BallinaOP EDAplikimi i modelit të arsimi të lartë Dual në shkencat zooteknike në...

Aplikimi i modelit të arsimi të lartë Dual në shkencat zooteknike në UBT

Prof. Dr. Myqerem Tafaj
Universiteti Bujqësor i Tiranës

Arsimi i kombinuar ose integruar me praktikën (i njohur në gjermanisht me emërtimin “Duale berufliche Bildung”, dhe i përhapur në Europë zakonisht me emërtimin “Dual”) është një model shumë i suksesshëm arsimimi edhe në arsimin e lartë në shkencat bujqësore.

Ky model origjinon nga arsimi i mesëm profesional. Në vitet 60-të ky model filloi të aplikohet edhe në arsimin e lartë, përkatësisht në shkolla të larta të tipit “Berufsakademie”. Modeli i studimeve universitare Duale realizon më mirë ndërlidhjen e studimeve teorike në auditor me praktikën.

Në arsimin e lartë Dual në shkencat bujqësore, formimi universitar është rezultat i kombinimit, thuajse në mënyrë të barabartë, i formimit teorik në klasë me atë praktik direkt në jetën reale të praktikës, fermës, biznesit, etj. Ky model i arsimit të lartë universitar origjinon dhe është më i zhvilluar në Gjermani, por ai është i përhapur edhe në shumë vende të tjera, si Austria, Zvicra, Finlanda, Hollanda, Danimarka, Sllovenia, dhe vende të tjera të botës me disa përshtatje që nuk prekin folozofinë e modelit.

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) po përshtat këtë model në studimet universitare, duke filluar me programin Bachelor në shkencat zooteknike, për t’i paraprirë aftësive dhe kompetencave që kërkon tregu i punës dhe zhvillimit i  sektorit të blegtorisë, cilësisë dhe sigurisë së ushqimeve shtazore për njeriun.

Blegtoria zë rreth 48% të prodhimit bujqësor të vendit tonë. Përvec rëndësisë së madhe që ka bujqësia në tërësi në ekonominë e vendit (rreth 22% të PPB) dhe në punësim (rreth 39 % e forcave aktive të punës), ky sektor ka edhe një rëndësi strategjike për vendin, sepse ai prodhon ushqimin për popullatën. Agresioni rus në Ukrainë ka sjellë shumë sfida të reja për bujqësinë në shkallë globale, përfshirë edhe vendin tonë, për sa i takon politikave dhe prioriteteve të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë. Nga ana tjetër, zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë i shërben direkt zhvillimit harmonik te rajoneve të vendit tonë, zhvillimit të zonave rurale, si dhe frenimit të largimit të popullatës, sidomos të të rinjve, prej tyre.

Blegtoria e vendit tonë ka një strukturë në të cilën mbizotërojnë ripërtypësit (gjedhi dhe bagëtitë e imta) që zënë rreth 80 % të saj dhe  mbarështohen kryesisht në fermat të vogla familjare (rreth 80 % e fermave), ndërkohë që fermat e mesme dhe të mëdha zënë rreth 20 % të numrit total të fermave. Në dekadën e fundit evidentohet një prirje e uljes së numrit të krerëve, por e shoqëruar me një rritje të madhësisë së fermës, e cila është ende e dobët. Madhësia mesatare e sipërfaqes së tokës së fermave tona luhatet nga 0,8 deri 1,26 ha me një numër mesatar krerësh 1,5 – 3 krerë gjedh, 10 -15 krerë dhen dhe 4 – 8 krerë dhi. Speciet e shpendëve dhe të derrit zënë akoma më pak se 20 % në strukurën e saj.

