BallinaEkonomiNdryshon ligji për turizmin, apartamentet, vilat do të regjistrohen, gjobë kush “vetëklasifikohet”

Ndryshon ligji për turizmin, apartamentet, vilat do të regjistrohen, gjobë kush “vetëklasifikohet”

Një draft i ligjit “për turizmin” i nxjerrë për konsultim parashikon ndër të tjera futjen në sistemin e taksimit të apartamenteve individual, blloqeve që administrohen në funksion turizmit apo vilave.

Ky hap hidhet fiks në vitin kur bumi turistik i Shqipërisë është i padiskutueshëm dhe ka një debat të madh mbi faktin se ku kanë qëndruar turistët duke pasur parasysh kapacitetet akomoduese të regjistruara. Konkretisht në renditjen e strukturave akomoduese ligji ka shtuar edhe përfshirjen e disa kategorive reja të renditura.

“Apartament” është njësi banimi, e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët, e përbërë minimalisht nga një dhomë ndenje ose kuzhinë, një ose më shumë dhoma gjumi dhe me të paktën një tualet.”

“Bllok apartamentesh” janë dy ose më shumë apartamente të cilat menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik.

“Dhomë” nënkupton një njësi të veçantë të një ndërtese rezidenciale / biznesi ose e një ndërtese banimi, në të cilin ofrohet shërbimi i akomodimit për turistët.

“Vilë” është një ndërtesë e veçantë me oborr dhe hapësirë kopshti e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët, në zona turistike.

“Hotel Trashëgimi Kulturore” është një strukturë akomoduese e vendosur në objekte të trashëgimisë kulturore, të njohura nga organet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

“Hotel i shpërndarë” është një strukturë akomoduese, i cili ofron shërbimet e mikpritjes për vizitorët, i përbërë nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, ekzistuese, afër njëra tjetrës, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik” thuhet në ligj.

Regjistrimi për kategorizim

Ligji parashikon që çdo sipërmarrës që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese duhet që brenda 30 ditëve nga regjistrimi në QKR të paraqitet tek ministria përgjegjëse për turizmin me kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi.

“Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin.

Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin te kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.

Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të krijojë një ambient të posaçëm e të veçuar për grumbullimin e mbetjeve dhe largimin e tyre sipas rregullave të parashikuara në aktet e nxjerra nga pushteti vendor”, thuhet në draft.

Vetëklasifikimet do dënohen

Drafti i ri saktëson klasifikimin e strukturave nga bujtinat deri tek strukturat me pesë yje apo dhomat standarde. Vetëklasifikimi i hasur shpesh tek strukturat akomoduese duket se nuk do të lejohet më madje kjo formë site do të kalojë edhe tek agroturizimi.

“-Ushtrimi i veprimtarisë si strukturë akomoduese pa certifikatë kategorizmi, sipas nenit 43/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:

  • nga 1 deri në 5 dhoma me 20 000-50 000 lekë
  • nga 6 deri në 15 dhoma me 100 000 lekë;
  •  nga 16 deri në 40 dhoma me 200 000 lekë:
  • nga 41 deri në 80 dhoma me 300 000 lekë;
  • mbi 80 dhoma me 400 000 lekë.

-përdorimi i paautorizuar i shenjave dalluese në strukturën akomoduese, pa u kryer procesi i klasifikimit sipas nenit 45 dënohet me gjobë 200 000 lekë;

-ushtrimi i veprimtarisë si agroturizëm pa certifikatën përkatëse sipas nenit 45/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:

  1. deri në 5 dhoma 50 000 lekë;
  2. mbi 5 dhoma 100 000 lekë

-mos respektimi i kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit, sipas parashikimeve të nenit 45/1 dënohet me gjobë 100 000 lekë” janë disa nga masat administative të parashikuara.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular