Deputeti Luçiano Boçi në fjalën e tij në Kuvend komentoi gjendjen problematike të qytetit të Elbasanit. Gjatë fjalës së tij, Boçi tha se qytetarët janë lënë të varfër, për të pasur mundësi t’u blejnë edhe votën.
Ai gjithashtu theksoi se lënia e mandatit si deputet për të kandiduar për Bashkinë e Elbasanit, e vendos akoma më shumë përballë përgjegjësive.
“E vërteta është gjithmonë më e fortë. ky vend më ka pëlqyer për dinamikën. Këtu në kë të sallë kam pasur të ulur bashkë të mirën dhe të keqen, por mos mendoni se po largohem prej kësaj. Ndryshe nga ju mua më është dhënë një privilegj, për të qenë kandidat në bashkinë time të Elbasani. Këtë e konsideroj si mundësinë time të artë për t’i kthyer detyrimin, jetën e mirë, mjedisin që meriton dhe zhvillimin e duhur. Shkolla ime është atje, shtëpia ime është atje. Sot unë nuk dua të flas për mizorinë me të cilën e keni trajtuar atë bashki me dekada dhe keni përfituar gjatë këtyre viteve. I keni bindur se janë të varfër dhe se do të vdesin të tillë dhe ky padyshim është një krim. U keni helmuar tokën më të butë të planetit dhe u keni mashtruar me një gjysmë thesi miell që të mbajnë gojën mbyllur. U keni vjedhur 27 mln euro me një gënjeshtër që edhe pse nuk djeg dot plehra, ju u djeg me siguri. Keni shkatërruar çdo infrastrukturë, keni braktisur lagje dhe fshatra, pa rrugë e pa shërbim, por vetëm me presionin për të marrë votën. Unë po iki për t’u rikthyer atje ku çdo gjë e vogël bën një diferencë të madhe. Ne do ta rikthejmë Elbasanin në një pol të rëndësishëm ekonomik, në trekëndëshin, Tiranë-Elbasan –Durrës. Një vend ku mund të jetosh pa menduar si të ikësh. Elbasanin do ta bëjmë qytetin e internetit të shpejtë dhe do t’i tregojmë qeverisë së si qeveriset në një vend me njerëz të mirë. Kërkesa ime në këtë sallë, është boll ia vratë votën dhe të ardhmen duke ia blerë atë. Boll ia kërcënuan jetën duke i larguar për bindje politike dhe boll i mashtruat me propagandë”, tha ai.