Shqipëria ka kushtet ideale agroklimatike dhe resurse të mëdha natyrore për zhvillimin e blegtorisë. Kushtet e favorshme agroklimatike, toka me pjellori të lartë, resurset e konsiderueshme natyrore (sidomos fondi i madh kullosor i vendit  me një sipërfaqe prej rreth 420 mijë ha afërsisht e njëjtë me atë të tokës bujqësore të mbjellë) mundësojne një prodhim shumë më të madh blegtoral se sa ai që realizohet aktualisht. Vendi ynë ka gjithashtu një traditë të vyer në zhvillimin e blegtorisë, sidomos të bagëtive të imta. Ekonomisti agrar Dr. Zavalani, në disertacionin e tij, në vitin 1938, e karakterizon bujqësinë shqiptare të mbizotëruar nga blegtoria e imët, duke e bërë vendin tonë vend eksportues të disa prodhimeve blegtorale nga bagëtitë e imta.

Largimi i popullsisë nga zonat rurale, sidomos i të rinjve, dhe vlerësimi i pamjaftueshëm i vendit dhe rolit të këtij sektorit në ekonominë e vendit tone në politikëbërjen e këtyre  tre dekadave, nuk e ka favorizuar zhvillimin e shpejt të blegtorisë në vendin tonë. Kjo ka bërë që prodhimi blegtoral në vendin tonë të jetë ende shumë larg mundësive potenciale dhe prodhimtaria mesatare për krerë (produktiviteti) në blegtori të jetë, 2-3 herë më e ulët se sa ajo mesatare e vendeve të zhvilluara, madje krahasuar edhe me disa vende të Rajonit (p.sh. prodhimtaria mesatare e qumështit për krerë lopë në vendin tonë është rreth 3000 kg/vit, ndërkohë që Sllovenia realizon një prodhimtari mesatare për lopë rreth 9000 kg/vit). Prodhimi i ulët blegtoral ka bërë që bilanci eksport/import i ushqimeve shtazore për popullatën të mbetet ende shumë negativ, cmimet e qumështit, mishit, vezëve dhe nënprodukteve të tyre të jenë ndër më të lartat në Europë dhe aftësia konkurruese e prodhuesve të vendit të jetë shumë e ulët. Së këtejmi, sipas mendimit tim, përparësi kryesore mbetet rritja e produktivitetit si rrugë kryesore e rritjes së prodhimit blegtoral në tërësi, cka është plotësisht e mundur për kushtet e favorshme të vendit tonë. Kjo do të conte në (i) rritjen e prodhimit të ushqimeve shtazore për popullatën, (ii) rritjen e shkallës së plotësimit të nevojave te tregut të brendshëm të konsumit dhe të atyre të industrisë agroushqimore, (iii) uljen e vëllimit ende të madh të importeve të ushqimeve shtazore e rritjen e eksporteve të disa produkteve blegtorale tradicionale (kryesisht mishi i bagëtive të imta, nënproduktet tradicionale të qumështit, etj.), (iv) zgjerimin e tregut të punës dhe rritjen e numrit të të punësuarve në këtë sektor, (v) uljen e kostos së prodhimit të produkteve blegtorale e rritjen e aftësisë konkurruese të fermave blegtorale, si dhe (vi) zbutjen e efekteve negative të blegtorisë në mjedis (sidomos emisioni i metanit, dyoksidit të karbonit dhe eleminimi i lëndëve të pashfrytëzuara të ushqimit të blegtorisë, sidomos P, N, dhe K,  në tokë dhe ujra).

Rritja e produktivitetit dhe prodhimit blegtoral ballafaqohet jo vetëm me sfida strukturore të madhësisë së fermës, nivelin e ulët të investimit dhe të mbështetjes financiare të sektorit të blegtorisë, nivelin ende të ulët të teknologjisë që aplikohet, por edhe me një sfidë tjetër, ndoshta edhe më të rëndësishme. Eshtë fjala për Dijen bashkëkohore dhe burimet njerëzore të mirëshkolluara.

Cfarë aftësish kërkon nga të diplomuarit tregu i punës i lidhur me sektorin e blegtorisë?

