Një qytetar burgoset nëse ngul një gozhdë pa leje, por bashkia e Tiranës, nesër do të mburret se ka ndërtuar pa leje një godinë të tërë në mes të Tiranës.
Është skandali me gjimnazin “Sami Frashëri”, që u prish gjoja si i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por që do të inaugurohet në vjeshtë, si sukses i Erjon Veliajt, që nisi dhe po përfundon ndërtimin, me leje të marrë pas dy vitesh.
Një dokument i lëshuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, pranë Kryeministrisë, që mban datën 9 maj 2022, duke iu përgjigjur një kërkese të qendrës “Respublica” zbulon se leja e ndërtimit të gjimnazit është dhënë më 16 mars 2022, kur kishte përfunduar shumica e punimeve të nisura dy vite më parë.
Godina e gjimnazit u prish gjoja e dëmtuar nga tërmeti, edhe pse bashkia kishte harxhuar qindra milionë lekë për rikonstruksion në vitin 2018 dhe ishte, sipas qeverisë, një nga 160 shkollat që po rindërtohen në kuadër të programit të Rindërtimit, për t’u kthyer në një simbol të arkitekturës moderne me 48 klasa ku do të mësojnë 1400 nxënës.
Në fund të vitit 2020, përmes deputetes Jorida Tabaku, PD-ja akuzonte bashkinë e Tiranës se po gënjente publikisht për arsyet e shembjes. Sipas saj, në prill të vitit 2020, Erion Veliaj, kur e gjithë Shqipëria ishte mbyllur nga pandemia prishi shkollën e mesme “Sami Frashëri”, pa asnjë plan dhe asnjë projekt.
Për 6 muaj me radhë gërmadhat e shkollës “Sami Frashëri” ishin aty në oborr, ndërkohë që tenderat dështonin një nga një Erion Veliaj gënjente publikisht për arsyet e shembjes të shkollës ashtu siç gënjente publikisht dhe për fondet që do të përdoreshin për rikonstruksionin shkollën.
Ndërsa Erion Veliaj deklaronte në shkurt 2020 se: “Shkolla “Sami Frashëri” do të jetë e para që do të përfitojë nga grantet e qeverisë të fituara në Bruksel për bashkinë e Tiranës”, Tabaku shprehej se “Kjo shkollë nuk ndërtohet nga fondet e Bashkimit Europian por nga paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe të Shqipërisë.
Ky është një fakt që vërtetohet si nga dokumentet e Bashkimit Europian dhe të UNDP-së, por njëkohësisht dhe nga tabela që është shfaqur vetëm dje në hyrje të shkollës”.
Vlera e investimit në këtë shkollë të ndërtuar pa leje pritet që të jetë rreth 4.5 milionë euro./Shekulli/