Tajvani i kërkon Kinës të ndalojë aktivitetet ushtarake në kufi dhe paralajmëron: Mund të çojë në rritje të tensioneve!

0
179

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit i kërkoi Kinës të ndalojë aktivitetin e saj ushtarak të njëanshëm, pasi raportoi për zhvillimin e disa misioneve të paspecifikuara pranë ishullit, në vijën ndarëse në ‘Ngushticën e Tajvanit’. Tajpei paralajmëron se një sjellje e tillë mund të çojë në rritje të mprehtë të tensioneve.

“Ngacmimi i vazhdueshëm ushtarak nga ushtria komuniste mund të çojë lehtësisht në një rritje të mprehtë të tensioneve dhe të përkeqësojë sigurinë rajonale. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Pekinit të marrin përgjegjësinë dhe të ndalojnë menjëherë veprime të tilla shkatërruese të njëanshme”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Kina, në fakt e ka shfaqur hapur ambicien e saj për Tajvanin. Ajo e sheh si territorin e saj, ndërsa kërkon të ushtrojë edhe prentendimet për sovranitet mbi Tajpein, shkruan Reuters.

Të dielën, sipas ministrisë, rreth ishullit janë pikasur rreth 103 mjete ushtarake të llojit anije apo avionë, një numër të cilin Tajvani e konsideron si një masë të fundit.

Harta e saj e aktiviteteve kineze gjatë 24 orëve të fundit tregoi avionë luftarakë që kalonin vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit, e cila kishte shërbyer si një pengesë jozyrtare midis dy palëve derisa Kina filloi ta kalonte rregullisht atë një vit më parë. Avionë të tjerë fluturuan në jug të Tajvanit përmes kanalit ‘Bash’, i cili ndan ishullin nga Filipinet.

“Gjatë të dielës së 17 Shtatorit, aktivitetet e Kinës hapën sfida seriozë për sigurinë në ngushticë dhe në rajon”, tha ministria në një deklaratë shoqëruese.

“Paqja dhe stabiliteti në ngushticën e Tajvanit janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha palëve në rajon”, shtoi ai.