Tregu i punës i këtij sektori për të shkolluarit në zootekni është ende i pazhvilluar mirë, për shkak të mosvlerësimit të rolit të kësaj figure profesionale në zhvillimin e sektorit, si dhe deformimeve të tjera, edhe për shkaqe subjektive. Por rritja e produktivitetit dhe e prodhimit blegtoral, diversifikimi i tij, rritja e kërkesave dhe standarteve për cilësinë dhe sigurinë e produkteve blegtorale dhe për uljen e ndikimeve negative në mjedis, integrimi i bujqësisë e blegtorisë me ekonominë e gjelbër neutrale ndaj mjedisit, Green economy, përfarimi i sektorit me standartet e BE, do të cojnë në zgjerimin e tregut të punës të lidhur me blegtorinë, cilësinë e sigurinë e prodhimit të produkteve blegtorale, si dhe në rritjen e kërkesës së tij për të rinj të mirëshkolluar, sidomos në shkencat zooteknike dhe veterinare, që zotërojnë kompetencat dhe aftësitë e nevojshme për tregun e punës të lidhur me këtë sektor. Hapja e negociatave dhe përparimi i vazhdueshëm i Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE e rrit edhe rëndësinë e blegtorisë për prodhimin e produkteve blegtorale si ushqime shtazore cilësore dhe të sigurta për konsumatorët, si dhe zgjeron ndjeshëm tregun e punës të lidhur me këtë sektor.

Pra, duket se tregu privat dhe publik i punës i lidhur me zhvillimin e blegtorisë, prodhimin dhe sigurinë e produkteve blegtorale në vendin tonë, ka nevoja reale të konsiderueshme për profesionistë të mirëshkolluar. Në këtë kontekst pyetja është: cfarë pritshmërie ka ky treg pune, në kuptimin e aftësive dhe kompetencave të profesionistëve të rinj? Dhe prej saj rrjedh edhe pyetja tjetër: Si duhet të realizohen këto aftësi dhe kompetenca në programet e studimeve universitare?

Për t’iu përgjigjur këtyre dy sfidave të përgatitjes së specialistëve të rinj të zooteknisë, Universiteti Bujqësor (UBT) po zhvillon një projekt në kuadër të Programit Erasmus plus të Bashkimit Europian, në bashkëpunim me dy universitete perëndimore, Universität für Wirtschaft und Umwelt Nürtingen, Gjermani, dhe University of Applied Sciences, Savonia, Finlandë, si dhe me disa universitete dhe partnerë të tjerë që punojnë në sektorin e blegtorisë në Shqipëri dhe Kosovë (Universiteti i Korcës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Mitrovicës, Qendra e Transferimit të Teknologjive (QTTB) – Korcë, Agjencia e Ushqimit & Veterinarisë –  Prishtinë, Qendra e Zhvillimit të Blegtorisë, Tiranë; Nucleus-Albania, Tiranë, AGRINET- Korcë, Shoqata e Prodhuesve dhe Përpunuesve të Qumështit – Prishtinë)

Për të studjuar pritshmëritë dhe kërkesat e tregut të punës për specialistët e rinj, u zhvilluan një studim i tregut të punës (Survey), në të cilin u intervistuan rreth 150 fermerë dhe përfaqësues të organizatave të fermave dhe bizneseve në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë nga Shqipëria dhe Kosova. Gjithashtu, në këtë studim u intervistuan 147 specialistë dhe ekspertë të institucioneve publike qendrore dhe rajonale, përgjegjëse për politikëbërjen, manaxhimin dhe shërbimin këshillimor (drejtori të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, agjencitë Rajonale të Ekstensionit, Agropikat, drejtoritë e Sigurisë ushqimore, etj) në Shqipëri dhe Kosovë. Më tej, në këtë studim u intervistuan edhe 267 studentë dhe pedagogë të universiteteve pjesëmarrës në projekt).

Pritshmëritë e tregut të punës për specialistët e rinj në fushën e zooteknisë.

