Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, do të qëndrojë në Serbi dhe në Kosovë këtë javë për t’u takuar me udhëheqësit e të dyja vendeve, ndërsa diplomatët amerikanë dhe evropianë punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet midis këtyre dy ish armiqve të kohës së luftës, në një kohë tensionesh të rritura.
Zonja Power bëhet kësisoj udhëheqësja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.
Serbia dhe Kosova kanë marrëdhënie shpesh armiqësore që nga ndarja e Kosovës nga Serbia në fund të Luftës së Ftohtë. Fërkimet midis Serbisë dhe Kosovës, e cila ka një shumicë etnike shqiptare dhe një pakicë etnike serbe, janë rikthyer mes tensioneve të përgjithshme, që nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, vitin e kaluar.
Zonja Power do të takohet me kryeministrat dhe presidentët e të dyja vendeve, për t’i inkurajuar të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Ajo “do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit tonë për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimit demokratik”, tha USAID në një deklaratë.
Zonja Power do të jetë zyrtari i parë i lartë i qeverisë amerikane që do të udhëtojë në rajon, që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të dyja vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i inkurajuar ata që t’i përkushtohen dialogut paqësor.
Bashkimi Evropian ka shpenzuar 12 vjet duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.
Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara shpesh ndërhyjnë për të ulur tensionet midis dy kryeqyteteve, posaçërisht vitin e kaluar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.
Lufta në Kosovë shpërtheu kur shqiptarët etnikë ngritën krye kundër sundimit serb dhe Serbia u përgjigj me një shtypje brutale. Rreth 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, u vranë. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s përfundimisht e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori i Kosovës.
Zonja Power gjithashtu do të takohet në Serbi dhe Kosovë me pjesëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesesh, gazetarë dhe të tjerë, duke përfshirë ish-lojtarin serb të NBA-së Vlade Divac dhe sportistë me aftësi të kufizuara./VOA/