VIDEO/ Zbulohet laboratori i drogës në Selanik, mes të arrestuarve edhe një shqiptar! Lënda narkotike shitej me postë në Evropë dhe SHBA

0
162

Policia greke në Selanik ka zbuluar një laborator të prodhimit të kanabisit sintetik, ndërsa në pranga janë vënë 5 persona, mes tyre një shtetas shqiptar.

Lënda narkotike dërgohej me postë dhe nëpërmjet kompanive korriere në tregjet në Europë dhe Amerikë.

Grupi kriminal merrte porositë nga blerësit nëpërmjet një platforme të posaçme, ku përdoreshin mesazhet e koduara, ndërsa transaksionet financiare bëheshin përmes kriptovalutave.

Si anëtarë të këtij grupi u arrestuan pesë burra, katër grekë dhe një shqiptar (përkatësisht 29, 35, 58, 39 dhe 28 vjeç). Dy të parët, sipas një njoftimi të policisë greke, akuzohen si drejtues të grupit.

Siç u bë e ditur, sekuestrimi dy muaj më parë në Lituani i tetë pakove postare të ardhura nga Selaniku me lëndë narkotike sintetike, mobilizoi edhe autoritetet ligjzbatuese europiane.

Në hetimet për zbulimin e rrjetit morën pjesë oficerë nga Prokuroria e Selanikut, ndërsa kolegët e tyre lituanezë, EUROPOL si dhe Shërbimi Amerikan i Narkotikëve (D.E.A. i Athinës).

Në laboratorin e improvizuar si dhe në një magazinë në zonën e Triandrisë u sekuestruan 43 kilogramë e 254 gramë kanabis sintetik në formë të ngurtë, mbi 6 litra kanabis sintetik në formë të lëngshme, rreth 2 kilogramë kanabis të trajtuar në formë çokollate, 92,2 gram kanabis të papërpunuar dhe 17 tableta narkotike.

Gjithashtu, janë sekuestruar 3 pistoleta, gëzhoja, tre kuleta elektronike kriptovalutash, 11 celularë, sende dhe pajisje të laboratorit të prodhimit të drogës sintetike dhe një shumë prej 126.220 euro.