Nga ky studim i tregut të punës rezultuan disa pritshmëri të qarta të punëdhënësve për formimin e specialistëve të rinj të zooteknisë dhe agrobiznesit. Më kryesoret prej tyre janë përmbledhur më poshtë:

Formim solid professional teorik dhe praktikNë këtë grup janë konsideruar aftësitë në njohjen dhe aplikimin e teknologjive në prodhimin bujqësor dhe blegtoral, mekanizimin dhe automatizimin, transportin dhe ndërtimin kryesisht në fermat blegtorale. Rreth 70% e të anketuarve nga sektori privat dhe ai publik e vlerësojnë formimin professional teorik dhe praktik të specialistëve të punësuar deri në mesatar dhe shprehin një pritshmëri shumë më të madhe për një formim solid teknik profesional, teorik dhe praktik.

Aftësim praktik profesional i studentëve përmes praktikave të gjata gjata studimeve në ferma/biznese dhe institucionet publike të sistemit të bujqësisë. Eshtë për tu nënvizuar pritshmëria shumë më e madhe e punëdhënësve për një formim shumë më të mirë praktik të specialistëve të rinj, në mënyrë të vecantë për aspektet konkrete që realizojnë atë, si praktika profesionale në ferma/biznese gjatë studimeve universitare, brenda dhe jashtë vendit, trajnimi i vazhduar gjatë punës, pjesëmarrja në aktivitetet që zhvillojnë organizatat e ndryshme në këtë fushë. Rreth 79 % e të anketuarve të sektorit privat dhe 91 – 94 % e atyre të sektorit publik vlerësojnë praktikën profesionale direkt në ferma/biznese “të rëndësishme” deri “shumë të rëndësishme” (skala 3 – 5 nga 5 shkallë gjithsej) për aftësimin e studentëve si dhe trajnimin e vazhduar gjatë ushtrimit të profesionit. Si punëdhënësit e sektorit privat, ashtu edhe ata të sektorit publik, i vënë rëndësi të madhe aftësimit praktik të aplikantëve në punësim, praktikës profesionale gjatë studimeve si dhe përvojës së fituar nga studentët në një universitet të huaj.

Fermat/bizneset dhe sektori publik janë të gatshëm të kontribuojnë në aftësimin praktik të studentëve. Si punëdhënësit e sektorit privat ashtu edhe ata të sektorit publik të sistemit të bujqësisë, vlerësojnë si „të rëndësishme“ deri „shumë të rëndësishme“ (skala 3.5 – 3,7 nga 5, vlera e medianës 4,0) angazhimin e tyre në realizimin e praktikave profesionale në bashkëpunim me universitetin, si faktor kyc për rritjen e nivelit teorik dhe praktik të të diplomuarve. Nga ana tjetër, me të njëjtë shkallë (mediana 4,0), ata vlerësojnë edhe rolin/mbështetjen e shtetit për bashkëpunimin midis universitetit dhe punëdhënësve në realizimin e praktikave duale të studentëve.

Aftësim në ekonominë dhe administrimin e sipërmarrjes dhe në këshillim.  Punëdhënësit kanë vlerësuar me skala 2,6 – 3,6 nga 5 rëndësinë e këtyre aftësive për të diplomuarit, cka tregon një shkallë të lartë të pritshmërisë së tregut të punës.

Aftësi dixhitale dhe aftësi të  “ekonomisë së re” ose “Neë economy skills” janë vlerësuar me vlera mbi mesatare deri të larta (skala 2,8 – 3,4, nga 5, mediana 3 nga 4) ) nga punëdhënësit, ku ata të sektorit publik i rankojnë më mirë. Ndër këto aftësi punëdhënësit kanë vlerësuar: programet computerike që përdoren në manaxhimin e fermave/bizneseve, njohuritë e thelluara në IT, si dhe njohuritë e thelluara në digjitalizimin në sektor. Kjo tregon se, jo vetëm institucionet shtetërore por edhe fermat e mëdha dhe bizneset e sektorit të blegtorisë, janë të vetdijshëm dhe të mirëinformuar për zhvillimin e digjitalizimit edhe në këtë sektor dhe presin një aftësim shumë të mirë të studentëve dhe specialistëve të rinj.

Aftësitë komunikuese dhe njohja e gjuhëve të huaja janë rankuar me skala 2,9 deri 3,3 nga 5 dhe një median 3 nga 4, cka tregon shkallën e lartë të pritshmëirsë së punëdhënësve për aftësitë e të punësuarve në komunikim dhe në gjuhë të huaj. Ata vlerësojnë në mënyrë të vecantë zotërimin e gjuhës së huaj, shkrimin e raporteve dhe dokumenteve të ndryshme, idetë kreative në diskutime dhe në komunikimin me shkrim, si dhe kompetencat në komunikimin zyrtar online.

Aftësi të mira ndërpersonale (interpersonal skills) janë vlerësuar nga punëdhënsit e të dy sektorëve me skala mbi mesatare dhe të lartë (3,0 deri 3,9 nga 5, me një median 3,0 deri 4,0 nga 4,0; vlerat më të larta të skalës arrijnë 3,7 – 3,9 nga 5 dhe median 4,0 nga 4,0). Ata kanë vlerësuar sidomos aftësinë për punë në grup, personalitetin dhe sjelljen pozitive, besimin në vetvete, aftësinë për të zgjidhur situata më të vështira në punë, aftësinë për të përfunduar detyrat në kohë/afate, si dhe loyalitetin ndaj firmës, biznesit apo institucionit.

Arsimi Dual formon specialistë me aftësi që i përgjigjen kërkesave të modernizimit të blegtorisë në vendin tonë.

Sic u trajtua më lart, zhvillimi i Dijes dhe burimeve njerëzore të mirëshkolluara është një sfidë shumë e rëndësishme për të ardhmen e zhvillimit të blegtorisë dhe duhet t’i përgjigjet pritshmërive të zhvillimit të tij dhe tregut të punës të lidhur me të. Pra, vijmë tek pyetja e shtruar më sipër: Si duhet të realizohen këto aftësi dhe kompetenca në programet e studimeve universitare? Ose, e thënë ndryshe, cili model i studimeve universitare i përgatit më mirë studentët me këto aftësi dhe kompetenca? Në këtë kontekst,  arsimi i lartë Dual është modeli që ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe ka një sërë përparësish krahasuar me formën e zakonshme ose klasike të studimeve universitare që zbatohen edhe në vendin tonë. Përparësitë kryesore janë: (i) nivel i lartë profesional, praktik dhe teorik; (ii) punësim i menjëhershëm i të diplomuarve pas përfundimit të studimeve; (iii) familjarizim i studentëve me profesionin që herët gjatë studimeve, dhe (iv) aftësim për krijimin e sipërmarrjeve të reja. Këto përparësi të modelit Dual i përgjigjen më së miri aftësive që kërkon tregu i punës nga të diplomuarit dhe u përshkruan përmbledhtazi më lart.

UBT zhvilloi, në kuadër të projektit Erasmus të përmenduar më lart, dhe afron, që këtë vit akademik programet universitare, sipas sistemit Dual, në shkencat zooteknike. Programi Bachelor Dual është konceptuar si formim universitar duke kombinuar Teorinë në auditor (4 simestra ose 2 vite akademike Teori) me praktikë profesionale të gjatë në ferma/biznese/institucione (2 simestra, përkatësisht simestrat 4 dhe 6 të studimeve Bachelor), pra 2 vite akademike teori + 1 vit akademik praktikë profesionale. Intershipi ose praktika e gjatë profesionale gjatë studimeve është e strukturuar sipas përvojave më të mira të universiteteve gjermane dhe finlandeze. Ajo synon që studentët të mësojnë duke punuar vetë (Ëork-based Learning) si dhe duke zhvilluar projekte inovative studimi individuale dhe në grup (format inovative të të mësuarit “Project-based Learning” dhe “Indipendent Learning”), të udhëhequr nga specialistët e praktikës dhe pedagogët e UBT. Përmes praktikës së gjatë profesionale Duale në ferma /biznese/ institucione, studentët familjarizohen plotësisht dhe shumë herët me profesionin. Studimet universitare Duale integrojnë edhe mësimin në Distancë dhe e-Learning, përmes infrastrukturës Hybrid classroom, jo vetëm për pjesën teorike por edhe për diskutimin e projekteve që zhvillojnë studentët gjatë praktikës profesionale në ferma/biznese dhe institucione. Kjo infrastrukturë moderne digjitale u mundëson studentëve të dëgjojnë leksione në kohë reale edhe nga profesorë të universiteve partnere në projekt dhe universitete të tjera të huaja.

Implementimi i programit të studimeve universitare Duale në UBT do të bëhet përmes bashkëpunimit jo vetëm me universitet partnere nga Gjermania dhe Finlanda, por edhe me partnerë të shumtë të prodhimit, ferma blegtorale, të mëdha dhe të mesme, kompani të ushqimeve për blegtorinë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata të prodhuesve të qumështit, mishit dhe vezëve, organizata jo qeveritare që punojnë në sektorin të blegtorisë, si dhe agjenci/drejtori rajonale dhe qendrore të sistemit të bujqësisë. Të gjithë këta partnerë të sektorit do të jenë partnerët tanë për realizimin e intershipit të studentëve, cka nënkupton një kontribut shumë të cmuar të tyre për përgatitjen e brezit të ri të specialistëve të rinj, të cilët do të jenë bartës të zhvillimit të sektorit të blegtorisë së vendit tonë në 4-5 dekadat e ardhshme.

Bashkëpunimi i UBT me partnerët e sektorit privat dhe publik të bujqësisë dhe blegtorisë që do të kontribojnë në realizimin e intershipit Dual, mbështetet në kontributin dhe përfitimin e ndërsjelltë. UBT ka ndërmarrë trajnimin e vazhduar të specialistëve të Agjencive Rajonale të Këshillimit në Bujqësi, të Agropikave, të drejtorive të bashkive, si dhe të grupeve të fermerëve dhe bizneseve të tjera të bujqësisë, cka do t’i shërbejë jo vetëm rritjes së nivelit teknik profesional të specialistëve dhe të fermerëve, por edhe lidhjes më të mirë të vet universitetit me praktikën, jetën reale të fushës së bujqësisë në tërësi. Studentët e programit Dual në shkencat zooteknike do të jenë “ura lidhëse“ midis universitetit dhe praktikës/bizneseve. Ata do të mësojnë duke punuar cdo ditë me fermerët dhe specialistët e praktikës, të cilët do të jenë edhe bashkëudhëheqës të praktikës dhe vlerësuesit e parë të rezultatit të studentit në praktikën duale. Gjithashtu, specialistët e prodhimit dhe agjencive të sistemit të bujqësisë do të jenë bashkëudhëheqës në realizimin e projekteve të studentëve për probleme konkrete të fermës, si dhe të tezave të Bachelorit.

Hapja e studimeve universitare Duale në fushën e zooteknisë në UBT dhe atë të agrobiznesit në Universitetin e Korcës, mund të jetë një shtysë edhe për zhvillimin e këtij modeli në arsimin e mesëm profesional bujqësor dhe zooveterinar, ku po implementohet aktualisht një projekt pilot me mbështetjen kryesisht të projektit të arsimit profesional të Konfederatës Helvetike. Zhvillimi i mëtejshëm i arsimit të mesëm Dual në shkollat e mesme profesionale dhe atij të lartë në UBT dhe në Fakultetin e Bujqëisë të Universitetit të Korcës, do të cojë në zhvillimin gradual të të gjithë Sistemit të Arsimit Dual në vendin tonë. Përvoja e Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës në arsimin Dual të mesëm dhe të lartë, mund të na shërbej shumë edhe ne në zhvillimin e këtij modeli në vendin tonë. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular