BallinaOP ED4 prilli, data që i bën nder anëtarësimit të RSH-së në NATO

4 prilli, data që i bën nder anëtarësimit të RSH-së në NATO

Nga GJENERAL PIRO AHMETAJ

Si ndër pjesëmarrësit teknik në datën që Republika e Shqipërisë u ul me të drejta të plota në tavolinën e 28 vendeve të NATO-s (Samiti i Këln/Strasbourg), sigurisht që e di fort mirë që data zyrtare e pranimit të RSH-së është data 1 prill 2009. Gjithsesi, në 14 vite rresht, vijoj të insistoj për t’i “zhvendosur celebrimet protokollare nga data 1 në 4 prill”, duke e bashkuar anëtarësimin e RSH-së me atë të themelimit të NATO-s (4 prill 1949/2009).

Thënë këtë, shpresoj të adresohet/j si: “gjetje e mençur, që jo vetëm kapërcen perceptimin rreth 1 prillit (ditën e gënjeshtrave) dhe konfirmon një të vërtetë të madhe, por i bën nder dhe i jep vlera shtesë kësaj ngjarjeje historike për kombin”. Duke e parë kështu, data 4 prill 2023 shënon 14-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë, si dhe përvjetorin e 74-t të themelimit të Aleancës Ushtarake më të fuqishme të historisë së njerëzimit, e cila ka luajtur dhe vijon të mbajë peshë kritike për paqen, sigurinë, mbrojtjen e vlerave të demokracisë, si dhe interesat gjeopolitike jo vetëm në hapësirën Euroatlantike.

Kur 74 vjet më parë, “babai-themelues dhe komandanti i parë i NATO-s, Dwight D. Eisenhower, e projektoi Aleancën e Atlantikut të Veriut si një instrument politiko-ushtarak për mbrojtjen e tërësisë territoriale në rast sulmi nga kampi Stalinist, ndoshta askush nuk e kishte imagjinuar se Gjenerali brilant kishte projektuar themelimin e Aleancës më të suksesshme të sigurisë globale. Mbas 74 vitesh, mund të thuhet me bindje se NATO e ka përmbushur misionin në mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendeve anëtare, si dhe ka shërbyer si një mekanizëm shprese për paqen dhe sigurinë në botë.

Edhe pas viteve 1990, përveç misionit bazë, NATO: “ka dominuar tregun e mjedisit të ri të sigurisë globale” nëpërmjet një procesi të gjithanshëm reformimi dhe modernizimi të konceptit strategjik, strukturave, armatimit, pajisjeve, planifikimit dhe kulturës së bashkëpunimit mes vendeve anëtare. Një ndër shtyllat e këtij suksesi mbetet politika e “Dyerve të Hapura/Open Door Policy”, që NATO e lançoi pas viteve ‘90, e cila ka shërbyer edhe si mekanizëm për reformat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe si shkollë e demokracisë për vendet e lindjes komuniste.

Fal këtij mekanizmi nga 16 vende para 1990 (për punë ditësh Finlanda), NATO përbëhet nga 31 anëtarë, ndërsa me firmosjen e ratifikimit nga Turqia të Marrëveshjes së Uashingtonit Suedinë, arrin në 32, ose dyfishin e vendeve që kishte në 1990. Në hapësirën Euroatlantike/NATO-s jeton një popullsi rreth 1 miliard banorë, zotëron me shumë se gjysmën e ekonomisë botërore, ndërsa personeli aktive arrin në 3.5 milionë. SHBA-ja, Franca dhe Anglia zotërojnë armë bërthamore, për misionin e shkurajimit të kundërshtarëve potencialë, “deterrence”

Për fatin e kombit tonë, historia me e suksesshme e angazhimeve të NATOs mbetet operacioni ushtarak në Kosovë (1999), që edhe pse jashtë artikullit 5, demonstroi fuqinë ushtarake të Aleancës si: ”shpresë e paqes, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit demokratik”. Do ishte e padrejtë, nëse në çdo 4 prill të mos e përsërisim rolin jetik të SHBA-së në Aleancën e Atlantikut të Veriut, pasi ajo mban barrën kryesore të fuqisë dhe shpenzimeve ushtarake.

Mjafton të përmendim shpenzimet e mbrojtjes rreth 1 trilion USD (për vitin 2023) ose mbi dy herë më shumë se 29 vendet e tjera të NATO-s të mara së bashku. Shkurt, për qasjen e NATO-s ndaj kërcënimeve dhe sfidave aktuale. Agresioni ushtarak i Rusisë, nuk ishte as është vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe: “kërcenim serioz ndaj rendit global të sigurisë, si dhe interesave të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO)”. Ndërsa, Krimea, Bosnja, Kosova, etj., kanë treguar se kërcënimet ushtarake po sofistikohen nëpërmjet përdorimit të formave të reja, si referendumet e mbështetura nga jashtë, fundamentalizmit fetar, krimit të organizuar, agjendës së politikanëve të korruptuar, qeverisjet e dështuara, etj.

Në këto rrethana, përveç misionit madhor për mbrojtjen e tërësisë territoriale të 30/ +2 vendeve anëtare, NATO-s i duhet mbaje përsëri barrën kryesore. E pamundur për të ndaluar ambiciet e Rusisë në “aneksimit të Krimesë me tanke dhe marrëveshje”, prej vitit 2014, NATO ka dislokuar forca të gatishmërisë shumë të lartë në vendet Baltike, Evropën Qendrore dhe Juglindore. Mbas 13 muaj luftime, mund të themi se Rusia-Putiniste i ka (keq)humbur betejat për të testuar kohezionin mes vendeve të NATO-s, qoftë edhe duke kërcënuar me gazin si armë gjeopolitike, si dhe me përdorimin e fuqisë bërthamore.

Në të kundërt, rreth 100 miliardë € armatim dhe pajisje ushtarake moderne, përfshi Tanke Leopard, sistemet Patriot, etj., janë prova të forta për kohezionin dhe vendosmërinë e përforcuar të Aleancës Transatlantike, për ta mbështetur Ukrainën deri në fitoren ndaj së keqes të përbashkët. Rusia gjendet më e izoluar se kurrë nga bota e qytetëruar: “nga 193 vetëm 4 shtete terroriste e njohën këtë aventurë neo-naziste”, rrezikon seriozisht përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB dhe besoj, jo shumë vonë, Putini dhe gjeneralët gjakatarë do të përgjigjen për krime kundër njerëzimit në Gjykatën e Hagës.

Përkundër panikut dhe (del)elokuencës së analistëve të gjithëditur dhe strategëve të vetë(de)graduar, përsëris bindjen strategjike se: ”falë rezistencës stoike të Ukrainës dhe vendosmërisë së NATO-s, Rusia-Putiniste do ta humbasë me turp luftën, si dhe do të gjunjëzohet në përballjen me fuqinë ushtarake, kohezionin e përforcuar dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (SHBA/NATO). **** Besoj nuk ka askush mëdyshje, Anëtarësimi i RSH-së në Aleancën e fuqisë Euroatlantike dhe vlerave perëndimore, meriton të skalititet në memorien e historisë sonë kombëtare si: “arritja e dytë gjeopolitike mbas shpalljes së pavarësisë në 28 mëntor 1912”.

Kjo jo vetëm të paprekshmërisë territoriale që garantohet nga NATO, por me së shumti për shkak të konflikteve shekullore, pozitës gjeografike, interesave dhe përcaktimit të shqiptarëve ndaj vlerave perëndimore. Edhe duke përsëritur mirënjohjen ndaj SHBA-së, vijoj të refuzoj “tallavanë populiste” se anëtarësimi i RSH-së në NATO, ishte dhuratë. Kjo pasi si dëshmitar/ekspert i këtij udhëtimi jam shumë i bindur që kjo arritje (4 prill 2009) ishte meritë e përpjekjeve të shqiptarëve në aspiratën drejt perëndimit, e reformave të thella në fushën e mbrojtjes (p.sh, nga 115 mijë ushtri aktive që trashëguam para 1990, sot FA kanë më pak se 9 mijë), por edhe e vizionit dhe konsensusit të gjerë politik, si dhe e mbështetjes dhe e kohezionit kombëtar.

Në të njëjtën kohë, Tirana zyrtare në 14 vite rresht ka konfirmuar se anëtarësimi nuk është stacion i fundit për Shqipërinë, por një fazë e re, me përfitime, me sfida dhe me përgjegjësi shtesë. Prandaj, Shqipëria në NATO, respektohet si “aktore më shumë se modeste”, pasi ajo mbetet e përkushtuar si vend “Leader” për ta çliruar rajonin nga historia e përgjakshme shekullore, si dhe për ta jetësuar agjendën e udhëtimit euroatlantike (NATO/BE) të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë udhëtim 30-dhjetëvjeçar drejt/ mbas anëtarësimit në Aleancë, nga një vend që mbarte/krijonte probleme me sigurinë (konsumator), Shqipëria është shndërruar në një vend që kontribuon për sigurinë në rajon, Mesdhe dhe më gjerë. Si p.sh, mund të përmendim faktin që prej vitit 1996 në operacionet e NATO/BE në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Ukrainë, Mali, etj., kanë kontribuar rreth 9.000 burra dhe gra me uniformë. Me këtë rast, përshëndesim rolin aktiv të RSH-së, rrjedhojë e përfaqësimit dinjitoz krah SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; për mbështetjen e pakushtëzuar të vendimmarrjeve në NATO-s, arritjen e buxhetit të mbrojtjes në 2% të GDP-së për 2024, si dhe kontributeve më shumë se modeste që vijon t’i japë Ukrainës.

Ndërkohë, 14 vjet pas anëtarësimit, shqiptarët e kanë tejkaluar perceptimin e NATO-s si ”xhandarë/e” që garanton falas paprekshmërinë territoriale të 30 anëtarëve (përfshi RSH-në). Për më tepër që, RSH-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s, si dhe forcimin e partneritetit strategjik me Uashingtonin. Shqipëria po ashtu ka demonstruar vullnet konstant për të zhvilluar projekte të përbashkëta me Kosovën, si dhe me 4 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (përfshi Serbinë), për t’u përballur bashkërisht me kërcënimet asimetrike si në rastet renegate, rreziqet kibernetike, ekstremizmi, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, emergjencat civile, etj.

Në shtesë, aktorët shtetërorë të Tiranës zyrtare, do t’i ri-këshilloja mbi domosdoshmërinë për të zhvilluar një strategji afatgjatë, që përfshin sovranitetin territorial në kuadër të NATO-s, por që fokusohet në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare (SMZHIK/2035) në rajon, Mesdhe dhe më gjerë.

Po ashtu, e çmoj kritike për të modernizuar strukturat përgjegjëse dhe kapacitetet operacionale, duke reflektuar ndryshimet e konceptit të ri strategjik të Aleancës, si dhe përmbushur detyrimet në kuadër të NATO, EU, etj. E fundit, por jo nga rëndësia, në shkollat perëndimore të NATO-s kemi mësuar se në reformat e sigurisë dhe mbrojtjes, kurrsesi nuk vlejnë politizimi, privatizimi, protagonizmi si dhe delikuentet, por dashuria për vendin, gjithëpërfshirja, përkushtimi, përulësia dhe përgjegjësia e lartë shtetërore, besimi në vlerat demokratike, si dhe “bekimi” nga/ndaj partneritetit strategjik me SHBAnë, NATO-n, etj

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular