BallinaIntervistaVolejbollistja Lulzime Duka: Si e shpëtova babanë nga burgu dhe braktisa dasmën...

Volejbollistja Lulzime Duka: Si e shpëtova babanë nga burgu dhe braktisa dasmën për një ndeshje

spot_img
spot_img

Nga UVIL ZAJMI
Një histori e rrallë që u kthehet viteve të diktaturës. Kur dëgjon e lexon sot të duket diçka jonormale, gati e pabesueshme. Por nëse i referohesh kohës, periudhës, si funksiononte mekanizmi në çdo fushë të jetës në Shqipërinë e atyre viteve, veprime të tilla ishin të zakonshme. Protagonistja e kësaj ngjarjeje është një volejbolliste shumë e njohur e elitës së volejbollit kombëtar, Lulzime Duka, me një karrierë të spikatur, si një nga protagonistet e treshes së famshme, Tase – Ibrahimi – Duka, gjysma e ekipit kombëtar dhe e Dinamos së vajzave të Kreshnik Tartarit, skuadër e një epoke kolosale pa rivalë në Shqipëri. Ishin konkurruese deri në elitën europiane.

Në këtë shkrim do të rrëfejmë një moment të jetës, kur karriera e Lula Dukës, do të ndryshonte krejt papritur, në një moment tejet delikat, tronditës e të vështirë që po kalonte familja e saj, me babanë e dënuar për agjitacion e propagandë. Bëhet fjalë për një nga transferimet më të polemizuara dhe befasuese të kohës, kur nga Partizani ajo do të kalonte te Dinamo. E kundërshtuar nga klubi ushtarak, tifozëria, e kushtëzuar me lëvizje, shkëmbime të lojtareve, por i realizuar falë edhe një kompromisi të pabesueshëm. “U ktheva në shtëpi, kam parë babanë, e kishin liruar nga burgu. Shpërtheva në lot, e përqafoja, nuk më besohej”, thotë Duka për “Panorama Sport”. Gjithmonë më thoshte: “Falë teje Lula fitova lirinë”.

LULZIME DUKA: “DO TË ISHA BËRË BALERINË. AGIM FAGU MA NDRYSHOI KARRIERËN”
Nga një balerinë, valltare, me të ardhme në një kohë të shkurtër, pak rastësi dhe shumë shpejt, krejt papritur, jeta dhe karriera e Lulzime Dukës do të devijonte në një tjetër drejtim, joartistik: “Një pasion i madh për volejbollin do ta shoqëronte karrierën time”, thotë. Për ta konfirmuar si një volejbolliste kalibri e pa limite.

Cilat janë fillimet e Lulzime Dukës?
Me një fillim pak ndryshe. Vijoja kursin për balerinë, kisha të dhëna premtuese falë edhe kërcyshmërisë. E kisha natyrale. Lili Cingun, balerinën e njohur, e kisha si instruktore. Mund të isha bërë një valltare e shquar, një personazh i njohur i spektakleve, por gjithçka do të ndryshonte papritur.

Pse, për çfarë motivi?
Në tetëvjeçare isha nxënëse në shkollën “29 Nëntori”. Mësuesi i edukimit fizik do të më rekomandonte të angazhohesha në atletikë. Madje më çuan te specialistë të njohur, si trajnerët Sabri e Lili Bejleri, pasi shquhesha për distancat e shpejtësisë. Pra, kisha të dhëna edhe në këtë disiplinë sportive, ndonëse Lili Cingu këmbëngulte që të vazhdoja baletin. Pastaj në shkollë të mesme, në gjimnazin “Partizani”, shoqëroja në stërvitje motrën që ishte volejbolliste me skuadrën e vajzave të Partizanit. Nisa të angazhohem në basketboll me trajner Festimin

Më treguat se nxitësi për t’u bërë volejbolliste është një emër i madh, Agim Fagu…
Po, shkak për të nisur volejbollin do të bëhej i mirënjohuri Agim Fagu. Unë, një vajzë e re, basketbolliste me Partizanin, bëja kërcime te shkallët e pallatit dhe Fagu më ndiqte. Një ditë më thotë: “Mos e humb këtë cilësi që ke, shfrytëzoje në maksimum kërcimin. Në volejboll të shërben më shumë”. Kaq ka mjaftuar, që më nxiti të angazhohem te Partizani, por si nisje me të rejat, ku trajner ishte Sejfulla Shtëpani. Ndeshja e parë në Pogradec dhe në Kukësin e Vjetër. Pastaj në skuadrën e parë, bashkë me Lelën, motrën. Fillimisht në Kategorinë e Dytë. Deri në sezonin 1978 – 1979 kur Partizani do të luajë në të Parën.

Me partizanin e   dyta majtas

Flasim pak për familjen…
Tre fëmijë: Lejla, e para, e datëlindjes 1954 dhe pastaj unë e lindur më 1959. Një vëlla, Kujtimi, i ndarë papritur nga jeta pas një ataku kardiak, disa vite më parë.

Keni disa momente të rëndësishme në jetë, nga ato që ju kanë goditur thellësisht apo jo?
I pari në vitin 1977. Isha në një moment të mirë sportiv, kur na njoftojnë se është arrestuar babai. Një tmerr i vërtetë. Babai, me profesion shofer, punonte në Parkun e Transportit me makinat TIR Albania, dilte jashtë shtetit. Ishte njeri korrekt. Për ne ishte si një rrufe në qiell të hapur.

Si e përjetuat ju dhe familja?
Lajmi ishte i rëndë. Na goditi të gjithëve dhe na ra si një bombë në familje. Me babanë në burg na detyrojnë të ndërpresim lidhjen me volejbollin, klubin Partizani dhe punën. E pasuam si unë dhe Lela. U mbylla në shtëpi, heshtje, dëshpërim në rrethin familjar. Situata e krijuar papritur u tensionua për të gjithë ne, na çorientoi tërësisht. Të dyja motrat na lanë në mes të rrugës.

Me çfarë akuze, pse e arrestuan babanë?
Bëhej fjalë për “Agjitacion e Propagandë”… Ishin akuza banale. Në një takim me disa shokë, duke pirë dhe drekuar, dikush i thotë që ta ngremë këtë gotë për Enver Hoxhën. Babai, i përgjigjet që “çfarë pune ka Enver Hoxha këtu, në këtë drekë”. Kaq mjaftoi që ta spiunonin dhe më pas ta arrestonin. As 50 vjeç nuk ishte.

Në një situatë të tillë, pa shpresë, shfaqet Kreshnik Tartari… Çfarë roli pati ai?
Isha pa asnjë shpresë për t’u rikthyer në stërvitje dhe në ndeshje. Tronditja dhe atmosfera e krijuar me arrestimin e babait u rëndua. Ndonëse konsiderohesha ende lojtare e re dhe me perspektivë, rrugët ishin mbyllur. Kur papritur në skenë del Kreshnik Tartari, trajneri i mirënjohur i Dinamos, që është në kërkim të një lojtareje shutere me nivel. Plani ishte që bashkë me Ela Tasen i duhej një si unë në skuadër në pjesëmarrjet dhe konkurrimet europiane. I interesuar, profesori shkon në shtëpi, takon mamanë dhe i thotë që Lulen do ta marrim te Dinamo. “Na lër rehat në hallin tonë profesor”, i përgjigjet mamaja që nuk e besoi çfarë i tha ai. “E di Partia”, i kishte thënë ai, si me shaka duke u larguar.

Duka e dyta ne kembe nga e djathta

Sa e informuar ishit ju për këtë propozim?
Nuk dija asgjë. Kthehem në shtëpi dhe mamaja më tregon ardhjen e Kreshnikut. Nuk e mendoja dhe as nuk e kisha imagjinuar kurrë. Shtatlartë 176 cm, shpërthimi im si një volejbolliste e talentuar kishte tërhequr vëmendjen e tij. Në veçanti për kërcimin dhe forcën goditëse që demonstroja. Por, situata politike e bënte të pamundur.

Si reaguat ju?
Nuk reagova menjëherë, por fola me motrën. Gjithmonë duke menduar dhe duke thënë me vete se me babai në burg do të më pengonte dhe nuk do të më lejojnë. Gjykova se do të krijohej sërish zhurmë: “Si mundet kjo të luajë me Dinamon me babanë në burg?”… Kaq mjaftonte të shqetësoheshim në familje. M’u duk krejt e pabesueshme për rrethanat. E mendoni vetë, për opinionet që ishin krijuar në lagje, farefis, miq, por edhe në mjedisin sportiv, ku diskutohej nga të gjithë: ‘Lules, Lejlës i kanë burgosur babanë”. Të kufizonte në të gjitha veprimet familjare, sociale, shoqërore e sportive.

Dhe papritur dilni në stërvitjen me Dinamon… Çfarë ndodhi?
Na u duk një bisedë dhe një premtim pa shumë shpresë. Ngjante si një tentativë e vështirë për t’u realizuar, edhe pse profesori ishte entuziast. “Si mundet, cilat ishin alternativat, mundësitë kur profesori u shpreh se do ta rregullojmë? Kujt i referohej ai?”, pyesja shpesh veten. Papritur më njoftojnë të paraqitem në stërvitje te Dinamo në pallatin e sportit. Ishte fillimi i kampionatit 1979 – 1980. U paraqita, u takova me vajzat. Ndërkohë, Dinamo kishte krijuar skuadër shumë të mirë. Unë u përshtata menjëherë me grupin, veçanërisht me Ela Tasen dhe Miminë (Moza Ibrahimin). Një harmoni e plotë me vajzat dhe me trajnerin Tartari.

Por reagoi Partizani dhe lindi sërish një situatë e vështirë për ju, apo jo?
Sigurisht që lajmi bëri bujë. Lule Duka do të shkojë te Dinamo… I kanë liruar babanë nga burgu që ta marrin, etj., etj. Papritur m’u krijua një shqetësim i madh. Në klub nuk mund të shkoja, as në rrugë nuk dilja, se kisha frikë që do të reagonin tifozët.

Shpërthejnë fletërrufetë, tjetër tension publik… Si e përballuat?
Po, e vërtetë, shpërthejnë “Fletërrufetë”. Kudo në klub, në qendër, nga tifozët kërkohet moslargimi im nga Partizani dhe kalimi te Dinamo. Vetëm profesor Kreshniku e di se çfarë ka hequr, ai, familja dhe në veçanti gruaja, Nigda. Në rrugë, në pallat të sportit, presioni dhe tensioni ishin të mëdhenj. Bashkë me profesorin edhe unë kam vuajtur atë periudhë. Stërvitesha me Dinamon, por pa luajtur. Te Dinamo fillova zyrtarisht në edicionin 1979 – 1980 dhe deri më 1988 – 1989, pa u ndarë asnjë ndeshje.

Sidoqoftë, nuk ka qenë i lehtë ai transferim nga Partizani te Dinamo…
U bisedua, u bënë disa shkëmbime. Janë gjashtë lojtare të Dinamos, 5 volejbolliste dhe një basketbollist që shkojnë te Partizani. Për mua problem ishte federimi, leje kalimi nga Partizani dhe në atë fillim kampionati nuk kam luajtur. Pastaj do të kryhej transferimi zyrtar te Dinamo e vajzave që ishte në fillimin e famës, një skuadër me të cilën ishin dashuruar të gjithë. Kam luajtur me numrin 2, në pozicionin 4, diagonal me Tasen.

Çfarë plani ishte “kurdisur” për të realizuar transferimin tuaj të bujshëm?
Plani ishte bërë më parë nga drejtuesit e klubit Dinamo dhe ata të Ministrisë së Brendshme. Me këmbënguljen e Tartarit, ai u ishte shprehur atyre, se ishte në kërkim të një shutereje tjetër dhe Dukën e kishte parë, vlerësuar, por luan me Partizanin. Aq më shumë duke e ditur problemin familjar, të ndërgjegjshëm, që një sportiste me babanë në burg nuk mund të transferohej dhe të luante me Dinamon. Në ditët që vijuan profesori me tregoi se bashkë me Hysen Shahun, një tjetër dashamirës, kishin ndërhyrë dhe kishin ndihmuar të realizohej kjo tentativë, apo kompromis jo i zakontë.

Dhe cili ishte ai kompromis?
Babai ndodhej në burg në Spaç, tetë vjet i dënuar. Unë nuk kam mundur të shkoj asnjëherë se nuk më lejonin, ndërsa motra po. Ka qenë fundi i vitit 1979, nëntor-dhjetor, skuadra e Dinamos ishte e grumbulluar në Konvaleshencë në Durrës ku përgatitej për të luajtur në Kupën e Kampioneve me Shverten, ndeshja e parë në Gjermani. Vetëm dy ditë para se grupi të nisej, trajneri na njofton se do të shkojmë në Tiranë për të marrë rrobat e për t’u bërë gati për udhëtim.

Ju si e pritët, kishit frikë se nuk do të shkonit?
Unë, e ngrirë, nuk fola, ndërkohë që si shuterja kryesore, isha përgatitur. Moza Ibrahimi e pa situatën time shpirtërore, i afrohet dhe e pyet: “Profesor Kreshiku, po Lula do të vijë në Gjermani”? – “Ikni, bëni gati rrobat!”, – ishte përgjigjja e tij. Moza, nga Lulzime shkurt më thërriste Ximo. Edhe sot kështu komunikojmë, unë i them Mimi e ajo Ximo. U nisëm për në Tiranë, por pasiguria më shoqëronte në çdo çast. Ishte një moment vendimtar për jetën dhe karrierën time.

Ktheheni në shtëpi, ju pret një surprizë e madhe, e paimagjinueshme…
Mbërrijmë në Tiranë dhe kthehem në shtëpi. Kujtoj që ka qenë darkë. Hap derën, kur çfarë të shoh, gjej babanë. E mendoni vetë, çfarë surprize, emocioni, një e papritur e madhe. U përqafuam, shpërtheva në lot. Ai ul në gjunjë, i dolën lot duke puthur duart dhe më thotë: “Faleminderit, prej teje Lula më liruan”. Transferimi im te Dinamo kishte shërbyer edhe për lirimin e babait. Ky kishte qenë kompromisi: “I nxjerrim babanë nga burgu dhe e marrim Lulen te Dinamo”. Dhe ashtu u veprua.

Shkuat në Gjermani, një ditë që koincidon me datëlindjen tuaj… Çfarë mbani mend?
U nisëm në Gjermani dhe do të luanim kundër Shvertes, një ndeshje që u fitua 3-1 nga Dinamo. Luajtëm shumë mirë, dominuam, edhe pse setin e parë e fituan vajzat gjermane. Isha në formacion bashkë me Tasen, Ibrahimin, Turdiun, Alikon, Dunin, Iftiun, Kavajën, Drenin. Pas takimit të organizuar nga ambasada, na çojnë për një vizitë te një familje. Aty, dikush i thotë zonjës së shtëpisë se kjo volejbolliste për mua ka datëlindjen. Ajo doli dhe u kthye me një buqetë me trëndafila. Ishte e shtunë, 8 dhjetor. Në kthim fitojmë pastër 3-0 dhe kualifikohemi.

Ndeshja me “Bari 2001”, një tjetër mrekulli e vajzave dinamovite…
Po, ishte një nga ndeshjet e paharruara. Kupa e Kampioneve, pasi kemi eliminuar gjermanët e Shvertes në turin e dytë. Ishte shkurt 1980 dhe luanim ndaj “Bari 2001”, skuadër me lojtare cilësore. Kujtoj rumunen Popa. Humbasim 3-1 në Bari, por në kthim, në një pallat sporti të tejmbushur, fitojmë 3-0 në një orë lojë. Shkëlqejnë të gjitha vajzat, nga Tase, Ibrahimi, Babuli, Turdiu. Unë kam qenë në një formë të jashtëzakonshme atë takim. Ky është rasti i parë që një formacion shqiptar i volejbollit për femra futet në katër skuadrat më të forta të Europës. Nuk harroj tifozërinë, entuziazmin, në një pallat sporti “Partizani” të jashtëzakonshëm.

Në Çekosllovaki ishte eksperienca e parë, çfarë mbani mend?
Në fillim të marsit 1980 në Jicin të Çekosllovakisë zhvillohet faza finale. Humbasim të parën 3-0 me Slavian e Pragës, fitojmë 3-0 me hungarezet Nimse. Pritej një fitore me kampionen e Turqisë “Ekzacibashi” dhe vendi i dytë e nënkampione e Europës. E nënvlerësojmë momentin dhe ndeshjen duke u dhuruar fitoren 3-0 kundërshtarëve. Kujtoj se tronditja psikologjike ishte e madhe. Ishte eksperienca e parë, gjithçka justifikohet edhe vendi i katërt konsiderohet një sukses.

Dy motra në një skuadër, ishte një rast jo i zakontë apo jo?
E kemi nisur te Partizani. Me Lejlën, motrën e madhe, u ndava në 1977 – 1978 kur kalova te Dinamo. Kujtoj takimet derbi, dhe sërish bashkë kur Lejla merret si përforcim nga Dinamo në Shverih (RDGJ) kundër “Traktorit”. Për t’u takuar edhe një herë në sezonin 1989 – 1990 kur unë do të ndahem me Dinamon pas një dekade për t’u rikthyer te Partizani ku gjej motrën. Por vetëm një sezon.

Keni një rast pak ndryshe, kur braktisni martesën për një ndeshje… Mund të na thoni diçka?
Po, ishte viti 1984. Do të martohesha në fundjavë, por Dinamo kishte një ndeshje vendimtare në Shkodër. Ela nuk luante, sapo kishte lindur djalin. Vajzat më thoshin që po nuk erdhe ti as ne nuk shkojmë. Kam lënë dasmën, kam hequr fustanin e bardhë, me kokën, flokët me karfica, e rregulluar, me një makinë “Aro” të ministrisë jam nisur disa orë para ndeshjes. Ndeshja fillimisht ishte lënë të luhej të mërkurën, nisur nga martesa ime, por kur shkodranët ishin informuar për motivin, kishin refuzuar në FSHV dhe takimi do të luhej të shtunën. Një takim që nuk e harroj për emocionet, pritjen, tufën me lule që më dhuruan shkodranët. Nuk e besonin kur më panë. Një pritje e jashtëzakonshme. Lashë një emocion kur u nisa nga Tirana, mora një tjetër në parketin e pallatit të sportit. Luajtëm, fituam dhe u shpallëm kampionë në fund të kampionatit.

Si është e vërteta e sëmundjes “enigmë” që ju shkëputi nga sporti?
Nga sporti u shkëputa nga një sëmundje “anonime” me një diagnozë të vështirë për t’u zbuluar dhe mjekuar. U ndava me Dinamon, u ktheva vetëm një vit te Partizani dhe në Kombëtare, kur Tartari më thërriti në vitin 1989 në Ballkaniadë në Rumani. Pas viteve ‘90 u largova për mjekim në Itali, pastaj në Zvicër. Nën kujdesin e mjekëve, por më lejuan të luaj me “UniBern” të Zyrihut, klub në Kategorinë e Dytë, që në pak kohë, u ngjit në të Parën. Në Shqipëri nga Zvicra përfundimisht jam kthyer më 2006-ën. Prej asaj kohe jetoj në Tiranë.

Humbja e bashkëshortit ishte një dramë e madhe për ju…
Rasti i dytë që më ka goditur thellësisht është i lidhur kur aksidentalisht në vitin 2005 humbi jetën bashkëshorti, Toni. Njeriu i jetës me të cilin kishim mbi njëzet vjet njohje. Nga ajo martesë kam djalin, Ergeron, jo volejbollist. Jam gjyshe me një mbesë 9 vjeçe, Kerstin, që luan volejboll me “Duka Voley”.

Për ta mbyllur, rikthehemi edhe një herë te kolosi Agim Fagu.
Jo vetëm që ishte ai, i cili më nxiti dhe ndikoi tek unë, siç e tregova më lart, por sa herë e takoja, pasi e kisha mbyllur karrierën, më thoshte me shaka: “Lula duhet të paguash paratë për parketin që ke thyer në pallatin e sportit…” Nisur nga goditjet, gjuajtjet e mia të fuqishme në 3-metërsh. Ajo Dinamo dhe ajo Kombëtare, ato vajza, trajneri Kreshnik Tartari, janë pjesa më e bukur e jetës sime. Festuam me tituj kampionë dhe trofe pa fund. Medaljet e arta në Latakia, kualifikimet, ndeshjet, spektatorët, gazetarët, Grillon, Shqarrin, Vangjel Shundin, ekipet kundërshtare, arbitrat, të gjithë. PANORAMASPORT.AL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular