Përktheu: ARDI STEFA
Dyzet e shtatë lule vertikalisht dhe shtatë horizontalisht. Ngjan me një ditar çarçafi im. Dje e bëra pis me kafe. Sot i hapa dy vrima të vogla me hirin e përvëluar të cigares. Por nuk duken. Kam hapur plotësisht mbi këmbët e mia librin me fotografi të Jozef Kudelkës, që më dhuroi Luçia dhe e vështroj. Dy ciganë përqafohen përpara barakave të tyre të gremisura. Më tutje një qen i zi në mes të dëborës. Një breshkë e ngordhur. Ca trarë të lagur. Befas libri hapet vetë në një faqe. Zemra ime rreh fort. Shoh “Këmbët e mia dhe koka e një gruaje”.
Dyzet e shtatë lule vertikalisht dhe shtatë horizontalisht. Ngjan me një ditar çarçafi im. Dje e bëra pis me kafe. Sot i hapa dy vrima të vogla me hirin e përvëluar të cigares. Por nuk duken. Kam hapur plotësisht mbi këmbët e mia librin me fotografi të Jozef Kudelkës, që më dhuroi Luçia dhe e vështroj. Dy ciganë përqafohen përpara barakave të tyre të gremisura. Më tutje një qen i zi në mes të dëborës. Një breshkë e ngordhur. Ca trarë të lagur. Befas libri hapet vetë në një faqe. Zemra ime rreh fort. Shoh “Këmbët e mia dhe koka e një gruaje”.
Domethënë qenka e tij kjo fotografi. Kaq vjet e kërkoja në vendet më të pabesueshme dhe më së fundi erdhi ajo tek unë për të më gjetur në krevatin tim. Por Klitemnestra nuk më lë të gëzohem. Hyn në dhomë për të njëmijtën herë. Ka një mani të tmerrshme me rregullin. Mbledh librat e mi nga dyshemeja, ngre pak dyshekun dhe fut poshtë tij cepat e çarçafit, mbledh pluhurat. Më vështron me dashuri dhe dëshpërim, si të gjitha njerkat që duan të prekin një fëmijë të huaj dhe kanë frikë, pastaj del nga dhoma dhe e lë derën paksa të hapur, që të më dëgjojë po t’i thërras.
As që bëhet fjalë t’i thërras. Flas brenda vetes dhe vetëm me veten time. Kështu ose ndryshe me Klitemnestrën flasim vetëm për çarçafët që duhen ndërruar. Ose themi se sa jastëkë nevojiten për të mbajtur një gju të thyer.
As vizitorët e mi nuk janë më të mirë. Më vënë që t’u tregoj historinë nga e para, me të gjitha hollësitë. Si dola në Kifisias, nëse e pashë Pezhonë të vijë mbi mua, çfarë ndjeva, nëse u tremba se do të vdisja. Im atë dhe Aki e dëgjuan të gjithë historinë. Pastaj u lodha dhe krijova një histori për Nananë dhe të tjerët: “Dëgjova frenat të ulërinin”, “Rashë me shpatull në makinë”, “U hodha në ndenjësen e djathtë”. Manoli që erdhi nga Anglia dëgjoi variantin më të shkurtër: “Lëre fare këtë muhabet!”. Dhe meqenëse vizitorët nuk kanë të mbaruar, them të incizoj një kasetë që ta dëgjojnë. Mundet të vë edhe sirena ambulancash që ta bëj më të besueshme. Meqenëse duan tragjedi automobilistike, do ta kenë.
Gjërat janë shumë më të thjeshta. U vonova në një fotografim, kjo është e gjitha. Dola në Kifisias pa vështruar përpara meje dhe një Pezho e bardhë qëlloi derën time. Që nga ai çast nuk mundem t’i vendos gjërat në një radhë. U gjenda në ndenjësen e djathtë i trembur dhe i gjakosur. Qielli sillej vërdallë, si në fotografitë e Plosisë. Sapo mbaroi çjerrja e llamarinës ktheva kokën për të parë nëse çanta me aparatin fotografik kishte mbijetuar. Në çastin që po më nxirrnin nga dritarja e kapa nga rripi. Ashtu siç tërheqim nga flokët një të mbytur.
Infermierët që mbartnin barelën më vështruan si të përhumbur. Duhet që pamja të ishte paksa qesharake. Gjysmë i shtrirë në barelë, ndërrova objektivin e thyer dhe kërkoja për gërvishtje në aparat. Gërvishtjet e mia nuk i kisha parë. Gjuri ishte akoma i nxehtë.. jeta ime e vërtetë, e shpejtë. Ashtu siç thonë të gjithë ata që për pak do të ishin të vdekur, kur shkon aq pranë vdekjes, ndihesh më i gjallë se kurrë.
Ambulanca ulërinte duke çarë rrugën. Hera e parë që nuk mallkoja për gropat e rrugëve. Sirena thërriste: “Leonidha jeton”. Makinat hapnin rrugën, për të lënë jetën time të kalonte. Në KAT më ngritën mbi barelë, sikur të isha princ arab. Dikush, diçka, nuk donte që të vdisja kaq lehtë. Shpëtova për herë të dytë brenda njëzet e pesë viteve të mia dhe rreth meje pashë të njëjtën skenë: qelqe, gërmadha dhe gjakra.
Vështirësitë filluan kur më urdhëruan që të përthyej gjurin mbi një krevat të hekurt. Doktori fliste me një infermiere gjatë kohës që vendoste allçinë. Diçka thoshte për një aksident të rëndë automobilistik në rrugën nacionale Athinon-Lamias. Pesë të plagosur rëndë dhe një i vdekur. “Nga gjoksi kuptuam se ishte grua”, tha doktori gjatë kohës që merrej me gjurin tim. Infermierja as që e ngriti kokën.
Më erdhi të përzier. E kisha dëgjuar edhe një herë tjetër këtë frazë në jetën time dhe isha përpjekur shumë që ta harroja. Nuk më linin. Nga gazeta më dërgonin vazhdimisht nëpër aksidente automobilistike. Sa herë që shikoja një trup të shpartalluar, më vinte nëpër mend kënga që këndonim në 17 qershor duke shkuar në Saronidë:
Shtëpitë janë të ulëta si çadra të braktisura
“Beharet tona të shkurtra, të pafundmë dimrat…”
Babai im stononte kur këndonte dhe nëna ime me zë bas. Kaq bas, saqë mendoje se nuk do të vdiste kurrë. Se do ta mbronte zëri i saj i padridhshëm. Por, kur po thoshte fjalën: “…të pafundmë”, një mace u hodh në rrugë dhe nëna ime e ktheu timonin majtas. Ramë mbi një kolonë të tensionit të lartë dhe jeta jonë u bë me të vërtetë çadër e braktisur. Timoni iu ngul në gjoks. Mbetëm tre burra brenda çarçafësh të pashtruar dhe kutish me pica.
Që atëherë kanë kaluar vite. Babai njohu Klitemnestrën në një seminar me temë: “Komunikimi dhe heterogjeniteti”. Manoli studion në Angli për ekonomi. Unë u bëra fotoreporter profesionist. Nëna ime u kthye në fotografi në sallon. Na shikon e qeshur, pa pasur frikë. Tashmë edhe unë nuk kam frikë. Dua të besoj se më shpëtoi dora e saj e padukshme, jo fati im. Dhe le të këmbëngulë Stefani se jam Leonida i Thermopileve.
Të drejtë ka edhe ai, sepse çdo herë binim të dy dhe vritej vetëm ai. Erdhi pardje të më shohë së bashku me gruan e tij dhe ishte sikur të mos kishte rënë asnjëherë përtokë. Mbante kravatë dhe kopsa floriri në mëngët e këmishës. Anthia në krah të tij ngjante sikur të kishte dalë nga Dhiata e Vjetër. Një copë brinje e tij, Stefani femëror, me vathë të mëdhenj të gënjeshtërt… Qëndruan ngjitur në karriget që u solli Klitemnestra. Më vështronin me vështrimin që kanë njerëzit kur mendojnë se çfarë kanë për të kryer më pas.
Kështu e kanë vështrimin edhe në fotografitë e dasmës. E di, sepse unë i nxora në fotografi. Nuk kam asgjë me të martuarit, por me të martuarit në fjalë. Stefani ishte shoku im më i mirë, kishte ëndrra të mëdha për jetën, por atë mbrëmje e pashë për herë të parë t’i buzëqeshë boshllëkut me vjehrrën e vjehrrin në fotografi. Në vend që të mendojë se si të shpëtojë nga çanta e madhe e zezë që mban çdo ditë për të bindur njerëzit që të sigurojnë shtëpitë e tyre, qëndronte në mes të kishës dhe buzëqeshte me mirësi. Si engjëll pa krahë. Vështronte qetësisht Anthinë; e vështronte edhe ajo akoma më qetësisht. Deri në orën që i tërhiqte prifti nga kurorat ishin të palëvizshëm. Më të palëvizshëm edhe se nëna ime. Njerëz të mbaruar.
Por akoma edhe nga njerëzit e mbaruar diçka fiton. I vëzhgoja pardje në krah të krevatit tim dhe më erdhi ideja që t’i fotografoja përsëri. Ngjitën kokat me njëri- tjetrin, si dy dengje me kashtë dhe më buzëqeshën. Pas fytyrës së tyre shikoja ndenjësen e tyre. Akoma më pas krevatin e shtruar me pantoflat, si katër gjysmëhëna, poshtë jorganit.
Kështu më lindi ideja që të fotografoj të gjithë vizitorët e mi me dhuratat e tyre. I vija të pozonin në të njëjtën distancë, në karriget e Klitemnestrës, me allçinë time në plan të parë. Fotografova Stefanin dhe Anthinë me çokollatat e tyre. Akin me purot Romeo & Xhulieta. Nananë me një arushë që kishte të shkruar: “Të shkuara”. Luçien me librin e Kondelkës. Manolin me një lupë Rodenstok.
Pak më parë vendosa negativët në tavolinën e zhvillimit dhe i shikoja me lupën time të re. Kisha nxjerrë fotografi të ndryshme. Jo zjarre, kufoma të përgjakura, përfaqësues qeveritarë. Fotografi të miat që më shikojnë. Do t’i titulloj “Magjistarët me dhurata”.
Vështroj negativë për herë të njëqindtë dhe ndiej një entuziazëm që është i vështirë të shpjegohet. Më vjen të dal në rrugë duke fërshëllyer, të eci si Tom Geixh me një korb në kokë dhe një puro në gojë. Kështu ishte herën e parë që putha Nananë. Sytë e mi qeshnin nga brenda, bebëzat vallëzonin. Si ka mundësi të të bëjnë të lumtur shtatë fotografi? Ja që qenka e mundur.
Në gazetë nuk kaloj edhe fort mirë. Bëj fotografi si ndonjëri që godet tastet në makinën llogaritëse. Më thonë të shkoj në Pire, të hidhem në Sintagma, t’i laj fotot shpejt. Gazetarët mendojnë se jam shërbëtor i tyre. Më lajmërojnë çerek ore përpara fotografimit. Pastaj zgjasin duart mes fotografive, i përziejnë, i ngatërrojnë. Nuk më shikojnë kurrë në sy. Si të jem një njeri i padukshëm me aparat fotografik.
Vetëm kur zbres në montazh, ndihem i dukshëm. Luçia qëndron sipër aparatit të montazhit dhe pret qetësisht paragrafë, si të qepë rroba. Kthehet dhe më vështron me një cep syri. Por edhe kur nuk kthehet e kupton që gjendem aty. Përdor prerësen e letrës me përkëdhelje, ledhaton zverkun e saj si të dojë të më thotë: “Shiko sa bukur që përkëdhel, shiko se çfarë humbet!”. Vështrohemi për një sekondë ose dy, i tregoj fotografitë e ditës, themi ndonjë shaka.
Por nuk mundem të luaj palaçon gjithë ditën sepse më pëlqen një femër. Gazeta më vret. Ngadalë-ngadalë thith fuqitë e mia me një pipëz. Mendoj se të gjithë e ndiejmë kur kryqëzohemi nëpër korridore; vështrohemi me një ndjenjë faji e të lodhur. Lodhja, nuk ma nxjerr asnjeri nga mendja, është një tjetër mënyrë e fatkeqësisë. Nganjëherë ndiej zhurmë në kokën time dhe e di se ç’është. Është një zë që më thotë: “Nuk je i kënaqur nga jeta jote”. Atëherë çanta me filmat bëhet më e rëndë, le të ketë brenda vetëm një aparat Nikon F3. Rëndohet nga gjërat që nuk ka brenda. Nga ato që nuk kam bërë ende.
Këto mendime flenë brenda meje dhe zgjohen shumë rrallë. Nuk dua që të plakem dhe të humbas flokët duke fotografuar grevat dhe krimet. Sikur të kisha arritur Kundelkën. Të kisha shtrirë unë i pari këmbët në trungun e një peme dhe të fotografoja çastin kur një grua e bukur do të kalonte në thellësi.
Nuk do ta harroj kurrë herën e parë kur pashë këtë fotografi. Shkoja akoma në gjimnaz dhe jepja provimin me gojë të gjuhës angleze. Na kishin mbyllur në një hotel, në Leoforo Aleksandras. Në një korridor të ngushtë pa dritë. Ishim pesë djem në radhë, thua se prisnim ndonjë filipinase të na bënte masazh. Na thërritën të hynim. Sipër një tryeze ishin nja dhjetë fotografi. Duhet të zgjidhnim nga një, të mendoheshim për pesë minuta dhe pastaj të thoshim se çfarë shikonim. Pashë një skuadër basketbolli, ca vajza mbi biçikleta, një të çmendur me një qese letre mbi kokë. Sytë e mi u ngulitën mbi një fotografi me ca këpucë të shkelura shtrembër. Dilnin nga një pantallon xhins që dukej deri në gju dhe mbështeteshin në trungun e një peme. Të gjitha barishtet e lulet anonin nga e majta, siç mundet t’i shohë një njeri i shtrirë në brinjë. Ndërmjet barishteve të dendura dukej fytyra e një gruaje paksa në lëvizje. Diku më tej një shtëpi me papafingo, fshehur pas bimëve.
Më erdhi të hidhesha përpjetë nga gëzimi pa ditur se pse. Doja ta shikoja fotografinë jo pesë, por njëqind e pesë minuta. Nuk dija ta përshkruaja. Por e zgjodha. Supozohet se ishin këmbët e mia, isha shtrirë në bar i lodhur nga vrapimi dhe vështroja qiellin. Larg ishte shtëpia e fantazisë sime me shkallë të drunjta, merimanga dhe ballkone të mëdha. Gruaja që shikonte në drejtimin tim ishte dhe nuk ishte nëna ime.
Anglezi që qëndronte përballë meje kishte mustaqe që duhet t‘i kishte zhytur shumë herë në shkumën e birrës.
– Çfarë titulli do t’i vinit kësaj fotografie? – më pyeti.
– Këmbët e mia dhe koka e një gruaje, – i them.
– Domethënë, si e shpjegoni? Çfarë shikoni?
– Shoh këmbët e mia dhe kokën e një gruaje. Këtë.
– Çfarë ndjenjash ju krijon?
– Lumturi.
Nuk e mora diplomën time, sepse anglezi me mustaqe më ngeli në provimin me gojë. Nuk fola mjaftueshëm për fotografinë, nuk i solla shembuj se si njeriu duhet të miqësohet me natyrën dhe të mos hedhë cigare të ndezura në pyll. Por atë ditë fitova një qëllim në jetën time. Të mësoj të fotografoj.
Mesa duket, dikush tha: “E, meqenëse ka humbur nënën, le të mos ta torturojmë!”. Gjithçka më rrodhi mirë, thua se kisha qenë fotograf në një jetë tjetër. Isha më i miri, hapa edhe një ekspozitë të vogël në shkollë. Mora një fotografi dhe e vendosa në gjashtë mënyra të ndryshme në korniza, për të qenë gjashtë pamje të ndryshme. Pastaj erdhën vitet e mungesave të mëdha në para. Një mik i babait tim më mori për dore dhe më çoi në gazetë. Fotografitë tashmë dilnin vetë. Nuk i bëja unë. Nuk i ëndërroja.
Tani që jam i shtrirë, kam përsëri kohë të thur ëndrra. Nga jashtë të gjitha ngelen si më përpara. Zyra, jeleku im mbi karrige, çokollatat me qershi në komodinë. Por në mendjen time lëvizin pamje, si në çastin e aksidentit. Sytë e nënës sime, lart në qiell si dy planetë. Aki dhe Stefani luajnë duke goditur disa kusi në shtëpinë tonë të vjetër. Unë, duke parë aeroplanin që çon vëllain tim në Londër me hundën të ngjitur mbi xham. Nanaja heq një këmishë të gjelbër dhe më tregon për herë të parë gjoksin e saj.
Këtë gjoks e njoh më mirë edhe se gjoksi im. Mundet ta shoh i patrazuar, si të shoh një kyç këmbe. Ta prek pa u drithëruar. Të gjithë Nananë mundet ta shoh me apati tashmë. Nuk e di se si ndodh një gjë e tillë. Të takosh një njeri, të interesohesh për lumturinë e tij dhe më pas t’i kthesh kurrizin dhe të mendosh vetëm për veten tënde.
Javën e ardhshme mbyllim dy vjet që jemi bashkë. Fatmirësisht, do të jem ende në krevat. Sepse përndryshe do të isha i detyruar të vë kravatë dhe ta çoj në ndonjërin prej atyre restoranteve që të rrjepin. Po të ma thoshin ditën që e njoha që të vija një papijon me pika të kuqe dhe ta çoj për karavidhe, do ta bëja, edhe sikur të ngelesha pa asnjë dyshkë në xhep. Tani jo. Por para dy viteve, në shtator të 1991-shit, as Nanaja nuk i kishte në mendjen e saj lukset. Premë një sanduiç në mes dhe e hëngrëm në oborrin e shkollës, sepse stomaku na ishte lidhur nyjë. Ku ta mendonte ajo se do të njihej me dikë në mes të klasës të mbushur me nxënës së klasës së parë fillore? Ku ta imagjinoja edhe unë se do të shkoja të fotografoja ditën e parë të vitit shkollor dhe do të bija në dashuri me mësuesen e së parës C?
E bëra gati aparatin fotografik në kohën që Nanaja u tregonte vogëlushëve si të kryqëzojnë duart e tyre. Qëndronte pranë dritares dhe drita krijonte dy vija të bukura në ballin e saj. Pastaj ajo uli fytyrën dhe vijëzat rrethuan flokët e saj, si kurora engjëjsh. Dhe ashtu, si kryqëzoi duart. ngjante me shenjtore. Atë fotografi nuk e nxora kurrë. Shikoja Nananë nëpërmjet objektivit dhe nuk doja gjë tjetër. As të shkoja në shtëpi, as të haja, e as të nxirrja më ndonjë fotografi. Thjesht të më linin ta vështroja. Kur iu afrova, vura re se ishte më e madhe dhe më e gjatë sesa unë. Por kjo s’më interesonte aspak. Sa gojë e bukur, mendova. Imagjinova sikur ecnin së bashku në Saronida, buzë detit dhe pashë rrudhat e syve të saj të ngriheshin drejt ballit. Shenjtorja po më buzëqeshte.
Ishim në këmbë dhe fëmijët ishin mbledhur rreth nesh. Luanin duke ndjekur njëri- tjetrin dhe vareshin nga pantallonat tona si këlyshë të vegjël; atë çka ndienim ne brenda vetes e thoshin me bërtitje kalamajtë. “Të dashurova përpara se të të dashuroja”, më ngjitet në sy. Pastaj ra zilja dhe dolëm në oborr si nxënës që nxitojnë të luajnë përpara se t’i mbyllin në klasë përsëri. Hëngrëm nga një gjysmë sanduiçi, se mbase pushonte së dridhuri zëri ynë. Deri në pasdite kisha mësuar gjithçka për të. Ishte 30 vjeçe, shkruante përralla dhe pasditeve luante basketboll. Jetonte e vetme që nga koha kur i kishte vdekur e ëma. Pushim zemre. “Bukur, pra”, – i thashë duke u përpjekur të thyej heshtjen. “Jemi dy jetimë të pangushëlluar.”
Atë mbrëmje pashë për herë të parë gjoksin e Nanasë. E kujtoj në të gjitha momentet e rëndësishme të jetës sime të dalë nga një këmishë e mëndafshtë në ngjyrë të gjelbër. Mbështeta kokën atje dhe u ndjeva i mbrojtur. Mbrojtje mëmësore, e vërtetë. Zalisja mbajti për shumë javë. Mbrëmjeve kur flija në shtëpinë e saj, zgjoheshim dhe shihnim njëri- tjetrin. Tashmë i kujtoj ato çaste si një film që e shohim dhe më pas e harrojmë. Mbetet vetëm një lëvizje e aktorit, dy fjalë të tij, një skenë që nuk ka shumë rëndësi.
Ma tha sekretin e madh të jetës së saj ditën e Krishtlindjes. Hanim pulë deti dhe sallatë jeshile në shtëpinë e saj dhe i kërkova pak uthull. “Jo, – më tha. – Jo uthull” – dhe u mbyt në ngashërime. “Jo këtu, mos ma bëj këtë gjë. Nëna ime…”.
E humba. Shishja u kthye vetë dhe uthulla filloi të derdhej në tryezë dhe qilim. Dhe sa kohë që uthulla derdhej, aq më shumë qante. Dhe nuk e di se pse m’u kujtua skena me Krishtin që i japin uthull mbi kryq. Por Nanaja nuk ngjante më me shenjtore. Qante fort, jo vetëm me sy, por me të gjithë fytyrën, derisa lotët iu thanë dhe filloi të fliste. Më tha se si ajo ishte fajtore për vdekjen e nënës. Një mbrëmje përgatiti sallatë jeshile dhe duket se hodhi shumë uthull. Nëna e saj nuk mundi të kapërcente as edhe një kafshatë, se u mbyt nga uthulla e shumtë.
Në kohën që po shfrynte hundët kuptova se nuk e dashuroja me të vërtetë. Në vend që të më vinte keq për të, më vinte keq që ishte aq e shëmtuar kur qante. Periudha e madhe e dyshimeve kishte filluar. Dhe ajo sa më shumë që e kuptonte se po largohesha, aq më shumë më ngjitej. Ndaloi basketbollin dhe u shëndosh paksa. Bëj sikur nuk shikoj, sikur nuk kuptoj. E lë të më flasë, ndërkohë që unë gjendem tjetërkund.
“Çfarë tjetër është dashuria përveç epshit të një majmuni?” Nuk e di se ku e lexova këtë frazë, por e mendoj sa herë që kap gjoksin e Nanasë dhe ngjitem pas saj. Përpiqem ta dëboj këtë mendim, të mos ta bëj timin. Dua të besoj se diku ekziston dashuria e vërtetë, që e duron tjetrin kur qan dhe kur mërzitet.
Tani që kam kohë të mendohem po planifikoj ndarjen tonë. Kam gjetur pesëmbëdhjetë mënyra të ndryshme, por në fund tërhiqem. Thahet goja ime, zëri nuk më del. I dhashë afat vetvetes derisa të heq allçinë. Do t’i them, të bëhet ç’të bëhet. Nuk duroj dot më. Veçanërisht tani që takohemi këtu brenda dhe varet nga supet e mi çdo ditë në orën katër, sikur të dojë të kërcejmë në vals spitalor. Që atëherë që u aksidentova qëndron gjithnjë në të njëjtin vend në krevat, thotë të njëjtat fjalë, heq këpucët dhe i fut krahët në cep të fundit, si Klitemnestra. Mund ta imagjinoj në kanape duke parë televizor me Stefanin dhe Anthinë. Stefani qëndron në mes dhe ato të dyja mbështeten në supet e tij. Veshin të leshta dhe gromësijnë. Por unë nuk jam me ta.
Jam i shtrirë në një livadh. Nuk punoj më në gazetë. Më njohin të gjithë, gjithandej ekspozohen fotografitë e mia. Aq para sa më nevojiten për të jetuar, i nxjerr nga ekspozitat që hap. Kam një aparat të shkëlqyer Laika. Kam blerë edhe një shtëpi të madhe në fshat, me një kopsht të mbushur me barishte të egra. Dielli djeg dhe dëgjohet këngë e vjetër e Led Zepelin. Kryqëzoj këmbët mbi trungun e një peme. Nga larg shoh kokën e një gruaje që nuk e kam njohur akoma. Ndërkohë që afrohet drejt meje, bari dridhet. Ndihem i vërtetë.
Përktheu: ARDI STEFA
Autorja e tregimit, Amanda Mihalopoulu, ka lindur në Athinë, në tetor 1966. Ka studiuar për filologji franceze në Athinë dhe më pas në Paris për gazetari, në CFPJ. Nga viti 1990, punon si gazetare në gazetën Kathimerini. Në botën letrare prezantohet me tregimin “Jashtë jeta është shumëngjyrëshe”, i cili është nderuar me çmime të ndryshme. Pason vëllimi me tregime me të njëjtin titull, botimet Kastanjoti, 1994. Ka shkruar disa romane, “Giandes” (botimet Kastanjoti, 1996), i cili ka marrë çmimin si romani më i mirë nga revista letrare “Lexoj”, “Sa herë mundem të duroj”, (botimet Kastanjoti, 1998), ka botuar disa përralla “Shtëpia që fluturon” (Amfos), “Përrallë erotike” (Kastanjoti), si edhe një seri librash për fëmijë “Galeria familjare”, botimet Pataki. Kohët e fundit ka botuar romanin “Si e vrava shoqen time më të ngushtë”. Disa tregime të saj janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, në anglisht, italisht, gjermanisht, serbisht e në çekisht.
Tregimi: “Këmbët e mia dhe koka e një gruaje”, ka përfaqësuar Greqinë në Bienalen e Krijuesve të Rinj në Lisbonë, në vitin 1994. Tregimi është njëri nga pesë tregimet e vëllimit “Jashtë jeta është shumëngjyrëshe”, vëllim i cili është konsideruar nga kritika greke dhe e huaj, si njëri nga vëllimet më të mira në prozë të shkurtër të dekadës së fundit…