“Rama duhet të dorëhiqet”, Spartak Braho për arrestimin e ish-zyrtarit të FBI: Moralisht është deri në fyt, penalisht s’ka çështje. ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’ janë…

0
244

Ish-deputeti i PS-së Spartak Braho i ftuar në “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24, ka folur për arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.
Braho tha se nëse akuzat ndaj McGonigal vërtetohen do të dënohet me 80 vite burg.

Për Ramën tha se duhet të dorëhiqet, pasi nga pikëpamja morale është i ngarkuar me përgjegjësi, ndërsa nga ana penale nuk ka çështjes. Sa i përket personave A dhe B në dosjen e drejtësisë amerikane, Braho dha emrat Agron Neza dhe Dorian Duçka, duke dhënë detaje për jetën e tyre.

“Në thellësi të akuzave nuk futemi dot, do të flasim për jehonën e këtij lajmi. Akuzat kanë sjellë arrestimin e një prej drejtuesve të Shërbimeve Sekrete Amerikane janë të rënda, shumë të rënda.
Sipas llogaritjeve që bëhen, nëse ato vërtetohen, atij i bie të dënohet rreth 80 vjet burg. Ajo që ka rëndësi dhe na imponon në këtë çështjes është se një pjesë e veprimtarisë së tij shtrihet dhe në Shqipëri. Ai ka pasur kontakte dhe me drejtues kryesorë të shtetit shqiptar, deri dhe me kryeministrin Rama.
Fjala është që ai ka ardhur për të kryer operacione tregtie me ndihmën e një personi që quhet Agron Neza.

 

 

Personi A është një tropojan, ish-oficer sigurimi. Është larguar në Amerikë në vitet ‘91, i natyralizuar dhe me sa duket ‘personi A’ ka pasur një lidhje këtu që është ‘personi B’. Personi B është Dorian Duçka, djali i tezes i një personi të njohur që është aktualisht kryetar partie. Është marrë me biznese vazhdimisht. Nuk ka ndonjë gjë të keqe në këtë mes. I opozitës është. E merr vesh se çfarë bëhet këtu, djali i tezes së një kryetari të opozitës është këshilltari i shefit të maxhorancës?! Çështje interesash është”, tha Braho.

4 takimet e Ramës me zyrtarin e FBI
Sipas ish-deputetit të PS-së ‘Rama shquhet për kontakte, për takime me persona me background negativ në historinë e tij si shtetar’.

“Këto lloj takimesh ai i ka pasur në qendër. Ai i doli në mbrojtje Vangjush Dakos megjithëse ishte shpallur non grata nga SHBA, tha është dhe mbetet miku im. Dako nuk ka qenë personalitet politik, një biznesmen i vendosur kryetar bashkie nga Rama që u shpall non grata për aktivitetin e tij kriminal në bashkinë e Durrësit. Ky njeri dallohet për të tilla… Nuk është serioz. Nuk janë as morale, prekin dhe etikën dhe cipën e një drejtuesi shtetëror i cili duhet të jetë i kulluar. Ky nuk është i kulluar”, tha Braho.

Ai komentoi dhe deklaratat e Ramës, të bëra që në nisje të hetimit për ish-zyrtarin e FBI që është mik i tij, si dhe reagimin e sotëm në “Twitter” për këtë çështje.

“Inoçent, i papërgjegjshëm fare me këto deklarata që bën. Kujton se justifikon veten. Sipas logjikës së Ramës, i lejohet të takohet me tërë. Mos harroni se akuzat e prokurorisë amerikane janë shumë të rënda për mikun e tij.
Këto akuza u bënë të njohura, ajo që është e panjohur, është lobimi i tij për futjen e kompanive ruse në Shqipëri në tregun e naftës.
Thuhet se ka marrë 225 mijë dollarë nga persona që kanë hyrë dhe kanë dalë me Ramën.
Nuk është trekëndësh, është shumë e lexueshme. Janë marrëdhënie që diskreditojnë kryeministrin. Ata janë në fillim të hetimeve, se sa është i implikuar kryeministri…

Unë mbaj mend që për lobimin e Bashës me kompaninë ruse, ky e ngriti lart, ky e akuzoi. Tani thotë ç’punë kam unë me atë. Nuk është kështu. Ka shkelur normat. Këtu nuk ka standard fare. Standardi i vetëm i kryeministrit është të jetë qelibar, i pastër. Me këtë rreth akuzash, unë mendoj që Rama duhet të mendohet mirë. Janë të rënda. Ka një moral një kryeqeveritar. Rama duhet ta masë vetë pozitën e tij, normalisht rruga më normale, duhet të jetë t’ia lërë drejtimin një socialisti tjetër. Të dorëhiqet! Duhet t’i hapë rrugë… Këtë gjë ka kërkuar dhe ky nga të tjerët. T’i hapë rrugë një drejtimi të ri në PS.
Të japë dorëheqjen sepse moralisht i ka shkelur të gjitha rregullat e etikës. Në këtë rast mban përgjegjësi politike, morale për këto akuza që ngrihen për persona që i vijnë atij rrotull, siç janë dhe këshilltarët e tij të përzier me ish-zbuluesin e qeverisë amerikane”, tha Braho.

Sipas tij, në qoftë se do të shpëtojë nderin e tij, nderin e socialistëve, Rama duhet patjetër t’i hapë rrugën një socialisti tjetër.

“Do shkojë, nuk do shkojë, do jetë fajtor apo jo, kjo do jetë në dorë të drejtësisë.
Ai thur fjalë që në dukje të prishin mendjen, por që nuk thonë asgjë. Unë s’mund të bie në ndikimin e këtyre fjalëve që nuk kanë efekt çudibërës për mua. Do merren të tjerët me të, ai është marrë me të tjerët.
Në këto akuza duhet vërtetuar lidha shkakësore. Këto janë akuza që e ngarkojnë Ramën nga pikëpamja morale. Personat e malavitës kanë qenë shokë të Edi Ramës, me këta ka punuar.
Unë di ta lexoj, e njoh dhe Ramën shumë nga afër. Të presim. Tani për tani prokuroria shqiptare nuk ka vend për të filluar çështjen. Po të thellohet hetimi të shikohen deklarimet e tij, pse i ka fshehur. A i ka deklaruar këto darka dhe dreka.
Ky të shohim a i ka deklaruar të tijat apo jo. Lidhje shkakësore në këtë mes, që e penalizon direkt Ramën nuk ka. Ama nga pikëpamja morale është deri në fyt”, tha ish-deputeti i PS.

Për Brahon, kjo çështjes nuk ndikon fare në periudhën zgjedhore. “Zgjedhjet i ka të fituara ai se nuk ka opozitë. Ai ka rrezik do të marrë dhe Shkodrën këtë radhë, por nuk është kjo fitore. Sa kohë që një drejtues kryesor i shtetit përgojohet si njeri me lidhje të dyshimta, me elementë, apo me personazhe të botës së krimit, ku përfshihet dhe ky…
Unë vetë mund të them me dhjetëra raste të shoqërimit të Ramës me këta elementë, të huaj dhe të vendit”, u shpreh ai.

Por a ka influencë ruse në marrëdhënien e Ramës me ish-zyrtarin e FBI?
“Nëse kjo çështje merret në hetim nga prokuroria nuk mund të ngrihet komisioni hetimor. Nuk mund të ngrihet komision sepse Rama ka machorancën, voton kundër ngritjes dhe fryjnë sytë të tjerët. Atë Agron Nezën e ka patriotin e tij Berisha, është djali i Bajram Nezës nga Tropoja. Agron Neza ka qenë punëtor operativ i thjeshtë sigurimi, mori rrugët në Amerikë, u natyralizua, bëri biznes, dhe shfrytëzoi këto lidhjet e veta.
Rama duhet të hapë rrugë një socialisti tjetër për të drejtuar qeverinë, të shkojë te presidenti dhe të thotë se duhet ta drejtojë dikush tjetër qeverinë, ky duhet të ikë”, përsëriti Braho.