DEA amerikane me zyrë në Shqipëri, ish-prokurori: Do të jetë shumë operacionale, vërdallë do vijë dhe FBI-ja

0
303

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci është shprehur se hapja e zyrës së DEA-s amerikane në Tiranë tregon shumë për fuqinë e grupeve shqiptare dhe kryqëzimin e trafikut të kokainës në Shqipëri.

Sipas tij, “vërdallë” në vendin tonë do jetë dhe FBI-ja. Vetë Ambasada e SHBA në Tiranë ka njoftuar shtetasit shqiptarë se ata mund të kontaktonin me DEA-n nëpërmjet WhatsApp ose email, nëse kanë informacione për trafikun e drogës apo pastrimin e parave të saj.

“DEA ka pasur qendrën e saj në Athinë për Ballkanin, por fakti që kërkon të vijë me zyrë të veçantë për Shqipërinë tregon fuqinë e grupeve shqiptare dhe kryqëzimin e trafikut të kokainës në Shqipëri.

Veprimi i tyre me linjën e qytetarëve është një teknikë që e përdor kudo, edhe në SHBA. DEA ka dëshirë të kryqëzojë informacionet.

Pritet të jetë më shumë operacionale dhe efektive dhe pritet të ndryshojë diçka tjetër. Gjithashtu do vijë edhe FBI vërdallë përveç DEA-s. Ata do provojnë të sjellin zyrtarët e tyre për të krijuar dualitetin e famshëm mes DEA dhe FBI”, tha ish-prokurori Eugen Beci në emisionin “Open”.