BallinaKryesoreRevolucioni Meloni në Itali, përball “Revolucionit Berisha&Metaj” në Shqipëri!

Revolucioni Meloni në Itali, përball “Revolucionit Berisha&Metaj” në Shqipëri!

Mes përkrahësve dhe eksponentëve të “Revolucionit Berisha&Metaj” në Shqipëri, ka plasur një entuziazëm i madh për fitoren e të djathtës në Itali.

Ajo që është e kuptueshme në këtë ngazëllim ka të bëjë me një frymë “sovranizmi” ndaj BE-së, që përcolli koalicioni i udhëhequr në Itali nga karizmatikja Xhorxhia Meloni.

Por ushtarët e “Revolucionit Berisha&Metaj” në Shqipëri nuk fshihen që ta përkthejnë këtë fitore të së djathtës italiane, si një shuplakë të popullit italian kundër Perëndimit.

Kjo nuk është e vërtetë. Nëse lexon me kujdes pikat e politikës së jashtme të programit elektoral të Melonit, hapur dhe me forcë, kemi rikonfirmim të pro Euro- Atlantizmit.

Pastaj çështje si shndërrimi i BE-së si një organizëm më shumë politik, në vend të një makinerie të ndryshkur nga burokracia që ka bllokuar “sovranizmin” ekonomik të vendeve anëtare është jo vetëm i drejtë, por edhe një alarm që është ngritur në të gjitha vendet anëtare.

Për hir të së vërtetës Sali Berisha si një politikan i vjetër dhe me përvojë i cili po luan këtu brenda si një akrobat në majë të litarit në ajër, për sa i përket pozicionit të tij personal me Perëndimin, ndërhyri mesditën e kësaj të hëne dhe theksoi se Xhorxhia Meloni është një euroatlantike e vendosur, pro BE-së dhe kundër pushtimit rus në Ukrainë.

Por ngado që ta vërtitësh, thelbi i revolucionit Meloni, ka të bëjë me situatën brenda Italisë.

Njëzet vjet më parë e djathta italiane idolizoi Berluskonin si projeksionin e ëndrrave të saj për sukses. Pesë vite më parë ajo e adhuronte Salvinin si zëdhënësin e “zemërimit” të saj. Sot ajo e do Melonin si pasqyrën “e frikës” së saj. Italia është e lodhur. Ajo është e zemëruar. Ajo është e zhgënjyer. Për shkak të stagnimit ekonomik. Mungesa e mundësive dhe infrastrukturës. Për shkak të pabarazive. Mungesa e punës për të rinjtë. Të disbalancave. Degradimi i zonave të tëra që po shemben. Dhe në veçanti, një politikë e majtë dhe e qendrës së majtë, kufoma e së cilës vajtohet, veçanërisht mes votuesve të rinj.

Ky është ashti, këto janë arsyet që e bënë popullin Italian ti jepnin votën projektit Meloni. Fiks të njëjtat simptoma, por të shumëzuara me 100 a më shumë në kahun negativ, ka aktualisht Shqipëria e udhëhequr nga Rilindja e Edi Ramës.

Është e lodhur. Ajo është e zemëruar dhe më shumë e frikësuar. Ajo është e zhgënjyer. Për shkak të stagnimit ekonomik. Mungesa e mundësive. Për shkak të pabarazive. Mungesa e punës për të rinjtë. Të disbalancave…

Këtyre simptomave të cilat bën që revolucioni Meloni të fitojnë në Itali, në vendin tonë mund tu shtosh edhe dhjetëra të tjera shumë më të rënda, por situatën këtu më të rëndë e bën kapja në kurth e shpresës dhe zgjidhjes nga një treshe që ka shënjuar dhe mban me thonj Tranzicionin tonë.

Është e pa diskutueshme se alternativa, “Berish&Metaj”, e cila pretendon të shemb këtë gjendje, nuk ka asgjë të ngjashme me alternativën Meloni.

Mrekullia që ndodhi në Itali, ka të bëjë së pari me votën e lirë.

Në Shqipëri vota e lirë është një problem 30- vjeçarë dhe kjo klasë politike, as që ka ndërmend që ta çlirojë nga fijet e veta.

Sali Berisha dhe Ilir Metaj flasin për çdo gjë, por pikërisht një Reformë Kushtetuese Zgjedhore përfundimtare, njësoj si Edi Rama, nuk e zënë në gojë dhe as që e kanë në plan.

Menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha, në emër të Partisë Demokratike këtë reformë e vendosi si prioritet mbi prioritet dhe të pa negociueshme me Rilindjen. Por ajo vazhdon e bllokuar nga përçarja e opozitës, ndërsa Edi Rama shpreson dhe po investon fortë që me këtë gjendje, ta shtyjë ndoshta mundësisht deri në zgjedhjet e vitit 2025.

Pra revolucioni Meloni fitoi me votë të lirë dhe alternativë, kurse “Revolucioni Berishaj&Metaj” nga njëra anë ju thotë shqiptarëve se Rama nuk hiqet me votë, nga ana tjetër as që e zënë në gojë skemën, (ligjore por edhe informale me blerje dhe manipulim), kushtetuese të kapjes së votës, që kanë ndërtuar që të tre ndër vitet e Tranzicionit.

Meloni nuk ka qenë kurrë kryeministre dhe presidente. Ajo nuk është “non grata”, nga asnjë vend në botë. Nuk ka procese me drejtësinë për asnjë lloj gjëje dhe aq më pak për korrupsion. Komuniste dhe bashkëpunëtore me ata, jo e jo!

Meloni edhe pse është lindur, rritur dhe ka punuar me sukses në një vend të pasur si Italia është shumë më shumë më e varfër, se Berisha dhe Metaj. Madje ajo ngjan varfanjake, edhe përball shumicës së emrave që ata kanë në lidershipin e “revolucionit” të tyre.

Meloni nuk ka nevojë që të korrigjojë të shkuarën e saj personale, apo në krye të punëve të Italisë. E djathta që ju paraqiti ajo italianëve ka fytyrë humaniste jo pushtetore dhe aq më pak personale, klienteliste dhe familjare.

Përfundimisht nëse vendos përball dyshen Berisha- Metaj me figurën e Melonit, do të ishte njësoj si të krahasoje Shtrigën me Borëbardhën.

Ka variante të pafundme të kësaj historie, madje te njëri del që Shtriga dikur ka qenë një Borëbardhë dhe rrugës, e ka ngarkuar veten me mëkate. Por e vërteta është se nuk ekziston dhe as që ka gjasa të ndodh varianti, ku shtriga të rikthehet apo transformohet në Borëbardhë.

Përveçse në rastin, kur maskohet si ajo!/Alfapress.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular