Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka zhvillu ar ditën e djeshme mbledhjen e radhës në Hvar të Kroacisë ku është aprovuar procedura për shortin e Kampionatit Europian 2024, i cili do të hidhet në mesditën e 9 tetorit në Frankfurt të Gjermanisë. Në lidhje me shortin për Europianin 2024, procedurat e shortit këtë herë do të jenë të njëjta me atë të “Euro 2020”
* Gjermania, si vendi organizator i UEFA “EURO 2024”, kualifikohet automatikisht për turneun final dhe për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në fazën kualifikuese.
* Të gjithë klubet ruse që janë aktualisht të pezulluara nëpërmjet vendimit të Komitetit Ekzekutiv të datës 28 shkurt 2022, vendim ky që u konfirmua dhe nga CAS-i Lozanës në 15 korrik 2022. Për këtë arsye Rusia nuk do të përfshihet në turneun kualifikues 2022-2024.
* 53 kombëtaret pjesëmarrëse në shortin kualifikues do të ndahen në 10 grupe, me shtatë grupe që do të kenë nga 5 skuadra dhe tri grupe me 6 skuadra.
* 10 fituesit e grupeve dhe dhjetë vendet e dyta të secilit grup do të kualifikohen për turneun final. Tri vendet e mbetura do të vendosen nga faza “play off” që do të luhet nga marsi i vitit 2023 deri në mars 2024. * 53 skuadrat pjesëmarrëse në short do të listohen sipas renditjes së UEFA Nations League 2022/2023 dhe do të ndahen në 7 vazo.
SHANSET PËR SHQIPËRINË Dy ndeshjet e mbetura të Kombëtares shqiptare ndaj Izraelit dhe Islandën në Ligën e Kombeve kanë një rëndësi shumë të madhe.
Nëse do të arrihej vendi i parë në grup, shumë gjëra do të thjeshtoheshin për Shqipërinë
Përveç ngjitjes në një Ligë më lart në turneun e radhës të Ligës së Kombeve, ku përballja do të ishte me kombëtare gjigande (më shumë të ardhura nga marketingu), Shqipëria mund të marrë benefite shumë të rëndësishëm për sa i përket kualifikimit në Europianin e 2024-s, që do të mbahet në Gjermani.
VAZO E DYTË DHE “PLAY OFF”-i Gjithmonë nëse flasim për vendin e parë në grupin ku ndodhemi, shanset janë të mëdha që në shortin e Europianit, i cili do të hidhet në Frankfurt, të vendosemi në vazon e dytë dhe jo të tretë, sepse ndarja e vazove bëhet sipas renditjes që ekipet mbajnë në Ligën e Kombeve. Kjo përkthehet: një grup më i lehtë në kualifikueset e Europianit.
Ndërkohë, përfitimi tjetër lidhet me “play off”-in e këtij Europiani. Nga kualifikueset dalin direkt 20 kombëtare, plus një që është Gjermania si vend organizator, mbeten dhe 3 ekipe të tjerë që do të presin një biletë për në “EURO 2024”.
Por si? Liga e Kombeve ka katër liga: A, B, C, D, por parasysh nga UEFA do të merren vetëm tri të parat. Çdo ligë ka nga 4 grupe me 4 skuadra secila. Skema e “play Off”-it është kjo:
Katër vendet e para të çdo grupi do të përballen me njëra-tjetrën brenda ligës ku ajo është pjesë, me dy ndeshje vajtje-ardhje me eliminim dhe pastaj një finale teke.
Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe 4 vendet e para të Ligës A apo C, po ashtu të njëjtën gjë mund të bëjë edhe Shqipëria në Ligën B nëse fiton grupin. Kështu çdo ligë do të nxjerrë fituesen e grupit që do të shkojë në “play off”- in e “EURO 2024”.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL