Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka folur sot në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm Igli Hasani dhe komisionerin Varhelyi për sulmin në Banjska.
Baerbock deklaroi se “presim nga qeveria serbe të çojë para hetimet dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes në veri të Kosovës”.
Baerbock u ndal te zhvillimet në Kosovë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që pasoi punimet e ministerialit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, takim që i paraprin samitit të Procesit të Berlinit më 16 tetor në Tiranë.
Ajo theksoi se duhet të shuajmë njëherë e mirë shkëndijat e vatrave të vjetra në rajon.
“Provokimet e palës serbe përmes rritjes së trupave në kufi me Kosovën e kanë nxehur edhe më tej situatën. Kjo ndodh pas një sulmi tinzar kundër Policisë së Kosovës prej një bande terroriste të armatosur deri në dhëmbë. Presim nga qeveria serbe të çojë para hetimet dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha ajo.
Sipas saj, “situata është aq e tensionuar saqë NATO ka rritur praninë e KFOR-it dhe përmes këtij sinjali bëjmë të qartë se qëndrojmë vigjilent dhe kontribuojmë në terma afatgjatë për sigurinë”.
Baerbock u shpreh po ashtu se çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë.
“Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse se Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë të vendosur për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Presim më shumë kurajo për t’i bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikës së brendshme”, theksoi ajo.