BallinaOP EDKur të votosh, mbaj parasysh!

Kur të votosh, mbaj parasysh!

Editorial i Monitor
Alternativë qeverisjeje vendore apo luftë për administrimin e 850 milionë eurove

Mbaroi dhe një mandat pushteti vendor. Procesi i para katër vitesh ndryshoi, në mënyrë të njëanshme, hartën e pushtetit vendor në vend, ku me votat e vetëm 22.96% të zgjedhësve (sipas rezultateve zyrtare – që u kontestuan nga opozita si të fryra artificialisht), prej të cilave rreth 74.11% e votave shkuan për PS.

Më 14 maj 2023 është e qartë se kjo hartë përfaqësimi do të ndryshojë. Interesi i të gjithëve është të kuptojmë se sa dhe si do të ndryshojë harta e pushtetit vendor.

Fushata zgjedhore e zhvilluar nuk evidentoi programe të qarta (të paktën deri më sot që po dalim në shtyp) që të formësohet me kohë dhe bindja votuese.

Ajo që bie në sy në këtë fushatë është dominimi i retorikës së një fushate të përgjithshme zgjedhore, ku angazhimi maksimal i administratës, retorika e ashpër politike, premtimet apo dhe përurimet e projekteve të ndryshme, të ngjashme me panoramën që përjetuam në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, kanë lënë në hije diskutimet teknike dhe thelbin e ofertës që palët duhet t’i shpalosin votuesit.

Veshja e zgjedhjeve me një petk politik të tepruar largon vëmendjen nga problemet dhe sfidat reale me të cilat përballen bashkitë apo rajonet kryesore të vendit, si dhe eliminon debatin teknik dhe diskutimet mbi shifra apo rezultate konkrete, gjë që po kthehet në një fenomen të qëndrueshëm, sa herë që jemi para zgjedhjeve, qofshin këto vendore apo të përgjithshme.

Duhet theksuar që fushatat vendore i shërbejnë zgjedhjes së qeverisë së një njësie vendore dhe fokusi nevojitej mbi ato programe dhe zgjidhje që do të adresonin sfidat kryesore të pozicionimit të pushtetit lokal ndaj atij qendror, të administrimit të infrastrukturës dhe shërbimeve publike në nivel lokal, të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit rural, apo zhvillimit ekonomik vendor dhe sigurisë publike.

Por këto elemente, për të cilat qytetarët sot kanë më tepër nevojë se kurrë, duket sikur janë zëvendësuar nga retorika të vjetruara politike dhe populizëm i denjë për vitin 1945, apo debate që të kujtojnë Shqipërinë e viteve ‘90.

Bashkitë e vendit tonë administrojnë një buxhet prej 850 milionë eurosh në vit, i cili financohet nga taksat e qytetarëve dhe bizneseve.

Kandidatët në garë duhet të shpalosin idetë dhe programet e tyre, se si do t’i administrojnë këto fonde me përgjegjësi dhe transparencë, me qëllim zbutjen e problemeve të territoreve bashkiake dhe shndërrimin e tyre në ambiente jetese të pëlqyeshme.

Nuk jemi as në vitin ‘45, as në vitet ‘90, as nuk po votojmë për të ardhmen gjeopolitike të vendit apo rajonit. Mënyra se si kjo fushatë po zhvillohet, duke mos kursyer asnjë mekanizëm pushteti, tenton të minimizojë rëndësinë e zgjedhjes së individit, duke i ofruar qytetarit iluzionin se po voton të ardhmen politike të vendit.

Kur të hedhim votën, duhet të mendojmë se po votojmë njerëz që duhet të tregojnë se janë të aftë të administrojnë ujin, mbeturinat, transportin publik, mjedisin, ndotjen, apo parqet tona, që përdorin me efektivitet programet e ndihmës sociale, ushtrojnë kujdes për administrimin e kostove të infrastrukturës arsimore në çdo nivel dhe të përpiqen të përmirësojnë jetesën e qytetarëve dhe ambientin e biznesit.

Në ditën e zgjedhjeve, detyra jonë si votues është të zgjedhim kandidadët që ofrojnë programe konkrete dhe thelb, por edhe forca politike të cilat ofrojnë alternativa që përputhen me filozofinë që besojmë se është ajo e duhura.

Prandaj, votues, le të zgjedhim ata kandidatë që realisht synojnë të menaxhojnë me efikasitet dhe me transparencë taksat tona dhe jo “menaxherët” e ardhshëm të një “biznesi” prej 850 milionë eurosh.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular