrejtë, nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

17 vjet punime “nis e ndalo”
Punimet e para në Rrugën e Arbrit kanë filluar 17 vite më parë, më 3 korrik 2005, kur një ekskavator gërmoi pak dhè në Fushë Bulqizë, te vendi i quajtur Gurët e Skënderbeut, sa për të prerë kryeministri i atëhershëm një shirit inaugurimi.
Tenderi i parë për një segment të rrugës nga Bulqiza te Ura e Çerenecit u zhvillua në tetor 2007 për të filluar punimet në fund të atij viti. Disa segmente të tjera, nga Bulqiza drejt Urës së Vashës dhe nga Tirana për në Qafë të Tujanit janë tenderuar ne pranverë 2011, për të përfunduar sipas kontratave në mesin e vitit 2013. Që prej atëherë, në këto segmente nuk është ndërhyrë fare (luginës së Planit të Bardhë), ose fare pak në qafë të Tujanit. Këto dy segmente janë përfshirë në kontratën koncesionare me kompaninë “Gjoka Konstruksion”, si dhe dy akset lidhëse Maqellarë-Bllatë dhe rruga lidhëse me qytetin e Klosit.

Projekti kombëtar – ndryshe në fjalime, ndryshe në realitet

“Ky (Rruga e Arbrit) është një projekt kombëtar, është një projekt shumë i rëndësishëm jo vetëm për ju, por është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Është një projekt që nuk garanton thjeshtë lëvizjen, nuk shkurton lëvizjen thjeshtë, po garanton një zhvillim për një territor të tërë që tani është jashtë hapësirës së zhvillimit dhe është një projekt që për ne hyn tek projektet strategjike që ne do ta çojmë përpara me shumë vullnet”, – ka thënë Edi Rama, atëherë si kryetar i Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale në Klos më 12 qershor 2013.
Të njëjtën gjë Kryeministri e tha edhe në prezantimin e programit të qeverisë në parlament më 11 shtator 2013. Duke folur për pikat e rëndësishme të programit të qeverisë së tij, ai përmendi “Projektin e zhvillimit në infrastrukturë duke nisur nga Rruga e Arbrit si prioritet…”.

Deri më tani janë ivestuar në rrugë mbi 150 milionë euro, nga të cilat 70 milionë janë marrë kredi nga kompania te BKT dhe mbi 82 milionë janë paguar nga buxheti i shtetit.

Kinezët, siç erdhën ikën
Nisur nga këto premtime – dhe shumë të tjera, më 16 dhjetor 2014, kryeministri njoftoi përmes faqes së tij në Facebook se “U nënshkrua mbrëmë memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nise vitin e ardhshëm” (2015-shën. ynë)
Katër muaj më vonë, më 16 prill 2015, Kuvendi i Shqipërisë, me 89 vota “Pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, i hapi rrugën fillimit të një procedure të veçantë për negocimin e kontratës koncensionare me shoqërinë kineze “China State Construction Company”.
Kryeministri dhe anëtarët e qeverisë vazhdonin të këmbëngulnin se negociatat vazhdonin deri në arritjen e një marrëveshje të kënaqshme, ndërkohë që jo zyrtarisht kompanitë kineze ishte tërhequr. Lajmi u bë i ditur për publikun vetëm në tetor 2016, kur media njoftoi tërheqjen e kompanisë kineze.
Pavarësisht kësaj, Kryeministri Edi Rama, tha atëherë në Peshkopi, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme lokale në gusht 2016, se “Unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit, pa bërë Rrugën e Arbrit.”

Propozimi i pa kërkuar: Nis me 27 kilometra, përfundon me 69
Në shtator 2016, kompania “Gjoka Konstruksion” i propozoi qeverisë shqiptare të përfundojë të gjithë Rrugën e Arbërit, jo vetëm 27 kilometra e mbetura, për një vlerë prej 190 milion dollarësh.
“Dëshira jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë, që pavarësisht se kush do jetë kompania që do e marrë përsipër, ajo rrugë të përfundojë dhe të vihet në operim. Si rrjedhojë e kësaj dëshire të madhe, ne i kemi bërë një propozim qeverisë Shqiptare para disa muajsh, për ndërtimin e plotë të të gjithë pjesës së mbetur të Rrugës së Arbrit. Koha e realizimit të punimeve 3 vjet dhe me një kosto shumë më të ulet se ajo e kompanisë kineze dhe standard më të lartë teknik”. – pati thënë në atë kohë në një përgjigje me email për gazetën, Erind Gjoka, përfaqësues i kompanisë.
Më 12 prill 2017, me vendimin nr. 321, qeveria shqiptare i dha kompanisë “Gjoka Konstruksion” 10% bonues për tenderin për dhënien me koncension të Rrugës së Arbrit. Sipas propozimit të shoqërisë “Gjoka Konstruksion”, rruga do të jetë në total 69 km, me standard C2 dhe me një tunel, i cili plotëson të gjitha kushtet e sigurisë sipas direktivave të BE-së, pasi do ketë edhe tubin e dytë (të emergjencës). Oferta e shoqërisë “Gjoka Konstruksion”, për ndërtimin e rrugës brenda 46 muajsh është 33 600 000 000 lekë, rreth 249 milione Euro, pa TVSH.
Në gusht 2017 u hap tenderi dhe më 2 tetor 2017 hapet dokumentacioni i tenderit në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe
Energjisë. Kompania e vetme që rezultoi se ka plotësuar dokumentacionin dhe ka dhënë një ofertë financiare është “Gjoka Konstruksion”. Oferta: 33,6 miliardë lekë. Dy operatorët e tjerë, “Adem Pojani” dhe “Alb-Star” shpk rezultuan me probleme në dokumentacion
Qeveria shqiptare e shiti këtë tender si një sukses të saj në nëntor 2017, gjatë një takimi në zhvilluar në Peshkopi, në kuadrin e një mbledhje të qeverisë atje.
“Rruga e Arbrit është shfaqur si premtim, sa herë janë shfaqur këtu politikanët, kur u janë dashur votat dhe është harruar si premtim, sa herë kanë mbaruar zgjedhjet, deri kur ne e morëm seriozisht përsipër këtë zotim, me vetëdijen se Rruga e Arbrit nuk është thjeshtë një rrugë që do lidhë një zonë me një zonë, por është një zhvillim strategjik për ekonominë, për punësimin dhe padyshim për turizmin, që do të sjellë shumë zhvillim dhe shumë punësim në të gjithë këtë zonë.” – tha kryeministri në atë takim.

Punimet nisin para nënshkrimit të kontratës
Pavarësisht se firma mbi kontratë nuk ishte hedhur akoma, në dhjetor 2017, fillojnë punimet në Rrugën e Arbrit te vendi i quajtur Ura e Çerenecit, nga kompania “Selami” shpk, si palë nënkontraktore. Po në këtë periudhë punimet filluan edhe në Zall Dajt, përgjatë lumit të Tiranës.
Tre muaj më vonë, më 29 mars 2018, qeveria shqiptarë miratoi kontratën e koncesionit/PPP, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe shoqërisë “Gjoka Konstruksion”, sh.a., për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit, duke i dhënë autoritet të plotë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Më 11 prill 2018, kontrata koncensionare me kompaninë “Gjoka Konstruksion” u botua në fletoren zyrtare.
Më 17 qershor 2018 në Klos u zhvillua ceremonia zyrtare e hapjes së punimeve. Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka pati thënë në ceremoninë e nisjes së punimeve, se pavarësisht se në kontratë punimet janë parashikuar të zgjasin 44 muaj (rreth 4 vite), ai theksoi se ato do të mbaronin për dy vite, duke e shkurtuar shumë kështu kohën e ndërtimit.
Një muaj më vonë, më 18 korrik 2018, kryeministri Edi Rama, përmes një video prej 3 minutash publikuar në faqen e tij zyrtare në FB, informoi për vazhdimin e punimeve në Rrugën e Arbrit përgjatë lumit në Zall Bastar, si dhe nisjen e punimeve në Tunelin e Murrizit, më i madhi dhe më i rëndësishmi në këtë aks rrugor.
Tuneli i Murrizt, sipas titrave të shfaqura në video, ka avancuar 20 metra, ndërsa dy tunelet e tjerë në Klos kanë avancuar përkatësisht 90 dhe 281 metra, duke informuar kështu se punimet e kompanisë po ecin me shpejtësi.
Nëntë muaj më vonë, më 27 prill 2019, gjatë një vizite në kantierin në hyrje të tunelit të Murrizit, një nga inxhinierët e punimeve në tunel, u tha vizitorëve se punimet po ecnin normalisht.
“Tuneli ka ecur mbi 300 metra”, u tha ai anëtarëve të shoqatës së Intelektualëve Dibranë. Por vetëm një muaj më vonë u bë e ditur se tuneli ishte shembur. Arsyet nuk u bënë kurrë të ditura. Kompania i mbylli galeritë, ndërsa filloi punë për hapjen e tunelit në një kantier tjetër.
Deri në nëntor 2021 dukej se punimet ecnin normalisht. Premtimi për hapjen 6 muaj përpara afatit nuk u realizua, por shpresohej që punimet në segmentin Ura e Vashës – Plani i Bardhë të përfundonin në prill të këtij viti. Por kjo nuk ndodhi dhe nuk dihet kur do të ndodhë. Sepse të vetmet makineri që punojnë në terren, janë ato që punojnë në një kantier të kthyer në gurore pranë Urës së Vashës.
Ndërkohë, edhe segmentet e hapura për qarkullim, pas një dimri të vështirë me reshje, kanë filluar të shfaqin probleme për qarkullimin. Fundosje të trasesë së rrugës, hapje gropash mbi asfalt apo mungesa e sinjalistikës së sigurisë, mund të shoqërohet me probleme gjatë muajve që vijnë. Rritja e qarkullimit në këtë aks, sidomos gjatë verës përmes by-passit, mund të jetë i rrezikshëm për qytetarët.

Qeveria korrekte me pagesat
Në lidhje me financimin e saj, një nga debatet e hapura, Gjoka theksoi në takimin e Klosit se ka siguruar një mbështetje financiare nga Banka Kombëtare Tregtare një shumë prej 70 milionë eurosh, mbështetur edhe nga projekti i qeverisë shqiptare “1 miliardë për rindërtimin”.
Gjatë periudhës së pandemisë, opozita e pati futur Rrugën e Arbrit në listën e projekteve që duhej t’i ndërpritej financimi, megjithatë qeveria shqiptare, përveç ndonjë vonese me pak ditë, ka qenë korrekte me kompaninë.
Më 22 janar 2019 kompania ka marrë këstin e parë nga qeveria si pagesë për Rrugën e Arbrit në shumën rreth 20 milionë Euro (2,520,000,000 lekë). Këstin e fundit prej 420 milionë lekësh (rreth 3.5 milionë euro) e ka marrë më 18 mars 2022. Deri më tani shteti ka paguar 9.9 miliardë lekë (9,900,000,000.00) ose rreth 82.5 milionë euro ndarë në 14 këste.
Në pagesat për Rrugën e Arbrit qeveria ka vendosur edhe një shtesë buxheti prej 20 milionë euro për punime të paparashikuara në tunelin e Murrizit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular