NGA PËLLUMB NAKO
Parlamenti e kaloi ligjin i cili parashikon kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Parlamenti e kaloi ligjin i cili parashikon kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Debatet ishin të shumta dhe të ashpra. Kundërshtarët e ligjit e vunë theksin te krimi dhe të organizatat kriminale në përgjithësi, pa analizuar në mënyrë më konkrete edhe efektet e pritshme sociale që do të ketë ky ndryshim ligjor i kultivimit të kanabisit. Kjo sepse gati gjithmonë në debatet politike, çështja e përfitimeve të grupeve kriminale nga kjo apo ajo nismë ligjore, zë vendin kryesor apo të vetëm, në debate dhe pak rëndësi i kushtohet asaj që mund të pësojnë njerëzit e thjeshtë, apo më saktë familjarët e konsumatorëve të varur nga droga e kanabisi. Pavarësisht sa çfarë u tha dhe u komentua në këto debate, duket qartë se qeveria ka menduar më shumë për përfitim ekonomik të saj dhe të atyre që do të licencohen. Në thelb lejimi i kultivimit të kanabisit është i njëjti në filozofi me përpjekjen e qeverisë për pasaportat e arta apo edhe për amnistinë financiare. Mendohet vetëm për rritje të të ardhurave, ku përfituesi fundor, siç është individi i thjeshtë, nuk ndjen asgjë.
Por, a mjafton legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore që sjell rritje të ardhurash?
Para se të kalojë në parlament, nisma u bë publike nga ana e shefit të qeverisë, kohë më parë. Por që nga ai moment e deri më sot është folur në terma të përgjithshme. Konkretisht, nuk është parë ndonjë debat apo studim i njohur nga mbarë publiku për të parë nëse kjo nismë e cila sjell të ardhura, ka efekte sociale pozitive, negative, apo asnjë ndryshim në raport me atë që ndodh sot me kultivimin dhe konsumin e kanabisit. Për të pasur një ide pak a shumë të qartë për pasojat e pritshme sociale, të cilat mund të pasojnë ndryshimin e regjimit juridik të kultivimit të kanabisit, normalisht duhen analizuar disa aspekte të rëndësishme të realitetit të sotëm.
Për të ndërmarrë nismën ligjore, e cila legalizon pjesërisht një aktivitet që aktualisht ndalohet tërësisht dhe në mënyrë të rreptë, qeveria fillimisht duhej të merrte para sysh dhe të analizonte faktin nëse në terrenin konkret të kultivimit të kanabisit ekziston ndonjë ndryshim apo diferencë ndërmjet aspektit ligjor aktual që ndalon kultivimin dhe respektimi i tij.
Në perceptimin e secilit, i madh e i vogël, në Shqipëri, mendon se ka një diferencë të frikshme ndërmjet ligjit që e dënon dhe vetë kultivimit ilegal. Një gjë e tillë do të thotë që megjithëse ndalohet kultivimi dhe inkriminohen kultivuesit, transportuesit, shpërndarësit, trafikuesit, megjithëse policia shkatërron thuajse çdo ditë mijëra tonelata me bimë kanabisi, përsëri ritmi i kultivimit të tij mbetet mjaft i lartë. Me fjalë të tjera ligji nuk zbatohet sepse nuk është e mundur të zbatohet pasi jemi në kushtet e një realiteti social ku për të ndërtuar ligjshmërinë nuk mjafton një ligj tjetër, por masa dhe reforma të tilla sociale që të mos e bëjë individin të interesuar të rrezikojë e të merret me një aktivitet të tillë që rrezikon burg. Pra zgjidhja nuk është ligjore, por sociale. Dhe në këtë kontekst logjika është e fare e thjeshtë. Nëse sot në një kohë kur kultivimi ndalohet kategorikisht me ligj dhe ndëshkohet ashpër me burg, përsëri ai kultivohet masivisht. Nesër kur do të lejohet kultivimi i tij për arsye mjekësore, kultivimi ilegal do të vazhdojë dhe ligji do të vazhdojë të mos zbatohet. Pra nuk është e thënë se kultivimi ilegal do të zhduket. Një mundësi e tillë bën që legalizimi për arsye mjekësore vetëm do të sjellë para, por nuk do të zhdukë problemet sociale. Çfarë leverdie mund të ketë një nismë ligjore që gjeneron para, por nuk zhduk plagët sociale të një vendi? Nisma do të ishte e efektshme kur kultivimi i kanabisit në vendin tonë do të ishte në përmasa fare të papërfillshme.
Një aspekt tjetër, akoma më direkt social është se kur sheh se qeveria do të lejojë kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kjo e fundit të bën të ndihesh mirë. Por, kur nga ana tjetër zyrtarisht asnjë institucion shtetëror, mjekësor i Shqipërisë sonë, sot nuk është në gjendje të na japë se sa është numri i individëve të varur nga konsumi i kanabisit, krijohet një paradoks i fortë i cili forcon argumentin e cituar më sipër se nisma ka qëllim vetëm përfitime ekonomike dhe nuk ekziston asnjë lloj prognoze lidhur me efektet e pritshme sociale që do të ketë ky ndryshim ligjor. Ndërkohë para disa kohëve, drejtuesi i një organizate jo qeveritare, e cila merret me riaftësimin e të varurve nga droga, deklaroi se në rang vendi, numri i përdoruesve të të gjitha llojeve të drogave në vendin tonë aktualisht është te 70 mijë. Sigurisht në këtë shifër nuk janë të përcaktuar ata që përdorin dhe janë të varur nga kanabisi, por shifra nuk është e vogël. Për më tepër atë e jep një organizatë jo qeveritare sepse institucionet e shtetit që kujdesen për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, nuk dinë se sa persona të varur janë nga kanabisi.
Përse ka rëndësi ka aspekt?
Askush nuk di numrin e saktë e as të përafërt të atyre që janë të varur nga kanabisi, por perceptimi është se janë shumë dhe krijojnë thuajse një shtresë sociale. Deri më sot, kërkesa e tyre për konsum, që lejohet ligjërisht, e gjen ofertën në tregun ilegal. Mjafton këtu të përmendim vetëm faktin se kohët e fundit, vetëm në qytetin e Elbasanit, policia arrestoi mbi 50 shpërndarës që ishin organizuar në katër grupe kriminale. Sigurisht nuk bëhet fjalë vetëm për kanabis, por kur sheh këtë numër shpërndarësish, kërkesa duhet të jetë vërtet e madh në këtë qytet.
Në kushtet kur kanabisi prodhohet në mënyrë ilegale, kjo do të thotë se askush nuk paguan taksa dhe vetvetiu çmimi i tij mbetet i përballueshëm nga konsumatorët. Nëse për një moment, do të mendonim se legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore do të eliminonte tërësisht tregun ilegal,( gjë që nuk ndodh) natyrshëm konsumatorët do ta gjenin mallin me çmim shumë të lartë. Kjo rritje e çmimit do të bënte që të varurit prej tij, të ndërmarrin akte të pa parashikuara për të siguruar paratë e duhura për të blerë mallin. Gjë që do të përbënte një problem madhor për familjet e tyre. Megjithatë në thelb, nëse ka një kërkesë të madhe ilegale për konsum, edhe oferta nuk do të mungojë, po ashtu ilegale edhe ajo.
Ashtu si në argumentin e parë, edhe në këtë drejtim, në raport me konsumatorët e varur nga kanabisi, nisme do të kishte sukses nëse qeveria do të kishte realisht një strategji dhe një politikë të qartë lidhur me luftën kundër konsumit të kanabisit dhe të drogave në përgjithësi. Por në kushtet kur nuk ka asnjë institucion publik që të flasë me shifra për fenomenin me qëllim njohjen e trendit të tij, nisma përsëri të bind që bëhet vetëm për motive përfitimi financiar sepse shtresa e përdoruesve të drogave, të paktë deri më sot, është jashtë vëmendjes së qeverisë dhe institucioneve të saj të specializuara.
Në thelb nisma është e nxituar, shumë para kohe, larg kushteve të duhura të sundimit të ligjit, në rrethana të rënduara sociale.