Policia ka dhënë detaje për zjarrin e rënë në një parking të një pallati në zonën e Unazës së Re në kryeqytet, ku për pasojë u dogjën dy makina. Policia thekson se nga verifikimet nga rezultuar se është një 36 vjeçar, i cili i ka vënë zjarrin automjetit të babait pas një konflikti që ka pasur me të. 36-vjeçari, i cili rezulton me probleme të shëndetit mendor, është shoqëruar në spital për ndihmë mjekësore pasi ka pësuar dëmtime të lehta si pasojë e zjarrit.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për zjarrin e rënë në parkingun e një pallati në Unazë të Re, ju sqarojmë se:
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se autor i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi E. L., 36 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, i cili dyshohet se gjatë një konflikti me shtetasin S. L. (babai), i ka vënë zjarrin automjetit të tij.
36-vjeçari është shoqëruar në spital për ndihmë mjekësore pasi ka pësuar dëmtime të lehta si pasojë e zjarrit.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është shoqëruar shtetasi S. L., i cili ishte prezent bashkë me 36-vjeçarin, gjatë ngjarjes.