BallinaKryesoreBeteja e re në PD, Salianji kërkon kreun e grupit parlamentar: Alibeaj...

Beteja e re në PD, Salianji kërkon kreun e grupit parlamentar: Alibeaj shpërdoroi besimin e grupit, të largohet

spot_img
spot_img

Ervin Salianji ka nisur një lëvizje brenda grupit parlamentar të PD-së që synon të marrë kryesimin e tij, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn. Në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Salianji i tha gazetares Elona Meço se kjo ishte një përpjekje për të unifikuar grupin dhe PD para zgjedhjeve lokale, pas shpërdorimit të rëndë të funksionit nga Alibeaj.

“Ka patur takime të miat dhe të funksionarëve të PD për të gjetur një zgjidhje që do të jetë unifikuese, për një mesazh publik unifikues për PD dhe për ta nxjerrë grupin dhe PD nga një ngërç artificial që mbahet për interesa thellësisht personale të pak personave”, pohoi Salianji, i cili po kërkon firmat e shumicës së deputetëve për të marrë kryesimin e grupit.

“Jemi në diskutime ende, nuk ka një vendimmarrje. Nuk shprehem dot paraprakisht, por nëse do të ketë vendimmarrje të shumicës së grupit, rëndësi ka që, kush e drejton, të përfaqësojë më së miri interesat e demokratëve dhe të mos keqpërdoret për interesa personale”, tha Salianji.

Kritikat e nënkryetarit të grupit për kreun e grupit shkojnë në tre drejtime. Së pari, shpërdorim i funksionit dhe besimit të deputetëve, veçanërisht në rastin e Avokatit të Popullit, duke mos iu bindur votimit të shumicës së grupit.

“Në mënyrë abuzive, u keqpërdor posti i kryetarit të grupit parlamentar për të mos iu nënshtruar vendimmarrjes së grupit. Grupi përzgjodhi me votë të fshehtë Ledio Brahon si kandidat të vetëm dhe jo për të bërë atë që është një nga turpet më të mëdha që mund të ndodhin në opozitë, ku kryetari i grupit të PS negocioi me deputetë të veçantë për të përcaktuar mazhoranca preferencat brenda PD. Kjo është e papranueshme”, theksoi Salianji për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

Së dyti, për Ervin Salianjin, Alibeaj ka kaluar vijën e kuqe me shpalljen e kandidatëve për kryetarë bashkie.

“Është e papranueshme që kryetari i grupit nxjerr kandidatë për bashkinë në mënyrë personale. PD që ka vulën, aty ku një pjesë e jona kemi qenë deri në 6 mars, ka një procedurë sesi i zgjedh kandidatët, duke iu nënshtruar rregullave të votimit me 1 anëtar, 1 votë, miratohen në kryesi, mblidhet Këshilli Kombëtar për miratim. Kemi parë sesi nxirren nga xhepi kandidatë personal, pa iu nënshtruar rregullave statutore, duke dëmtuar thellësisht interesat e opozitës”, u shpreh Salianji, i cili ka edhe një kritikë të tretë kryesore, kur thotë se Alibeaj i trajton deputetët si “ca të nënës e ca të njerkës”, kur bëhet fjalë për promovimin e tyre në Parlament.

“Zoti Alibeaj si kryetar i grupit po shpërdoron rëndë besimin e deputetëve dhe besimin e mijëra demokratëve dhe shpresën e tyre për ndryshim”, i tha Ervin Salianji gazetares Elona Meço në emisionin “Pa censurë”.

Por a do të ketë një mocion kundër kreut të grupit për shkarkimin e tij?

“Duhet të ketë çdo akt që çon në heqjen e uzurpimit në mënyrë të padrejtë të funksioneve partiake dhe si kryetar grupi për të bërë mundur zgjidhjen e ngërçit në PD”, deklaroi Salianji në “Pa Censurë”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular