Nga Bujar Leskaj
Fjala e mbajtur sot ne seancen Parlamentare
E nderuar zonja Kryetare,
Fjala e mbajtur sot ne seancen Parlamentare
E nderuar zonja Kryetare,
Të nderuar deputetë.
Nuk është ndonjë zbulim që po bëjmë ne deputetët e opozitës, por është një zhvillim objektiv që kjo mazhorancë do të vazhdojë skandal pas skandali.
Dhe, siç thotë populli: “Zullumi me të trashur këputet!”
Por problemi, detyra dhe detyrimi që kemi ne si deputetë të opozitës nuk është thjesht denoncimi i skandaleve të kësaj mazhorance, qeverisë së saj të sektit Rama, por është që t’i paraprijmë së ardhmes, për atë detyrim që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë, demokratë, socialistë dhe të cilësdo përkatësi politike.
Ndaj mendoj se detyra jonë kryesore, kondicionimi ynë kryesor, krahas denoncimit që duhet të bëjmë në Kuvend, media dhe forume të tjera vendase e ndërkombëtare është parapërgatitja për zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të zhvillohen në 2025-ën që këta të vazhdojnë të ecin skandal pas skandali, ose mund të jenë edhe zgjedhje të parakohshme.
Por ne kemi përgjegjësi të fokusohemi aty ku dikur ka qenë hallka kryesore e zhvillimit të ngjarjeve të mëparshme.
Dhe kjo është domosdoshmëria e Reformës Zgjedhore.
Kemi dy variante: Varianti bazë që është dakord e gjithë shoqëria shqiptare, sipas të cilit Kushtetuta e vitit 1998 duhet të ndryshojë; të ndryshojë qeverisja në vend, i gjyqësorit, legjislativit, institucionet e pavarura, ç’ka kërkon kohë.
Dhe, e dyta, të reformohet sistemi zgjedhor. Kjo e dyta është vullneti ynë, i pozitës dhe i opozitës.
Kuptohet, që ne të opozitës duhet ta kemi e shohim si detyrë, duke kondicionuar këtë mazhorancë që Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të funksionojë e të sjellë produktin e tij sa më shpejt.
Kërkohet urgjentisht reformimi i sistemit zgjedhor, pasi në 2025-ën, apo edhe po u zhvilluan zgjedhje të parakohshme, ne do të tradhtojmë interesat e shqiptarëve dhe të elektoratit tonë.
Ajo ç’ka duhet t’i kërkojmë Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili është në letargji, nuk po punon dhe kjo, jo pa qëllim nga sekti Rama është që të kërkojmë një reformë zgjedhore ose pa prekur Kushtetutën proporcional- rajonal me numër të kufizuar rajonesh, p.sh. nga 12 t’i kalojmë në 4, ose, duke prekur Kushtetutën të kërkojmë një sistem proporcional kombëtar.
Pse duhet ta bëjmë ne këtë?
Në rdhë të parë për t’i dhënë barazi votës, për t’u krijuar partive të reja që duan të futen në sistem dhe partitë e vogla parlamentare e joparlamentare të marrin një numër mandatesh, që u korrespondon numrit të votave të fituara. Vetëm kështu mund të themi që ne punojmë, ndërtojmë e rindërtojmë Shtetin e së Drejtës!
Pra duke dhënë mundësi të barabartë përfaqësimi.
Ne duhet të përqëndrohemi dhe sidomos ne, deputetët e opozitës, të mbështesim nismën e deputetit Dashamir Shehi dhe një grupi deputetësh, kryetarë të partive të vogla për rregullimin e sistemit zgjedhor.
Listet të jenë 100% të hapura. Nuk duhet të kemi më deputetë të kryetarit në Kuvendin e Shqipërisë.
Për fat të keq ndryshimet e vitit 2008 ne duhet të pranojmë që janë ndryshime që ndikuan negativisht në zhvillimin e vendit. Dhe ne sot, ndiejmë të gjithë peshën e të qenit “deputetë të kryetarit”!
Jo ne duhet të jemi deputetë të zgjedhësve tanë. Edhe Kushtetuta e ka parashikuar që deputeti nuk ka asnjë detyrim përveç zgjedhësve të tij. Pikërisht këtu ka qenë qëllimi. Që ne të jemi të lirë nga trysnia, nga shtypj në mënyrë figurative, presioni i kryetarit dhe mënyrës së zgjedhjes.
Nga ana tjetër, duke ndërtuar një sistem proporcional rajonal me numër të kufizuar rajonesh, ose proporcional kombëtar, ne arrijmë që të kemi edhe barazinë e deputetëve të zgjedhur për numër votuesish.
Nuk kemi pse të kemi fjala vjen një deputet të Vlorës me 9.000 vota dhe ai i Kukësit me 14.000.
Pse të jenë këto diskordanca?
Ndryshimi i sistemit zgjedhor i rregullon këto.
Dhe e fundit. Ne duke respektuar atë çfarë kemi shprehur politikisht, edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2020, duhet të vendosim ë edhe diaspora të votojë. Janë 1,6 milion shqiptarë sot në botë, kryssiht diaspora e re. Por edhe ata të vjetrit, emigrantë të viteve ’20 apo edhe emigrantët antikomunistë të pas viteve ’44, apo edhe ata të pas viteve ’90, që e kanë mbajtur gjithmonë gjallë atë flakën e shqiptarizmit kudo ku kanë qenë. Pikërisht këtyre duhet t’u krijojmë mundësinë që të votojnë.
Dhe këtë nuk e relizon dot Komisioneri, sado dëshirë të mirë të ketë, por jemi ne, veçanërisht deputetët e opozitës që duhet ta realizojmë.
Nuk e realizon dhe nuk do ta realizojë sekti Rama. Rama dhe të tijët Diasporën e mbajnë me “ujë të ngrohtë”.
Edhe në Ministrinë e Disporës, gjetën një vend për deputetin e nderuar, Pandeli Majko, përpjekjet e të cilit ata i shumëzuan me zero.
Nuk ishte thjesht shumëzim me zero për deputetin Majko. Ata shumëzuan me zero punën për Diasporën, për të mos u krijuar e plotë korniza ligjore, orgniztive për të votuar diaspora dhe për të arritur atë që të gjithë qytetarët shqiptarë në bazë të Kushtetutës të kenë të drejtë të “zgjedhin e të zgjidhen në Kuvendin e Shqipërisë”.