Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka i ka bërë thirrje kolegëve të saj që janë pjesë e grupit të Sali Berishës për t’u bashkuar për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Sipas saj, debati për vulën e PD-së dhe për postin e Lulzim Bashës, nuk duhet të shërbejë si “mollë sherri” mes demokratëve. Në një intervistë për emisionin “Kjo javë”, Açka deklaroi se PD-ja nuk është as e Lulzim Bashës dhe as e Enkelejd Alibeajt.
Përsa i përket drejtimit të PD-së nga ana e Bashës, deputetja demokrate thotë se mënyra më e mirë është që ai të garojë dhe të fitojë përmes votave të demokratëve nëse synon të rikthehet në krye.
Açka: Basha është tërhequr, nuk është në skenën politike të PD-së. Rithemelimi s’ka pse të kapet fare tëk Basha për të thënë që nuk bashkëpunoj.
Pyetje: E shihni të pamundur rikthimin e Bashës?
Açka: Nuk e shoh të pamundur. Por nëse do të rikthehet, duhet të hyjë në zgjedhje. S’ka për të ndodhur më 13 qershori. Unë kam mbajtur distancën e duhur nga 4 kandidatët. Ata që drejtojnë sot foltoren, nuk e di si mund të artikulojnë ato fjalë për Bashën, ndërsa unë i kam dëgjuar që kërkonin vota për Bashën në Elbasan apo në vende të tjera. Unë nuk do bëj propagandë për asnjërin.
Pyetje: Mbledhjet e PD-së gjatë ditëve të fundit, çfarë ka ndodhur? A ka pasur debate e tensione?
Açka: Kanë qenë në përgjithësi mbledhje me debate. Por në fund, ka qenë fryma e bashkëpunimit. Mbledhjet e mëparshmet kanë qenë të gjata ku diskutuam për ofertën tonë, për bashkëpunimin me Rithemelimin. Një pjesë të primareve, nëse janë të gjithëpranueshëm, le të vijnë në garë dhe të gjendej një zgjidhje më oportune për të gjithë demokratët. Shpresoj që ka një shpurë njerëzit me mendje më të ftohtë për të ardhur me një zgjidhje.
Më vjen keq për disa prej figurave që i çmoj shumë. Janë pjesë e historisë së PD-së. Në ndërgjegjen e tyre, nuk do i pëlqente ky reagim i momentit. Unë u bëj thirrje që të shkëputen nga ky presion që u ndodh. PD nuk është pronë as e Bashës dhe Alibeajt, por është e demokratëve. Është pjesë e kontributit të tyre dhe të mos djegin këtë situatë. Unë u bëj thirrje që të bashkohen. Sot varen nga ata. Nuk ka besë në këtë gjë, është një gjë shumë më e madhe sesa besa që kanë dhënë ata tek një shpurë njerëzit.