BallinaEkonomiQeveria jep 32.3 milionë lekë për shpronësimet në aksin Pogradec-Tushemisht

Qeveria jep 32.3 milionë lekë për shpronësimet në aksin Pogradec-Tushemisht

Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës Pogradec–Tushemisht–Doganë”.

Sipas vendimit, pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 32 356 650 lekësh

Vlera e përgjithshme e shpronësimit përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë, ndërsa vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 lekë, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS POGRADEC – TUSHEMISHT – DOGANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës Pogradec – Tushemisht – Doganë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 32 356 650 (tridhjetë e dy milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 32 356 650 (tridhjetë e dy milionë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë justifikues për likuidim pranë Bashkisë Pogradec, e cila e përcjell dokumentacionin zyrtarisht pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin miraton listëpagesën përkatëse dhe e paraqet pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e përcjell këtë dokumentacion pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila përfundon procedurat përkatëse të pagesës së shpërblimit për shkak të shpronësimit.

8. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Pogradec.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit, për interes publik të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Pogradec dhe hedhja e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, kryhen pas aplikimit nga bashkia për shërbimin përkatës.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec për pasuritë e shpronësuara.

11. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Pogradec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular