Nga Bujar Leskaj
Disa pyetje për projektbuxhetin 2023, në Komisionin e Ekonomisë
Po rendis disa pyetje në lidhje me projekt- buxhetin!
Si mendoni ju zonja ministre që mund të ndihmohen reallisht 680.000 pensionistë në këtë situatë inflacioni, e cila edhe për vitin 2023 pritet të jetë në rritje, me 1.2 miliardë lekë ose 10 milionë euro?
Sot inflacioni ishte 8.1% sipas të dhënave tuaja dhe sipas gjykimit tim ky inflacion në vitin 2023 do të jetë dyshifror. Megjithëse për mendimin tim inflacioni edhe sot është dyshifror!
Sa fonde shtesë janë parashikuar për arsimin profesional dhe a jeni përqëndruar ju në politikat për të frnuar sadopak largimin e trurit, largimin e njerëzve të arsimuar, stimulimin e qëndrimit të njerëzve në Shqipëri?
Përse ju në këtë projektbuxhet, ashtu siç ndoqët një praktikë të mirë në vitin 2020, nuk keni parashikuar për një periudhë të mëvonshme pagesat për PPP-të dhe koncensionet, ose përgjysmimin e tyre për këtë vit?
Bëhet fjalë për rreth 120 milionë euro që ju i keni orientuar te PPP dhe konçensionet, që në popull, tashmë quhen oligarkët.
Teorikisht a mund ta shpjegoni ju këtu tek Komisioni i Ekonomisë mënyrën se si mund ta ulni borxhin publik, kur detyrimet nga gjyqet e prapambetura ndërkombëtare, detyrimet kontigjente nga koncesionet dhe PPP-të janë vetëm në rritje?
Po citoj këtu detyrimet e prapambetura, të cilat deri në fund të muajit qershor, sipas faqes suaj zyrtare, rezultojnë me një stok prej 15 miliardë lekësh.
Detyrimet e akumuluara të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve rezultojnë të jenë 21.9 miliardë lekë; detyrimet e tjera kontigjente nga vendimet e Arbitrazhit Ndërkombëtar, të cilat vlerësohen të KLSH të paktën 50,4 miliardë lekë ose 431 milionë euro, apo edhe detyrimet e ndërsjellta të ndërmarrjeve energjitike në vlerë 144, 21 miliardë lekë.
Vetëm këto detyrime dëshmojnë qartë se ky premtim juaji në buxhet nuk ka asnjë mundësi e asnjë logjikë ekonomike për realizim.
Përse ju në këtë projekt- buxhet nuk e keni pasur në fokus të vëmendjes suaj priorizimin shpenzimeve buxhetore.
Në fakt, ky projekt- buxhet nuk kryen rishpërndarje të të ardhurave. Pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë për shkak të rritjes së çmimeve dhe kjo pjesë e të ardhurave që vjen si pasojë e rritjes së çmimeve nuk rishpërndahet e nuk shkon në dobi të shtresave në nevojë, të shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë.
Një fakt i thjeshtë: të ardhurat rriten me 10% në raport me 2022-in, shpenzimet me 4%. Pra 2.5 herë më pak. Pra qytetarët, bizneset marrin katër herë më pak nga ajo çka japin.
Çështja e dëmshpërblimit të ish- të përndjekurve politikë. A mendoni ju se duhet të vazhdojmë me këtë ritëm për dëmshpërblimin e ish- të përndjekurve politikë, me 1 miliardë lekë ose me 0.1% e PPP.
Në informacionin që ne ju kemi kërkuar vitin e kaluar si ministri financash se sa kohë nevojitet për t’u dëmshpërblyer plotësisht, ju keni thënë diku tek 30 vjet!
A mendoni ju se kjo shtresë duhet të vazhdojë të diskriminohet deri në vitin 2050?
Nga kakofonia e njoftimeve tuaja nëpër media është krijuar përshtypja në popull, sikur paratë e buxhetit po shkojnë për të përndjekurit politikë, gjë që nuk rezulton e vërtetë.
Përse ju asnjëherë nuk e mendoni dhe nuk e keni analizuar që të ardhurat e pritshme nga privatizimi të shkojnë 50% për uljen e borxhit, 20% për të përndjekurit politikë dhe 30% për investime? I referohem nenit 10 të projekt-buxhetit.
Dhe më kryesorja: U bënë kaq vite që Shoqëria Civile, por edhe ne si opozitë kërkojmë përcaktimin e minimumit jetik. A mendoni ju si ministre financash që ka ardhur koha që qeveria në fokus kryesor kur përgatit buxhetin të ketë pikërisht këtë minimum jetik, i cili do të vijë një ditë që do të përcaktohet zyrtarisht me ligj.
A mendoni ju se duhet të ketë një koncept të ri në ndërtimin e buxhetit që në qendër të vihet qytetari, në qendër të jetë minimumi jetik?